Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë intervistë së dhënë sot për televizionin “News 24” ka komentuar sërish raportin e Komisionit të Venecias, mbi ligjshmërinë e veprimeve të tij sa i takon zhdekretimit të datës së zgjedhjeve. Meta tha se ‘Venecia konfirmoi se ai ka respektuar Kushtetutën, ndërsa shtoi se 30 qershori ishte i paligjshëm.
“Çfarë thotë Komisioni i Venecias? Thotë në mënyrë të qartë që dekretet e Presidentit nuk u sfiduan nga asnjë gjykatë, që do të thotë se dekretet e Presidentit ishin në fuqi dhe zgjedhjet kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me Kushtetutën, pra kjo është përgjigja kushtetuese apo juridike.”, pohon presidenti përballë gazetarit Robert Rakipllari. Kujtojmë se maxhoranca ka ngritur një komision Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetari: Zoti President, duke iu referuar opinionin final të Komisionit të Venecias aty del qartë që ju nuk keni kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës siç pretendon mazhoranca, që ka ndërmarrë nismën për shkarkimin tuaj, por nga ana tjetër a mendoni që ai opinion i një institucioni të rëndësishëm, siç është Komisioni i Venecias, i legjitimon zgjedhjet e 30 qershorit, duke pasur parasysh se thotë që ju nuk kishit të drejtë të shtynit zgjedhjet për shkak të mungesës së një emergjence?
Presidenti Meta: Duhet të jemi shumë të qartë. Komisioni i Venecias nuk ka thënë, shkelje e rëndë jo e jo që s’bëhet fjalë, por nuk ka thënë as shkelje e lehtë apo çdo lloj shkelje e Kushtetutës. Nuk ekziston asgjëkund termi “violation”. Në draftin e parë, që rrodhi në shtyp nga përfaqësues të mazhorancës, ishte bërë një vlerësim që “tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese”, që nuk ekziston në variantin përfundimtar sepse në radhë të parë Kushtetuta jonë nuk njeh termin “tejkalim”. Ky është një vlerësim politik, nuk është një vlerësim juridik.
Dhe së dyti, sepse u shterua dhe u sqarua në mënyrë të qartë që caktimi i datës së zgjedhjeve është një kompetencë vetëm e Presidentit të Republikës dhe e asnjë institucioni tjetër. Që të tejkalosh një kompetencë do të thotë të hysh në sferën e kompetencave të një institucioni tjetër, gjë që nuk ka ndodhur. Për rastin që ju përmendni, Komisioni i referohet – sepse ata kanë bërë një shtjellim të gjatë teorik – që nuk jemi në kushtet e një emergjence që vjen për shkak të në lufte, të një faktori madhor apo të një fatkeqësia natyrore, por jemi në një rast tjetër për të cilin nuk ekziston një legjislacion i caktuar.
Por Komisioni ka bërë të qartë, që qëllimi ka qenë legjitim, duke iu referuar krizës dhe ndryshimit të rrethanave nga momenti që doli dekreti për zgjedhjet, deri në momentin ku dolën dekretet që anulonin datën e zgjedhjeve dhe shpallnin një datë të re.
Kështu që duhet të jemi shumë më të qartë dhe gjithmonë Komisioni i referohet qëllimeve të Kuvendit, pra edhe nëse Kuvendi mendon në këtë mënyrë prapë nuk kemi atë rrethanë që do të justifikonte një proces të tillë.
Pra, nuk është Komisioni që jep kurrsesi një vlerësim dyshues për sjelljen e Presidentit.
Gazetari: Gjithsesi, Komisionit Hetimor parlamentar vazhdon punën pavarësisht se nuk kemi një vendimmarrje, por mesa kemi parë mazhoranca dhe Kryeministri nuk është se janë tërhequr nga tentativa e tyre për të vazhduar procesin e shkarkimit të Presidentit. A keni një koment për këtë çështje? A ju shqetëson kjo gjë?
Presidenti Meta: Nuk kam pasur asnjë shqetësim të tillë në asnjë rast, sepse unë e di shumë mirë dhe jam tërësisht i ndërgjegjshëm, që vetëm kam respektuar dhe kam mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet kryesore të saj.
Dhe nuk ekziston asnjë shkelje e Kushtetutës, jo vetëm në parimet dhe në thelbin e saj, por as në afatet kushtetuese dhe këtë po ta vini re edhe Komisioni i Venecias e ka bërë shumë të qartë, kur bënë dallimin e një statusi të ndryshëm të zgjedhjeve parlamentare dhe statusi tjetër të zgjedhjeve vendore. Nëse për të parën ka një afat të përcaktuar kushtetues, për të dytën kjo i delegohet Kodit Zgjedhor.
Se çfarë iniciativash ndërmerr parlamenti, kjo është një e drejtë e parlamentit, por të gjithë e dinë se Presidenti vetëm ka respektuar Kushtetutën dhe ka pasur qëllime të mbrojë pluralizmin politik dhe kjo është e domosdoshme dhe përsa i takon çështjes së integrimit europian.
Ajo që mund t’iu them me siguri është se nëse do të kishim pasur zgjedhje të ligjshme njëpartiake, atëherë do të kishim një “JO” të qartë nga Bundestagu gjerman. Por mënyra se si u menaxhua kjo situatë ka lënë këtë perspektivë, që t’i thuhet Shqipërisë se duhet sqaruar çështja e legjitimitetit të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe duhen përsëritur në rast se konsiderohen jolegjitime.
Përsa i takon Komisionit të Venecias në raport me këtë çështje, qëndrimi është i njëjtë sikurse është edhe i raportit të OSBE/ODIHR-it që është gjykatësi i vetëm ndërkombëtar i çështjes së zgjedhjeve. Çfarë thotë Komisioni i Venecias? Thotë në mënyrë të qartë që dekretet e Presidentit nuk u sfiduan nga asnjë gjykatë, që do të thotë se dekretet e Presidentit ishin në fuqi dhe zgjedhjet kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe me Kushtetutën, pra kjo është përgjigja kushtetuese apo juridike.