Edhe tani pas 29 vitesh, sërish kujtohen ditët e para të përballjes me demokracinë dhe eksodin e shqiptarëve drejt Europës, pas 50 vitesh izolim. Genc Sejko, ka vendosur ditën e sotme të na njohë me një personazh të veçantë. Njeriun i cili guxoi për herë të parë dhe hodhi në erë një bust të Enver Hoxhës.
Diktatura ishte ende në këmbë, edhe pse në grahmat e fundit. Ai është shkodrani Sokol Drrasati, i cili ishte vetëm 19 vjeç kur ndërmorri veprimin e padëgjuar më parë.
Ja çfarë shkruan sot Genc Sejko në Facebook:
Ju prezantoj me Sokol Drrasatin. Ju edhe mund ta njihni por nuk e dini se kush është ai. Kjo sepse Sokoli ka thjeshtësinë e njeriut që nuk flet për veten.
Me 13 Dhjetor 1990 i riu nga Shkodra hodhi në erë bustin e diktatorit Hoxha. I pari bust i diktatorit që u rrëzua në Shqipëri.
Në moshën 19 vjeçare Sokol Drrasati ‘vrau frikën’. Në hetuesi Sokoli u torturua disa ditë rresht dhe më pas u dënua me vdekje nga rrëgjimi komunist. Dënim i cili iu kthye në burg të përjetshëm.
Sot Sokoli punon dhe jeton në Itali sepse ky është raporti që kemi ne me heronjtë tanë. Unë kam privilegjin ta njoh nga afër. Sot keni mundësinë ta njihni edhe ju.
Faleminderit Sokol për atë që ke bërë për ne! Na fal për atë që nuk e bëmë dot ne për ty!