Mediu: Komitet Kombëtar Integrimi, qeveri tranzitore, kufizim mandati Kryeministrit, president nga populli

Saturday, 02 November 2019 13:02

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka mbajtur fjalën e tij sot në Asamblenë e kësaj partie, në të cilën theksoi se "e djathta shqiptare si e djathtë kombëtare, duhet të rikthejë orientimin dhe besimin europian në vend". Ndaj, Mediu dha propozimet e PR-së se si duhet vepruar. Ndër të tjera, kreu republikan sugjeroi  "kufizimin e mandatit të Kryeministrit dhe deputetëve; zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo pazare politike, zgjerimin e kompetencave të tij në fushën e Sigurisë dhe Drejtësisë. "

FJALA E PLOTE E FATMIR MEDIUT

18 Tetori do të mbetet një nga ditët më dramatike të historisë politike të Shqipërisë. Vendimi i Këshillit Europian për mos hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, nuk është një refuzim si më parë, por një vendim me pasoja të rënda për të ardhmen Europiane të Shqipërisë, dhe për më tepër për faktorin shqiptar në rajon dhe interesin tonë kombëtar.

Tashmë ky vendim ka shqetësuar një pjesë të madhe të Europës dhe partnerin tonë strategjik SHBA. Vetëm në Shqipëri qeveria, politika dhe media po e trajtojnë si një vendim të radhës, po heshtet në një mënyrë kriminale:

Pse u mor ky vendim për Shqipërinë??

Së pari: Për shkak të përgjegjësisë së qeverisë, krimit të organizuar, korrupsionit dhe mungesës së një shteti që bazohet në Kushtetutë, ligj dhe respektim të lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe biznesit.

Së dyti: Asnjëherë qeveria nuk u angazhua seriozisht në reformat Europiane, përkundrazi, qeveria i trajtoi ato për interesa demagogjike politike, duke prishur konsensusin e domosdoshëm politik dhe duke përjashtuar nga ky proçes njerëzit me përvojë dhe profesionistë, në nivel administrativ, politik dhe diplomatik.

Së treti: Gjendja e rëndë ekonomike, pasiguria, krimi dhe korrupsioni, stimuluan emigrim masiv të shqiptarëve, pjesës më aktive të shoqërisë, profesionistëve, intelektualëve dhe të rinjve, duke lënë mbrapa një shoqëri të mplakur dhe me pasoja të rënda politike, ekonomike dhe sociale.

Së katërti: Krimi i organizuar shqiptar, sidomos ai i trafikut të drogës i lidhur me Amerikën Latine, u kthye në një kërcënim serioz, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Britaninë, Gjermaninë, Holandën, Spanjën, Italinë dhe Belgjikën, duke u kthyer në një çështje serioze diskutimi në qeveritë dhe parlamentet e këtyre vendeve.

Të gjitha këto arsye dhe të tjera, bënë që Gjermania, mbështetësja e vërtetë e Shqipërisë në këtë proçes, të vendoste hapjen e negociatave me 9 kushte, ndërsa Holanda dhe Danimarka të ishin kundër.

Vendimi i Presidentit Makron e bën shumë më dramatike gjendjen, sepse duket qartë që çështja e zgjerimit të BE është në pikëpyetje, roli i BE në Ballkan ka rënë, ndikimi i Europës në luftën kundër autoritarizmit, oligarkisë, sistemeve jo demokratike, do jetë më i dobët.

Ndikimi i BE si faktori më i rëndësishëm gjeopolitik në Ballkan, do jetë shumë më i dobët, duke i dhënë terren influencës së Rusisë, Kinës dhe regjimeve religjoze.

Iniciativa rajonale të pastudiuara, të cilat mund të krijojnë pasoja për Shqipërinë Europiane, Kosovën dhe rajonin.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç menjëherë reagoi ndaj vendimit të Këshillit Europian, duke deklaruar se fjalët e BE ishin të pakuptimta, meqënëse nuk është në interesin e Vuçiçit për të zgjidhur çështjen e Kosovës në një afat të shkurtër.

