Gjeneral, po vriten njerëz, policia nuk është “agjenci” funerale

E Enjte, 29 August 2019 17:26

Në katër ditë dy vrasje në kryeqytet, asnjë autor i kapur dhe mbi të gjitha ngjarjet e rënda kanë nxjerrë zbuluar strukturat e policisë dhe akoma më e rëndë mungesën e besimit të publikut. Në fillim u vra Indrit Çelaj, një i ri punëtor që ia morën jetën ndërsa montonte kondicionerë. Ende pa u kapur autorët e krimit makabër një tjetër vrasje ndodh po në kryeqytet.

Ekzekutohet me disa plumba ish-polici Santiago Malkaj, me të shkuar mjaft të dyshimtë kriminale dhe ndoshta është një eliminim për larje hesapesh. Krimi që ka vrarë në shpirt çdo familje shqiptare që jeton me djerësën e vet, ishte ai i ekzekutimit me një plumb në kokë të 26-vjeçarit Indrit Çelaj.

Po montonte kondicinerët në vilën që po ndërtohej nga vëllezërit Kusi në Tiranë, por ata e vranë e më pas u ulën të qetë në lokal për të hartuar planin sesi duhet të largoheshin dhe kujt do ia linin përgjegjësinë. Krimin e panë edhe dy punëtorë të tjerë, por heshtën nga frika, edhe atëherë kur panë punonjësit e policisë ata nuk treguan. Pa dashje, por me zemër të ngrirë edhe ata punëtorë e bën një krim, sepse nuk treguan krimin.

Kjo vret më shumë, pasi nuk kanë besim në strukturat shtetërore, përfshi edhe ndaj punonjësve të policisë, sidomos të shefave të mëdhenj. Vëllezërit Kusi ishin të fortë, që të shkrehnin koburen edhe për një fjalë goje, që i morën jetën një 26-vjeçari sepse nuk u pëlqeu një vrimë e hapur në murë.

Kriminelë ka kudo, por krimi më i madh vjen nga pjesa e epërme e ministrisë dhe Policisë së Shtetit. Kthimi i besimit të publikut tek strukturat e rendit duket i humbur dhe vështirë të gjendet sërish. Qytetarët heshtin kur shohin një ngjarje të rëndë që po ndodh. Largohen për të shpëtuar veten me kokën ulur, me frikën që i ndjek pas se dikush do i dekonspirojë, që ai i forti në rrugë sërish do dalë pas pak kohësh, e mund të merret me dëshmitarët rrëfenjës.

Ata që i morën jetën të riut Çelaj janë të lirë, edhe pse kryen një krim mu bash në zemër të Tiranës, në një nga zonat më të populluara të saj. Patën kohë edhe të shtroheshin lokaleve për të thurur jo vetëm planin e arratisë, por edhe për të tentuar fshehjen e krimit.

Përgjegjësia nuk është e atyre mijëra policëve të thjeshtë që përballen direkt me kriminelë, por e bosëve shefa që janë aty në sajë të mbështetjes së pushtetit, që nuk gjykojnë si ushtarakë, por si partiakë. Përgjëgjësia është e atyre drejtuesve që lanë drogën të rritej kudo, e për haraç kishin 30% të fitimit.

Iku jeta e një punëtori të ri, një 26-vjeçari që mbante veten dhe familjen me atë punë, e djallit të vetëm të familjes me shumë halle, sepse “shteti” e dërgoi për fatin e tij të keq në duart e kriminelëve, që ndërtojnë vila edhe me lejen e Bashkisë së Tiranës. Policia fatkeqësisht po kthehet në “agjenci funeralesh” për të marrë kufomat pas krimeve.

Në krye të ministrisë së Brendshme është gjeneral Sandër Lleshaj. Një ish-ushtarak me karrierë të pasur, por që sot ka zhgënjyer shumëkënd. Pretendohej se do ishte apolitik, një teknicien që do bënte rëformë të thellë në polici, por asnjë nga pritshmëritë nuk ndodhi. Sot ai më shumë se ministër është Koordinator i Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, i gatshëm të lëshojë çdo deklaratë politike kundër opozitës, sidomos në kohë protestash.

Nuk ndihet ngushtë kur gazin lotsjellës e përdor policia që “do” kundër çdo protestuesi, të dhunshëm apo paqësor. Kur atë e zbraz edhe brenda shtëpive të banorëve që tentojnë të mbrojnë ngrehinën nga histerizmi i kryebashkiakut të Tiranës. Kthimi i besimit të publikut tek strukturat e rendit është sfida, gjenerali Rilindjes për fatin e keq shpejt u kthye në ushtarin e ballit të parë politik, pas urdhrave të “kryekomandantit”./ Nga Boldnews.al

Modifikuar më E Enjte, 29 August 2019 20:12
Login to post comments