Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti në një takim Presidentin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, Timothy A. Chorba, i cili po viziton Shqipërinë me ftesë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Presidenti Meta dhe Ambasadori Chorba biseduan për marrëdhëniet midis vendeve tona dhe nevojën që SHBA-të të vazhdojnë të jenë të fokusuara në rajon, në një kohë që Shqipëria konsolidon shtetin ligjor dhe rendin kushtetues.
Presidenti Meta shpjegoi situatën aktuale politike në Shqipëri, si dhe nevojën e palëve për t’u rikthyer në dialogun politik për të zgjidhur krizën e paprecedentë që ka pllakosur vendin, organizimin e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse të lira dhe të ndershme, ndërsa vendi ynë po pret me padurim çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ambasadori Chorba e falënderoi Presidentin Meta për pritjen si edhe për mbështetjen që po jep për misionin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë në rajon vitin e ardhshëm.