Reagimi i Vuçiç mbas vendimit të Këshillit Europian, tregon qartësisht orientimin e tij kundër Kosovës, vazhdimin e idesë së ndryshimit të kufijeve, dhe kjo situatë bëhet më problematike mbas vizitës së Kryeministrit Rus Medvedev në Serbi, dhe propozimit të fundit Rus për Unionin Ballkaniko-Aziatik.

Nëse Ne sillemi si njerëz të rastësishëm dhe për interesa individuale me vendin dhe kombin tonë, kjo nuk ndodh me Serbinë, dhe aq më pak me Rusinë.

Kjo situatë do ketë pasoja në dialogun Serbi-Kosovë, të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje Herzegovinës.

Përballë kësaj situate është e lehtë të qahemi për Europën dhe Francën, të shkojmë deri në absurditet të sulmeve karshi tyre. Kjo është më shumë se infantile, është shkatërruese.

Ne duhet të kuptojmë përgjegjësitë tona dhe të mos fshihemi si struci. Grupe anti-Europiane po shfaqen hapur në Shqipëri, qorrollisje për marrëdhënie me preferencë fetare, aziatike e përqasje e afrim me regjime autoritariste, janë shfaqur hapur apo në mënyrë të kamufluar.

E djathta shqiptare si e djathtë kombëtare, duhet të rikthejë orientimin dhe besimin Europian në vend.

Për një vend si Shqipëria, konsensusi real politik dhe shoqëror për reforma dhe shtet ligjor, që i shërbejnë integrimit, është elementi i parë i suksesit, prandaj në emër të Partisë Republikane propozoj:

1- Ndërtimin e një Komiteti Kombëtar për integrimin Europian. Ky komitet të bashkëkryesohet nga dy ish Ministra të Jashtëm, konkretisht z.Besnik Mustafaj dhe Zonja Arta Dade. Në përbërje të tij të jenë ish kryeministra, ish ministra të Jashtëm dhe të Integrimit, ish kryetarët e Komisioneve të Integrimit Europian të Parlamentit.

2- Mandatimi me ligj i këtij Komiteti, për të kontrolluar dhe zbatuar detyrimet e çdo institucioni, që rrjedhin nga detyrimet Europiane dhe në veçanti, zbatimin e 9 kushteve të vendosur nga Bundenstagu Gjerman, me një plan konkret veprimi.

3- Përfundimi me konsensus sa më parë i Reformës Zgjedhore, duke draftuar Kodin në bashkëpunim pozitë-opozitë, dhe me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë.

Është provuar se miratimi me konsensus i Reformës Zgjedhore, ka rezultuar me votime më të mira, të pakontestuara.

4- Marrëveshje për ndryshim të Kushtetutës dhe vendosje të një dispozite tranzitore deri në anëtarësimin në BE, për krijimin e një qeverie tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve, sipas modelit Maqedonas, jo si ndëshkim politik, por si një marrëveshje positive, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe për të kthyer qytetarët në kutitë e votimit, për të ushtruar të lirë të drejtën e tyre të votës.

5- Ndërtimin e një grupi pune me ekspertët më të mirë, për të kthyer vendin në binarët kushtetues, të shtetit të së drejtës, bazuar në parimin Check and Balance të një Republike Parlamentare.

Mendojmë se duhet të konsiderohen:

Kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe deputetëve. 

Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo pazare politike. Zgjerimi i kompetencave të tij në fushën e Sigurisë dhe Drejtësisë. 

Krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve. Senati të ushtrojë një pjesë të detyrave dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe një pjesë tjetër të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese t`i kalojnë Gjykatës së Lartë. 

6- Rishikimi i Reformës Administrative, për t`a çuar pushtetin lokal afër dhe në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, me qëllim kontrollin politik të territorit.

Nëse do të shohim përbërjen e këshillave bashkiakë, mbi 95% e tyre janë nga qendrat urbane, duke lënë të papërfaqësur pjesën më të madhe të popullsisë.

Në emër të stabilitetit politik, i cili është kthyer në kontroll politik ekonomik e shoqëror nga grupe korruptivee kriminale, kemi shkatërruar në themel demokracinë, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, të ardhmen tonë Europiane, kemi vendosur Partitë mbi shtetin, parlamentin, mbi ligjin dhe Kushtetutën.

