Teliti: Me Ramën diskutojmë vetëm si kryetar i PS-së, jo si kryeministër

E Enjte, 18 July 2019 19:35

Drejtori i kabinetit të PD-së, Dorjan Teliti nga Ora News u shpreh se KQZ apo kryeministri Edi Rama nuk kanë të drejtë të interpretojnë ka apo nuk ka të drejtë Presidenti i Republikës të deketojë 13 tetorin si një datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

‘Gjithmonë është bërë ky debati që ka apo nuk ka të drejtë Presidenti i Republikës. Ka apo nuk ka të drejtë Presidenti të dekretojë datën e muajit tetor për zgjedhje është e interpretueshme dhe kjo do të interpretohet nga Gjykatat Kushtetuese.

Por ama një gjë nuk është e interpretueshme. Fakti që kryeministri dhe KQZ nuk kanë tagër të diskutojnë dekretin e Presidentit. Ajo që ka ndodhur sot është fakti që kryeministri dhe KQZ kanë interpretuar një dekret të Presidentit. Nuk e kanë në kompetencë.

Kurse a ka të drejtë Presidenti i Republikës të shtynte apo jo kjo është e interpretueshme dhe e vendos Gjykata Kushtetuese. Kjo e ha debatin publik. Ka ekspertë që thonë ka të drejtë, ka që thonë që nuk ka të drejtë. Por kjo gjë do të vendoset nga Gjykata Kushtetuese.

I pyetur nëse po shkohet drejtë thellimit të krizës apo ka shenja të një rrugëdalje prej saj, Teliti u shpreh se rrugëdalje ka gjithmonë, mjafton vullneti i mirë.

Sipas tij edhe lideri i opozitës, dhe aleatët kanë thënë se zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën nuk mund të ketë.

Por nga ana tjetër Teliti theksoi se opozita do të diskutojë me Ramën si kryetar të PS-së.

‘Rrugëdalje ka gjithmonë, mjafton vullneti i mirë. Ne i kemi dhënë opsionet tona të rrugëdaljes. Kemi thënë që nuk duam të negociojmë me Edi Ramën kryeministër, por nuk kemi thënë që nuk duam të negociojmë me Ramën kryetar të PS-së.  Kryetarin e PS-së nuk e vendosin demokratët, por anëtarët e PS-së. Kryeministri është i të gjithë shqiptarëve.  Edhe lideri i opozitës, dhe aleatët tanë të njëjtën gjë kanë thënë zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën nuk mund të ketë. Kjo tashmë është provuar.

Ne do të diskutojmë me Edi Ramën si kryetar të Partisë Socialiste patjetër, nuk e vendosim ne kush është drejtuesi i kundërshtarit tonë politik. Ama të gjithë ne si qytetarë shqiptarë kemi të drejtë të vendosim kush është ai që do të na drejtojë të gjithë ne si Shqipëri.

Deri sot kur nuk ka një shprehje të Gjykatës Kushtetuese sepse ajo nuk ekziston fatkeqësisht qëndron në fuqi dekreti i Presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Anulimin e datës së parë dhe rivendosjen e saj në muajin tetor. Në 30 qershor zgjedhje nuk ka pasur. Kur nuk ka pasur duhet që kryebashkiakët të zbatojnë legjislacionin. Nuk mund t'i lënë detyrën dikujt të zgjedhur në kundërshtim me ligjin’,-tha Teliti

Login to post comments