Kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi i ka akorduar personalisht Manxhar Binaj-t, titullin ‘Qytetar nderi’ i Tepelenës.
Manxhar Binaj është personi që ka firmosur urdhëra për internime dhe burgosje të dhjetëra-qindra familjeve tepelenase, gjirokastrite dhe vlonjate kur ka qenë në krye të Komitetit të Partisë në Tepelenë, Vlorë dhe Gjirokastër në vitet ’70-‘80.
Ceremonia e turpshme e nderimit me titullin më të lartë për Binajn, është organizuar mbrëmjen e kaluar në Pallatin e Kulturës së Tepelenës dhe vetë kryebashkiaku Peci, ka glorifikuar mjaft figurën e Binajn madje duke thënë se titulli është një stimul i vogël karshi kontributeve që ish drejtuesi lokal komunist, ka dhënë gjatë viteve të diktaturës.
Kryetari i Bashkisë së Tepelenës Tërmet Peçi i dalë nga zgjedhjet moniste të 30 qershorit ka falenderuar pjesmarrësit në ceremoninë e djeshme të nderimit të Manxhar Binajt duke e cilësuar atë si mik dhe njeri me zemër të bardhë dhe me cilësi të një burri të rrallë.
‘Faleminderit shoku Manxhar që je sot këtu mes nesh. Gjej rastin të falënderoj organizatën e veteranëve për propozimin e figurës së shokut Manxhar për t’u nderuar me titullin ‘Qytetar Nderi’. Ishte kënaqësi dhe privilegj që e përcolla në Këshillin Bashkiak propozimin për vlerësimin e një figure të nderuar si ajo e shokut Manxhar’-është shprehur Peçi para auditorit të mbledhur në sallën e Pallatit të Kulturës në Tepelenë.
‘Të rrosh sa të duash’-kanë qenë fjalët e Tërmet Pecit gjatë ceremonisë së turpshme mbajtur mbrëmjen e djeshme në Tepelenë.
Më herët organizatat e të ish persekutuarve politikë kundërshtuan aprovimin në Këshillin Bashkiak të Tepelenës me titullin ‘Qytetar Nderi’ të Manxhar Binajt por forca e kartonit u mbylli gojën apelit të familjeve të persekutuara me firmën e Manxhar Binajt.
Akti i djeshëm përbën një skandal të madh dhe veç kësaj, glorifikimin e xhelatit që ka persekutuar dhe internuar familje që ishin rreshtuar në krahun e lirisë dhe mendimit ndryshe nga ai i regjimit. /JuguNews.net