Basha: Raporti i OSBE s’tregoi vetëm rrëzimin e KQZ, PS të marrë përgjegjësi!

E Enjte, 05 September 2019 20:42

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se raporti i OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 30 qershorit tregoi se në Shqipëri nuk ka shtet dhe as institucione.

Sipas kreut të opozitës, sot ndeshemi me një shtet privat, kriminal dhe personal të Edi Ramës, që ka zëvendësuar shtetin e së drejtës. Në një dalje për media, Basha deklaroi se e vetmja rrugë për të dalë nga kjo gjendje janë zgjedhjet e lira e të ndershme, pa Edi Ramën kryeministër

“Këtu vjen edhe vlera dy e raportit, sepse ka treguar se në Shqipëri nuk ka shtet, s’ka institucione. Nuk janë rrëzuar vetëm KQZ dhe infrastruktura zgjedhore, raporti tregon se këtu ka rënë shteti, drejtësia, gjykatat, është shkelur çdo ligj, janë përfshirë në shkelje dhe përdhunim të ligjit nga kryeministri deri të vëzhguesi më i thjeshtë. Kjo ka ardhur, sepse në Shqipëri ka marrë fund shteti i së drejtës dhe raporti tregon se Rama nuk ka varrosur vetëm zgjedhjet, por edhe shtetin e së drejtës, dhe bashkë me këto ka varrosur edhe ekonominë, e së fundi paratë e shqiptarëve në gropat e oligarkisë dhe krimit të organizuar.

Sot ndeshemi me një shtet privat, kriminal, personal të Ramës, që ka zëvendësuar shtetin e së drejtës. Ndaj prioriteti ynë kryesor është t’i hapim menjëherë fund kësaj gjendjeje, që nis duke vendosur demokracinë. E vetmja rrugë janë zgjedhjet e lira e të ndershme të mbajtura nën kujdesin e një qeveri tranzitore. PS duhet të marrë përgjegjësitë për gjendjen ku e ka katandisur vendin nën drejtimin e Ramës, i cili duhet të largohet për t’i hapur rrugë zgjidhjes. Është koha t’i kthehemi zgjedhjeve të lira e të ndershme”, deklaroi Basha.

Login to post comments