Në thelbin e denoncimit që bëri sot Partia Demokratike për të provuar se kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është personi me precedentë penalë i arrestuar në Greqi me emrin e ndryshuar Jorgo Toto është një numër pasaporte.
Gazment Bardhi deklaroi sot se është ky dokument autentik që PD e posedon dhe, nëpërmjet tij, provon në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi.
Me këtë numër pasaporte, Z 01484 97, që i lidh Kajmakun dhe Toton, PD-ja ka hedhur kështu poshtë sot, të gjithë skemën e mashtrimit që kryeministri Edi Rama ka ngritur për ta mbajtur me çdo kusht në këmbë, të zgjedhurin e tij në bashkinë e Vorës.
Bardhi deklaroi se: "E vërteta është ajo e deklaruar nga Partia Demokratike që dje. Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në vitin 2003, me masë arresti në burg, në fuqi, për kryerjen e një krimi, është ekzaktësisht Agim Kajmaku, kandidati i Edi Ramës për Vorën., megjithëse ai, në momentin e arrestimit, ka dhënë emra fallco për nënën dhe babin e tij.
Në vendimin e drejtësisë greke, të cilin ne e bëmë publik dje, Jorgo Toto paraqitet me amësi Parashivi dhe atësi Thanas. Kjo ka ndodhur, sepse në pasaportën e shtetasve shqiptarë nuk pasqyrohen të dhënat e atësisë dhe amësisë. Për këtë arsye, në procesverbalin e arrestimit, të dhënat për atësinë dhe amësinë, pasqyrohen ashtu siç deklarohen nga vetë i arrestuari.
Pavarësisht përpjekjes për të mashtruar autoritetet greke, në momentin e arrestimit Jorgo Toto ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik identifikimi dhe e cila është regjistruar në vendimin për arrestimin e Jorgo Totos.
Në faqen 13 të këtij vendimi, të publikuar dje, thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, është shtetasi shqiptar Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497.
Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS.
Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi.