Akti madhor ushtarak e diplomatik që perëndimi dhe SHBA kryen me luftën në Kosovë dhe më vonë me shpalljen e pavarësi së saj, ishte një ngjarje me rëndësi të madhe gjeostrategjike për rajonin e vetë Evropën. Ishte një luftë e cila kishte një moral të fortë brenda saj për të mos lejuar gjenocid në shekull XX kurrë më, pas ngjarjeve të tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore. Statusi i Kosovës, të gjitha lëvizjet diplomatike por edhe në sferën e së drejtës ndërkombëtare, mbi të cilat është rregulluar ky status e është bazuar pavarësia e saj, është një precedent mbi të cilin Europa dhe Perëndimi rregulloi një gabim të vetin 70-vjeçar, atë të Jugosllavisë. Por fantazma e Jugosllavisë endet jo vetëm në kokat e nxehta të Beogradit por armatën e madhe të shërbëtorëve që Serbia pasur jashtë saj. Fantazma e Jugosllavisë herë pas here gjen për aleat edhe ndonjë burokrat të korridoreve të Brukselit. Por kurrë edhe asnjëherë, sidomos pas Luftës së Kosovës nuk guxoi askush në territorin shqiptar siç guxoi “gruaja e Bilalit” për të copëtuar Kosovën në një bashkëbisedim në koherencë të plotë me njeriun e Sheshelit dhe Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç. Për hir të së vërtetës ky i fundit ka qenë shumë i qartë dhe i vërtetë kur është shprehur se jo Jugosllavinë e re por do të kemi Jugosllavinë e vjetër, plus Shqipërinë.
Në funksion të kësaj ideje ka qenë plani diabolik për shkëmbimin e territoreve. Shërbëtorët e Beogradit në tiranë dhe në Prishtinë u munduan ta paraqesin si plan perëndimor. Por Samiti i Berlinit dhe vetë deklarata e Vuçiç pas tij: “Plani im dështoi!”, i nxori zbuluar shërbëtorët e Serbisë në të dyja anët e kufirit shqiptar. As Washingtoni dhe as Berlini nuk e kishin hedhur një tezë të tillë. Për hir të së vërtetës duhet të theksojmë se për herë të parë një plan i tillë është elaboruar nga ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov.
I gjithë partneriteti strategjik i Shqipërisë dhe në një mënyrë të padiskutueshme janë SHBA dhe më pas korridoret e rëndësishme Uashington Londër, Washington – Berlin, është Italia ku jetojnë qindra mijëra shqiptarë, Greqia, po ashtu, ku ka mbi 600 mijë shqiptarë, shkurt konstelacioni euroatlantik. Por jo “gruaja e Bilalit” ka zgjedhur korridorin Ankara – Beograd. Dy ngjarje e kësaj jave, vizita dyditore e Erdogan në Beograd, ku u nënshkrua një marrëveshje ushtarake mes Turqisë dhe Serbisë, dhe menjëherë pas Erdogan rend Rama në Beograd dhe nisin fotot për të festuar të ashtuquajturin “Shengen” ballkanik. Nuk është “Shengen” ballkanik, është deklarata e Vuçiç, “është Jugosllavia e vjetër + Shqipërinë”.
Dështimi i planit për shkëmbimin e territorit po zëvendësohet me teorinë e re. Marifetet e njeriut të Sheshelit e Millosheviçit, Vuçiç, dhe “gruas së Bilalit”, ky i fundit u përpoq sërish t’i veshi petk perëndimor, duke përmendur Samitin e Triestes. Mashtrime të vogla batakçiu me territoret shqiptare. Si për t’ia bërë më të qartë “gruas së Bilalit”, që zor se sqarohet në vrullin antikombëtar që ka marrë, është deklarata e ambasadorit britanik se Londra është kundër shkëmbimit të territoreve dhe se do punohet me qeverinë e re të Kosovës”.