Rama, nxitës i Antiamerikanizmit…

Diel, 17 November 2019 13:40
Nga Kastriot Islami 
 

SHBA konsiderohet prej 30 viteve të fundit një vend mik për shumicën dërmuese të shqiptarëve. Arsyet e numëruara nga shqiptarët janë të shumta: i) mbështetje e konsiderueshme për çështjen kombëtare; ii) mbështetje e fuqishme për rrëzimin e diktaturës komuniste e vendosjen e demokracisë; iii) mbështetje e qartë për sigurinë e stabilitetin e vendit përmes anëtarësimit në NATO; iv) kontribut i jashtëzakonshëm për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme; v) angazhimi i vazhdueshëm për ndërtimin e shtetit ligjor; vi) ndihmë direkte për forcimin e institucioneve të forta dhe realizimin e qeverisjes së mirë; vii) pjesëmarrje konkrete për garantimin e stabilitetit ekonomik, financiar e monetar; viii) bashkëpunim real për fuqizimin e rolit të vëndit në bashkëpunimin rajonal; ix) interesim dhe vëmëndje për anëtarësimin e vëndit në BE.

SHBA ka dhënë e vazhdon të japë një ndihmë të vyer konkrete edhe: i) për të luftuar korrupsionin e të gjithë niveleve, veçanërisht atë qeveritar; ii) për të shpërbërë lidhjet e krimit të organizuar me qeverisjen; iii) për të kapur e ndëshkuar trafikantët e drogës e të qënieve njerëzore dhe eleminuar klanet e familjet mafioze të lidhura me qeverinë; iv) për të kapur e ndëshkuar lavatriçet e pastrimit të parave të pista; v) për të kryer një reformë drejtësie garante e një sistemi gjyqsor profesional e të pavarur dhe në shërbim të qytetarëve, e tjerë e tjerë.

E natyrisht edhe në shumë e shumë aspekte, sektorë, e fusha të tjera…

Këto janë arsyet kryesore, i) përse politika shqiptare ka shpallur me unanimitet SHBA – Partnerin Kryesor Strategjik; ii) përse në shumë vende të botës Shqipëria e shqiptarët cilësohen “proamerikanë”; iii) përse shqiptarët janë shprehur dhe kanë kryer veprime si mbështetësit kryesor në botë të SHBA…
E thënë troç e shkurt, PROAMERIKANIZMI është në një nivel shumë të lartë në Shqipëri e mes shqiptarëve.

Edi Rama është i vetmi politikan i lartë shqiptar në këto 30 vjet që i) ka abuzuar në këto 30 vjet me këtë “dashuri të pakufishme të shqiptarëve” thjesht për interesat e pushtetit të tij personal; ii) ka shpërdoruar këtë marrëdhënie mes dy vendeve/popujve për interesin e tij personal; iii) ka keqpërdorur mbështetjen amerikane për shqiptarët për pushtetin e tij personal dhe iv) që ka tentuar të shesë veprimet e angazhimet e Shqipërisë e të shqiptarëve ndaj SHBA si veprime të tij personale thjesht për interesat e pushtetit të tij.

Edi Rama është i vetmi politikan shqiptar në këto 30 vjet që sa herë s’ka argumente për të justifikuar i) veprimet e tij antidemokratike, korruptive e kriminale, ii) gabimet e rënda në qeverisjen e vendit, iii) dhunimet e shumta kushtetuese e ligjore, iv) kapjen e shtetit e të gjithë institucioneve kryesore, v) dhunën verbale e fizike ndaj opozitës dhe konfliktet me presidentin e drejtuesit e instiotucioneve kushtetuese, v) shkeljen e të drejtave të njeriut dhe dhunimin e të drejtave politike, vi) vënien nën kontroll të biznesit, medias, të shoqërisë civile, dhe së fundmi edhe të drejtësisë, vi) manipulimin e rezultatit zgjedhor përmes blerjes së votave e kërcënimit të votuesve, viii) acarimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe provokimet me teza nacionaliste të partnerëve kryesorë, e tjerë e tjerë, deklaron, madje deri edhe nga tribuna e kuvendit, se në këto veprime:
“…Mua më mbështesin ndërkombëtarët…”, duke nënkuptuar së pari SHBA.

A mund të jetë kjo e vërtetë? Të gjithë me shqetësim dhe me shumë të drejtën bëjnë këtë pyetje.

Rama është përpjekur përmes angazhimit të shumë lobistëve që paguhen majmërisht dhe fshehurazi të krijojë përshtypjen alibike se për gjithcka që ai bën ka mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Sigurisht që ky është thjesht mashtrim e gënjeshtër e Ramës. Shumica e shqiptarëve mendojnë se Rama përmes këtyre mashtrimeve po përpiqet pa sukses, thjesht për interesat e pushteti të tij personal, që:

PROAMERIKANIZMIN e shqiptarëve ta shndërrojë në ANTIAMERIKANIZËM….

Kjo për momentin kjo s’ka mundur të ndodhë...

Sepse shqiptarët e kanë kuptuar se e gjitha kjo është një lojë për interesat e pushtetit personal të Ramës…

 
Login to post comments