Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka dhënë vlerësimin e tij për projekt-rezolutën për Kushtetuesen. Ai që në krye të herës nënvizon faktin se rezoluta nuk ka asnjë vlerë ligjore. Manjani këshillon qytetarët që ti hedhin një sy Kushtetutës, e në të nuk do të gjejnë fjalën rezolutë.
“Rezoluta parlamenti ynë ka miratuar plot në vite, por të gjitha janë të natyrës deklarative jo normuese, as urdhëruese”, thekson ai ndër të tjera në Facebook.
Reagimi i plotë i ish-ministrit Ylli Manjani:
Lexojeni Kushtetutën e Republikës dhe nuk do ta gjeni askund fjalën Rezolutë, jo më si normë me fuqi detyruese.
Rezoluta parlamenti ynë ka miratuar plot në vite, por të gjitha janë të natyrës deklarative jo normuese, as urdhëruese.
Ajo që mbetet janë vendimet zyrtare të Parlamentit për emërimin e 2 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dy dekretet e Presidentit për të emëruar anëtarët e tjerë dhe, ceremonia zyrtare e betimit të atyre që janë emëruar.
Të tjerat janë barcoleta me ose të pa noterizuara.