NE jemi republikë parlamentare dhe çdo gjë fillon nga qytetarët, përfaqësimin e tyre, me qytetarët për qeverisjen në emër të tyre dhe për qytetarët në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre.

Në këtë këndvështrim, Reforma Zgjedhore është një demosdoshmëri dhe përparësi, sidomos për opozitën, që lufton për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sa më parë.

Kthimi i Parlamentit në përfaqësues të qytetareve dhe jo kryetarëve të partive, dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është hapi i parë i rëndësishëm, në kthimin e demokracisë në Shqipëri.

ÇËSHTJE PRIORITARE TË REFORMËS ZGJEDHORE:

 Rekomandimet prioritare të Raporteve të OSBE-ODIHR, që mbulojne çështje themelore për standartet e zgjedhjeve:

Shitblerja e votës;

Mosndëshkimi i krimeve zgjedhore;

Presioni mbi zgjedhësit;

Presioni mbi administratën;

Abuzimi me burimet shtetërore;

Liria e votës;

Sekreti i votës;

– Por a janë vetëm këto? Absolutisht jo. Shqiptarët janë dëshmitarë të problemeve të tjera shumë të rënda zgjedhore si:

Përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje (dalë jo vetëm nga përgjimet e prokurorisë të publikuara në BILD për zgjedhjet e 2017, por konstatuar si fenomen edhe nga Opinioni i Komisionit të Venecias për iniciativën mbi nevojën e vettingut në politikë).

Sjellja politike e Policisë së Shtetit në zgjedhje (dalë edhe nga përgjimet e prokurorisë të publikuara nga BILD, ku drejtuesit e Policisë së Shtetit vepronin si struktura elektorale të partisë në pushtet).

Ngadalësimi i veprimit të Dekriminalizimit‎.

Cilësia e përfaqësimit dhe kandidatëve.

Mosekzistenca e gjykatave me rol në zgjedhje ‎(Gjykata

Kushtetuese apo Kolegji Zgjedhor).

Listat e zgjedhësve si pasojë e dështimit të zbatimit të sistemit të adresave‎ dhe mirëmbajtjes së sistemit të gjendjes civile.

Rinovimi i kartave të identitetit. 

Mbi të gjitha, Reforma Zgjedhore duhet parë në këndvështrim kushtetues, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si baza e shoqërisë demokratike. 

Paralament kushtetues si përfaqësues i vullnetit të qytetarëve dhe jo i devijimit në interesa partiake.

Në emër të Partisë Republikane, prej kohësh kam kërkuar dhe kërkoj edhe sot, që opozita të gjykojë dhe të bashkohet në idenë e sitemit zgjedhor: Propocional Kombëtar me lista të hapura (votim preferencial).

?Në thelb të këtij propozimi, qëndron Sistemi Propocional Kombëtar me lista të hapura, sipas së cilës votuesi përzgjedh partinë që dëshiron dhe brenda kësaj partie 10% të kandidatëve të listës së asaj partie. Në fund deputetë përzgjidhen ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota në rang kombëtar.

Po ashtu mbetjet e votave i shkojnë listës së partisë përkatëse, votat të cilat nuk plotësojnë numrin e nevojshëm për deputet, i shkojnë Partisë me presjen më të madhe dhjetore.

Ky sistem:

Do i jepte të drejtë njerëzve të zgjedhin dhe përfaqësohen në Parlament me deputetin e tyre

Do minimizonte konfliktin politik

Do të rrisë kualitetin intelektual dhe politik të Parlamentit

Do të stimulonte karrierën politike, bazuar mbi aftësinë dhe integritetin politik të deputëve

Do krijonte hapsira për konkurim të njerëzve të rinj, pa kaluar në dyert dhe pazarin partiak

Do krijonte debat politik në gjithë territorin, jo thjesht të liderëve të Partive, por gjithë trupës elektorale:  

Do të ndikonte në pjesëmarrjen më të madhe në votime

Do të forconte Parlamentin dhe Republikën Parlamentare, duke mos lejuar që Parlamenti të jetë një shtojcë e pavlerë e qeverisë, apo një teatër qesharak, ku nëpërkëmben interesat e vendit.

Do shmangte influencën e krimit dhe parave të krimit, si dhe dominimin klanor.

Këto propozime ne i kemi parashtruar me shkrim përballë opozitës.

