Lajthit Rilindja: Nuk njohim vendimet e gjykatave për 30 qershorin

E mërkurë, 17 July 2019 20:33

Partia Socialiste nuk do të njohë vendimin e Gjykatës së Durrësit që refuzoi dhënien e mandatit për kandidaten e saj për kryebashkiake. Numri dy i PS-së, Taulant Balla sulmoi sot gjyqtaren që dha vendimin, duke e cilësuar si lajthitje dhe antiligjore vendimin e institucionit të drejtësisë.

Në deklaratën e kreut të deputetëve të PS thuhet se mazhoranca nuk do të pranojë edhe vendimet e tjera që mund të marrin gjykatat për 30 qershorin! Balla lë të kuptohet se pasi mandatet e kryebashkikëve të PS të miratohen në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor, të zgjedhurit në votimet monopartiake do të marrin detyrën. “Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe nul te një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre qe në vijim të përpjekjes se dëshpëruar për kaos e pasiguri, nuk dinë më çfarë bëjnë. Pavarësisht kësaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon”,- tha Balla.

Ai shtoi se gjykatat vetëm bëjnë një vërtetim të thjeshtë të procedurave të zgjedhjeve dhe nuk i gjykojnë ato. “Nuk ishte parë e dëgjuar në gjithë këto vite që një vërtetim i thjeshtë fakti të refuzohet duke dalë hapur në shkelje flagrante të ligjit mbi një vendim të formës së prerë. Në Shqipëri sipas Kodit Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të pa-ankimueshme”,- shkruan Balla në Facebook.

Deklarata e Taulant Ballës është një precedentë i rrezikshëm për shtetin e së drejtës. Mosnjohja e një vendimi gjykata nga qeveria tregon se mazhoranca ka vendosur me çdo kusht të mos respektojë asnjë kriter minimal ligjor. Edhe pse vendimi i Gjykatës së Durrësit mund të çohet në apel nga kandidatja, PS e ka bërë nul gjithë sistemin jurdik në vend duke u pozicionuar në mënyrë flagrante kundër ligjit.

Kjo deklaratë bëhet edhe më e rëndë, për faktin se vjen nga deputetë dhe njerëz të rëndësishëm në PS që në çdo fjali nuk harrojnë të përmendin rëndësinë e ligjit dhe gjykatave. Sot që gjykata ka dhënë një vendim që nuk u pëlqen, po këta deputetë thonë se nuk njohin drejtësinë, madje edhe kërcënojnë gjyqtarët.

Login to post comments