Kryetari i PD-së Lulzim Basha do të zhvillojë në Shkodër, takimin e tretë me qytetarët në kuadrin e turit të ri që ka nisur nëpër Shqipëri.
“Shihemi sot në Shkodër në orën 17:00 me të rinj e të reja për të vazhduar bashkë "Rrugëtimin për Shqipërinë”, shkroi Basha në Fb. Takimi do të mbahet në hotel Rozafa në Shkodër.
Të hënën dhe të martën Basha kreu dy takime, të parin në Elbasan dhe të dytin në Korçë, ndërtuar në formën e bashkëbisedimit me qytetarët.
Në Korçë, kreu i opozitës nënvizoi synimin e këtyre takimeve: "Ndryshimi për Shqipërinë do të vijë përmes rinisë! - tha Basha. - Rinia ka forcën t’i qëndrojë përballë të keqes dhe të jetë energjia për të ardhmen që Shqipëria meriton.
Unë zotohem se do të bëj gjithcka që t’ju kthejmë ju vendimarrjen përmes një sistemi politik transparent dhe garës së hapur. Në këtë mënyrë është ndërtuar Europa dhe sjellja si europianë është e vetmja mënyrë drejt integrimit në BE."