Kryeministri Edi Rama duhej të ishte të hënën në parlament pasi ishte thirrur në interpelancë për çështjen e fëmijëve shqiptarë që kanë ngelur në kampet siriane.
Por Rama nuk shkoi në sallë, edhe pse rregullorja e Kuvendit nuk e lejon që të shpërfillë interpelancën.
Pavarësisht se nuk mund të transferojë përgjegjësinë tek ndonjë ministër tjetër, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi lejoi shkeljen e nenit 96 të rregullores.
Në vend të Ramës, i cili po ashtu nuk u shfaq as përpara strukturave socialiste të Shkodrës të hënën, doli ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali.
Kjo e fundit tha se qeveria po bën përpjekje për të kthyer në Shqipëri fëmijët dhe gratë që kanë mbetur në Siri, por situata është e komplikuar.
Sipas saj, janë së paku 28 fëmijë shqiptarë të identifikuar në kampet kurde.
Ministrja tha se janë 500 burra nga Ballkani, mes tyre 72 nga Shqipëria. Pavarësisht se u shkel rregullorja, deputetët vazhduan të bëjnë pyetjet ndaj Spiropalit.
Një nga arsyet se përse opozita doli nga Kuvendi, lidhej me faktin se kërkesat e saj për interpelanca po shpërfilleshin. Duke parë që qeveria nuk u përgjigjej atyre, opozita u ankua disa herë.