Po me shkrim kemi paraqitur një platform për bashkëpunimin e opozitës, e cila duhet të ketë si platformë të vetën afatshkurtër 9 kushtet e Bundenstagut Gjerman, ato reflektojnë jo vetëm shqetësimet e opozitës, por të shqiptarëve, partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe zgjidhja e drejtë e tyre është hapi i parë drejt ndryshimit dhe qasjes aktive me Europën.

Kjo platformë e pranuar nga opozita dhe që duhet të implementohet, synon:

  1. Institucionalizimi i vendimarrjes së kryetarëve të koalicionit opozitar, drejtuar nga kryetari i PD-së.

?  Takim minimumi 1 herë në 2 javë i kryetarëve.

?  Takimet të jenë tematike dhe me subjekt të caktuar çështjesh dhe të shoqëruara me vendimarrje të shkruar, si  dhe personat përgjegjës që do e ndjekin për zbatim.

?  Mbledhja është e detyrueshme të mblidhet me kërkesën e çdonjërit nga kryetarët e opozitës.

Tryeza ekzekutive në nivel Sekretari të Përgjithshëm ose n/kryetarësh, drejtuar nga PD.

Mblidhet 1 herë në jave, dhe çdo përfaqësues ka të drejtë të thërrasë takim me detyrimin për të prezantuar me shkrim propozimin apo qëndrimin tek përfaqësuesit e tjerë.

? Përgatisin axhendën e veprimit të opozitës.

? Mënyra e organizimit të takimeve, folësit, kur dhe ku do të zhvillohen aktivitetet, mitingjet, takimet në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Takimet me grupet e interesit.

? Përcaktimi dhe organizimi i grupeve të punës për platformën dhe reformat që kalon vendi, me interes kombëtar dhe ndërkombëtar.

? Reforma Zgjedhore dhe Reforma në Drejtësi.

? Qëndrim i unifikuar i opozitës, për Reformën Zgjedhore dhe Reformën në Drejtësi.

? Ndërtimi i një dialogu që do të përjashtonte mundësinë e veprimit të Ramës në Parlament, me faktorë politik jo realë parlamentarë.

? Në këtë kuadër, të gjitha partitë e koalicionit, të paraqesin opsionet për Reformën Zgjedhore, deri në përcaktimin e një qëndrimi të përbashkët. Propozimet të paraqiten me shkrim brenda 10 ditëve.

? Reforma Administrative

? Drejtimi dhe organizimi i koalicioneve në nivel lokal. Drejtimi nga Partia Demokratike, në mënyrë që të krijohet sinergji në nivel lokal.

Grupi i punës për marrëdhëniet ndërkombëtare:

? Përgatitja e takimeve me ndërkombëtarët në Tiranë, Bruksel, Vjenë, Berlin, DC, Londër etj., të zhvillohen si opozitë. Kjo formë duhet t`i imponohet ndërkombëtarëve.

? Përgatitja e një materiali ku të përfshihen; Raporti i ODHIR, Raporti i Departamentit Amerikan për krimin dhe trafiqet, raporte të tjera, si dhe qëndrime të mediave ndërkombëtare si Bild VOA etj, shoqëruar me non-paper nga ana jonë, ku sugjerohen zgjidhje dhe qëndrime të opozitës.

? Fakte se si Rama ka shkatërruar proçesin e integrimit të vendit në BE, shkatërrimin e sistemit kushtetues, zgjedhjet e lira, si dhe rrezikun e dështimit të Presidencës së OSBE.

? Dialogu pozitë-opozitë me prezencë të ndërkombëtarëve, me prioritet zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si rruga për daljen nga kriza, sipas kushteve Gjermane.

? Negocimi me trupin diplomatik në Tiranë, për zgjidhjet që ofrojmë, duke parashtruar me shkrim qëndrimet tona, për të evituar keqinterpretimet.

? Identifikimi i të gjitha marrëdhënieve politike dhe personale ndërkombëtare dhe përcaktimi i koordinatorëve në çdo shtet.

? Përcaktimi i deputetëve mbështetës në EPP, ACRE apo IS, si dhe në parlamentet shtetërore. Përgatitja e deklaratave për mbështetje politike prej tyre, për opozitën.

