Vorpsi hyn në Kushtetuese si këshilltare, jo anëtare…

Premte, 15 November 2019 09:32

Arta Vorpsi, e cila u shpall si anëtare e re e Gjykatës Kushtetuese nga KED dhe Rilindja me argumentin se renditej e para në listën e kandidatëve nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Presidentit i kishte përfunduar afati 30 ditor për t’u shprehur, ka hynë në mjediset e Kushtetueses rreth orës 07:56 të mëngjesit të sotëm.

Fillimisht u raportua se Vorpsi kishte shkuar në Gjykatën Kushtetuese si anëtare, por zyrtarisht mësohet se ajo vijon detyrën si këshilltare ligjore.

Burime zyrtare bëjnë të ditur për Boldneës.al se Vorpsi ka hyrë në zyrën e saj, atë të Këshilltares Ligjore.

Në një reagim të shkurtër për mediat, Vorpsi tha “mos u lodhni kot”, duke shmangur pyetjet mbi veprimin e saj të betimit para një noteri, një ditë më parë.

Kushtetuta parashikon që anëtari i Gjykatës Kushtetuese betohet para Presidentit para marrjes së detyrës, procedurë që pasditen e djeshme, e ndoqën Marsida Xhaferllari, e dekretuar nga Presidenti, si dhe Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, të zgjedhura nga Kuvendi.

Në Gjykatën Kushtetuese, mëngjesin e sotëm ka shkuar edhe Marsida Xhaferllari, e cila duket se ka nisur punën si anëtare e gjykatës. Raportohet se ajo ka marrë zyrën e saj si anëtare e Kushtetueses.

Përplasjet lidhur me anëtarët e Kushtetueses nisën pasi KED dërgoi të njëjtën listë kandidatësh për plotësimin e vakancave të çelura si në Presidencë ashtu edhe në Kuvend, në të njëjtën datë. Këtu nisi edhe përplasja mes Kuvendit dhe Presidencës lidhur me respektimin e procedurave. Presidenti kishte plotësuar vakancën e parë duke dekretuar Besnik Muçin si anëtar të Kushtetueses, ndërsa i takonte Kuvendit të plotësonte vakancën e dytë. Por Kuvendi zgjodhi të plotësonte dy vakancat njëherazi, ndërsa e konsideroi të zgjedhur Arta Vorpsin si të renditur të parën në listën e KED.

Login to post comments