Një nga të përditshmet më të mëdha në Francë, Le Figaro, shkruan se në Londër është mbajtur një konferencë, ku drejtuesit e disa vendeve, mes tyre edhe Edi Rama i Shqipërisë, kanë premtuar ‘pasaporta të arta’ përkundrejt një shume prej 100 mijë eurosh.
Gazeta shkruan se praktika e këtyre pasaportave është thellësisht e kritikuar nga Komisioni Europian.
Objektivi i konferencës në Londër ishte ‘ofrimi i pasaportave të arta për super-të pasurit, në këmbim të investimeve’.
Por gazeta thotë se këto pasaporta janë si një leje-kalim për afera të errëta.
Zëvendëspresidentja e re e KE, Vera Jourova thotë se rreziku është i madh pasi njerëzit që marrin këto pasaporta, do të mund të lëvizin lirshëm në BE. “Nuk duam të kthehemi në parajsë të kriminelëve, të korrupsionit dhe pastrimit të parave,” tha ajo.
Të pranishëm në konferencën e organizuar në Londër ishin kryeministrat e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Santa Luçias.
Komisioni Europian thotë se është i shqetësuar nga të tilla skema, pasi nuk i kontrollon dot.