Tryeza e OSBE/ Propozimet radikale të opozitës ‘Për zgjedhje të çliruara nga pushteti i parasë’

Tuesday, 19 November 2019 15:09

Gjatë ditës së sotme eshte zhvilluar një tryezë në nivel teknik e thirrur nga OSBE për reformën zgjedhore. Perfaqësuesi i Opozitës në këtë takim ka dalë me propozime konkrete për sa i përket financimit të partive politike.

Në emër të opozitës së bashkuar propozimet janë bërë nga Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso

Disa nga propozimet kyçe:

  1. Është koha t’i jepet fund fragmentarizimit të rregullimit ligjor financiar të partive politike. Korniza ligjore për financimin e partive duhet thjeshtuar dhe integruar në një ligj të vetëm, të posaçëm, që rrit efikasitetin të mbikqyrjes dhe verifikimit.
  1. Opozita e Bashkuar propozon si zgjidhje optimale dhe të dëshiruar, që financimi i partive politike dhe ai për zgjedhjet të jetë 100% nga buxheti i shtetit me qëllim shmangien e financimeve private nga burime të dyshimta apo legale.
  1. Opozita e Bashkuar propozon kriminalizimin e financimeve private, gjë që kërkon insitucione të forta investiguuese. Në pritje të ngritjes dhe funksionimit të plotë të SPAK dhe BKH, opozita është e hapur të pranojë zgjidhje alternative të modeleve të financimit. Ato mund të variojnë nga preferenca jonë – zero financime private - në zgjidhje që tolerojnë financimin privat në një masë që nuk kalon masën e financimit që partitë marrin nga Buxheti i Shtetit.
  1. Përzgjedhja e ekspertëve kontabël duhet të jetë e detyrueshme për ekspertët që përcaktohen për të kryer ekspertimin. Refuzimi për të kryer ekspertimin duhet të përfshijë penalitete të forta. Një alternativë mund të jetë adoptimi i sistemit të verifikimit të ndërsjelltë të shpenzimeve të deklaruara nëpërmjet auditëve të caktuar nga partitë politike të cilët auditojnë subjektin politik rival (peer revieë) duke garantuar një auditim të ndërsjelltë të besueshëm.
  1. Duhet ashpërsuar korniza ligjore që pengon financimin nga subjekte që kanë përfituar nga fonde publike nëpërmjet tenderave dhe koncensioneve, si dhe duhet të ndalohet përfitimi i tenderave apo koncensioneve për një kohë të përcaktuar, nga kompani që kanë financuar partitë politike dhe kandidatët.
  1. Duhet rregulluar në mënyrë strikte përfitimi i donacioneve në natyrë dhe shërbime apo favore nga partitë politike, kandidatët apo edhe institucionet shtetërore. Lista e donatorëve, shifra e donacionit ose shifra e përllogaritur e një donacioni në natyrë ose shërbime për institucionet shtetërore duhet bërë publike.
  1. Me qëllim uljen e kostove të fushatave, ligji duhet të vendosë kufizime të detajuara për tipologjitë e caktuara të aktiviteteve dhe infrastrukturës së përdorur apo mjeteve të propagandës.

-  Duhet kufizuar numri i zyrave elektorale në raport me popullsinë apo numrin e qendrave të votimit.

-  Duhet kufizuar numri i billbordeve posterave, banerave apo flamujve të përdorur nga një subjekt.

-  Duhen vendosur kufizime strikte për kohën totale dhe numrin e reklamave zgjedhore për çdo subjekt.

-  Duhet të përcaktohet ligjërisht dhe të unifikohet kostoja e nje reklame.

-  Duhen vendosur mekanizma që kostoja e reklamave të mos jetë e pagueshme drejtpërdrejtë, por të jetë e zbritshme nga detyrimet që i kanë shtetit transmetuesit televizivë dhe radiofonikë.

-  Duhet të kufizohet numri i aktiviteteve që transmetohen live apo në çdo formë tjetër dhe që përfshin kosto për transmetim mediatik.

-  Subjektet duhet të regjistrojnë në KQZ kontratat për konsulencë zgjedhore apo për marrëdhëniet me publikun dhe të deklarojnë kostot përkatëse.

  1. Duhet ngritur një sistem i pavarur verifikimi i lëvizjeve financiare të korporatave për një periudhë përpara dhe pas procesit zgjedhor. Subjektet e përfaqësuara në KQZ duhet të kenë mundësi të mbikqyrin levizjet financiare dhe bankare që raportohen në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
  1. Ligji duhet të parashikojë sanksione të ashpra, përfshirë sanksione penale për deklarime të pasakta apo të rreme në lidhje financimin dhe shpenzimet politike. Deklarimi i rremë i shpenzimeve duhet të passjellë humbjen e mandatit të zgjedhur dhe ndjekjen penale.
  1. Duhet të rishikohet dhe forcohet korniza ligjore lidhur me raportimin mediatik të politikës në përgjithësi dhe, veçanërisht, të pasqyrimit të fushatave zgjedhore për të shmangur çdo formë çensurë.
Login to post comments