? Takim me drejtuesit e EPP, ACRE dhe Socialistët në PE, si opozitë. Qëndrime deklarative të EPP dhe ACRE, për nevojën e zgjedhjeve të parakohëshme.

? Takime të kërkuara nga Ne, me deputetë EU, Bundestag, Kongresit Amerikan, Parlamentit Britanik.

? Takim me Drejtorin dhe përfaqësuesit e ODHIR, vazhdimi i komunikimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE.

? Përpjekje për të organizuar seanca dëgjimore në Parlamentin Europian, Gjermani, Itali, USA.

? Qëndrim i qartë për influencat Ruse dhe Kineze në ekonominë shqiptare, si kërcënim për Sigurinë dhe pozicionin tonë si vend anëtar i NATOs.

Grupi i Rinisë:

? Forumet e Rinisë, të institucionalizojnë koalicionin e tyre dhe, të zhvillojnë aktivitete të pavarura nga partitë përkatëse, por si koalicion rinor.

? Aktivitete kreative, siç është shembulli i turningpointusa.

? Aktivitete ndërkombëtare me të rinj nga PPE, ACRE etj., në Tiranë.

? Krijimi i një database dhe netëork me studentë që janë jashtë Shqipërisë, për t`i bërë aktivë, për zhvillimet në vend, dhe ndërtimi i një platforme, forumi diskutimi, për të ardhmen e Shqipërisë(Andi Mustafaj etj.).

Media:

 Angazhimi i një grupi mediatik me përfaqësues nga të gjitha partitë.

 Përcaktimi i një ose më shumë zëdhënësave të opozitës.

Koordinimi i qëndrimeve mediatike, në mënyrë të përditshme.

 Krijimi i një faqe zyrtare dhe rrjeteve sociale për opozitën, me një mesazh politik dhe elektoral, të miratuar nga kryetarët. 

  1. Krijimi i Senatit të Opozitës: Fytyra e opozitës për të ndërtuar Shtet dhe jo pushtet;

Qeveria nuk duhet të jetë i vetmi qëllim i opozitës. Ajo duhet t`i ofrojë shqiptarëve shtetin e tyre, prandaj duhet kapërcyer percepsioni se qeveria e nesërme është ajo e drejtuesve të opozitës.

Historia politike e ndjekur nga Berisha në vitet 2000-2005 në opozitë, është një histori suksesi për ndërtimin e koalicionit, marrëdhënieve me ndërkombëtarët, bashkimin e të djathtës së përçarë dhe finalizimi me KOP, duke ofruar në garën elektorale, politikbërje dhe qeveri, figura të reja.

? Figura politike dhe qeverisëse të opozitës, si dhe figura inteletuale të artit, mjekësisë, Universiteteve, kulturës, me figuara të shquara, që janë jashtë vendit.

? Ofrimi i Intektualëve me emër, në emër të bashkëqeverisjes.

Këshilli i ish deputetëve, Ish ministrave, në të gjitha legjislaturat dhe kryetarëve të bashkive. 

? Grup që do të ndjekë gjithë praktikat ligjore, që dalin nga grupet e punës.

? Analizojnë punën e qeverisë.

? Organizojnë dhe drejtojnë takimet, town-hall, nëpër rrethe, si dhe në TV lokale.

? Bashkëpunojnë me strukturat, për të ndërtuar trupën konkuruese, për pushtetin lokal dhe qëndror.

Si konkluzion,

Mendoj se e vetmja mënyrë për të mundësuar mbështetjen nga ndërkombëtarët, është inicimi nga Ne, i dialogut opozitë – pozitë, duke përfshirë kërkesat tona në kushtet që vendos Gjermania për hapjen e negociatave.

Diskutimi me ndërkombëtarët, jo vetëm i problemeve, por duke ofruar zgjidhje që tejkalojnë interesin tonë imediat politik, dhe duke vendosur në fokus integrimin Europian dhe sistemin demokratik, duke treguar që jemi partnerë real.

Shqiptarët nuk mund të meritojnë më pak se Maqedonasit, prandaj zgjedhjet e lira dhe të ndershme sa më parë, janë rruga e kapërcimit të krizës  së rëndë politike.

Login to post comments