Është publikuar vendimi i Këshillit Evropian sa i përket procesit të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në dokumentin e publikuar nga Brukseli raportohet se, KE do t'i rikthehet çështjes së zgjerimit përpara samitit BE-Ballkan Perëndimor, i cili do të mbahet në Zagreb në majin e vitit 2020.
Liderët e Bashkimit Evropian kanë zhvilluar një debat të gjatë deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, duke mos arritur në një marrëveshje.
Kjo për shkak të vetos të vendosur nga Franca.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron thotë se përparimet e bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mjaftojnë për të hapur negociatat.
"Vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin shumë reforma. Dua të përgëzoj sidomos Maqedoninë Veriore për arritjen e e një marrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit. Përparimet janë bërë, por ato nuk janë të mjaftueshme. Ka probleme të jashtëzakonshme sidomos me çështjen e emigracionit të paligjshëm", u shpreh Macron.
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel gjithashtu u shpreh se çështja e negociatave do të rikthehet në pranverën e vitit të ardhshëm.
"Dëshpëruese që negociatat mos hapen për të dyja vendet. Kemi punuar në favor të hapjes së negociatave, por tre vende Franca, Holanda dhe Danimarka janë kundër. Do t'i rikthehemi përsëri çështjes së negociatave në pranverën e vitit të ardhshëm", tha Merkel.
Ndërkohë kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk në një deklaratë për mediat i bëri thirrje Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që të mos dorëzohen.