Fuga: Gjykata Kushtetuese të mos përzihet me politikën

E mërkurë, 20 November 2019 22:13

Akademiku Artan Fuga i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se për Gjykatën Kushtetuese kemi përplasje të fortë mes palëve.

Fuga ka theksuar se çështja e Gjykatës Kushtetuese duhet të mos përzihet me politikën.

“Ka rënë teza që ligjet janë të mira. Më në fund politikanët shqiptarë, unë i kam dëgjuar këta ditë dhe kanë arritur në idenë që jo, nuk kemi ligje të mira. Kemi shumë prova, por prova më e madhe është se ligjet që kanë të bëjnë me rregullimin e gjykatave në Shqipëri në 2016 janë përmbysur janë përmbysur plotësisht, është përmbysur plotësisht Kushtetuta. Që do të thotë ose ligjet kanë qenë të mira e ky rregullim është i keq, ose ligjet kanë qenë të këqija, të pamjaftueshme dhe prandaj është reformuar. Nga kjo pikëpamje, tipa si puna ime që kemi 20 vjet që themi, jo ligjet janë të këqija. Një ligj i mirë nuk lejon të implementohet keq. Një ligj i mirë përmban mundësinë që të mos keqimplementohet. Ndërsa një ligj që mbetet përgjysmë, e lë individin që në lirinë e vet arbitrare të bëjë ç’të dojë, në fushat që janë të parregulluara.

Dalim tek çështja që iu thoni. Nuk i kam elementet për të thënë se kush ka të drejtë e kush jo. Unë besoj se jemi në një situatë që parimisht mund të ishte pozitive. Pse? Sepse Gjykata Kushtetuese është konceptuar se do të formohet nga një kompromis midis Kuvendit, Presidentit, riprodhimit të vetë Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimit që do të vijë nga trupa e gjykatësve, sikundër edhe nga Gjykata e Lartë. Nga kjo pikëpamje, një kompromis është shumë i mirë. Mirëpo, kërkon vullnet për kompromis. Në momentin që aktorët që janë aty kërkojnë të eliminojnë njëri – tjetrin, pra Kuvendi kërkon ta shkarkojë Presidentin dhe Presidenti i Republikës i thotë Kuvendit që me zgjedhjet që u bëmë më datë 30 qershor normalisht keni shkelur ligjin, pra e eliminon Kuvendin, në një mënyrë të caktuar, atëherë ky kompromis nuk bëhet, por hidhet në erë kjo situatë. Unë nuk gjej dot këtu s kush ka të drejtë e kush jo, por di se kuadri juridik dhe politik në të cilin ata janë vendosur, prodhon një konflikt që nuk zgjidhet. Kam edhe më tepër. Presidentit i thuhet se nga tre do të zgjedhësh një, por nëse unë të vendos tre, në daç Kuvendit, në daç Presidentit, tre që dua unë dhe ti do zgjedhësh nga këta të tre, vullneti yt në përzgjedhje ka mbaruar. Prandaj insistoj se duhet një debat, profesionalizëm, ku në thelb të thuhet se e shkruara është shpirti i kësaj shoqërie dhe jo interpretimi politik para mikrofonit, apo sipas dëshirës. Ne sot jemi në një raport mes politikës, të shkruarës, ligjit që ka boshllëqe të papara, që interpretohet në mënyrën më të lirë të mundshme.

Prandaj, nuk jam në gjendje të them nëse duhet ndjekur parimi një, një , një, pra të ndiqet radha që njëherë zgjedh presidenti, më pas Kuvendi e më vonë Gjykata e Lartë, pastaj fillon prapë dhe a është kështu kur ka më shumë se dy vakanca, tre vakanca, katër vakanca. Këtë ligji, në interpretimin gjuhësor, gramatik, logjik nuk e jep. Unë e shikoj ftohtë dhe them se këtu ka një boshllëk. Ky boshllëk bën që të lindë përplasja. Do përplasen sepse Presidenti nuk mund të pranojë që në një boshllëk Kuvendi që do ta shkarkojë ta interpretojë në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të nxjerrë atje ata njerëz, të cilët atë e shkarkojnë. Nga ana tjetër, edhe Kuvendi e ka të vështirë që të aplikojë një ligj, të interpretuar në atë mënyrë që në Gjykatën Kushtetuese të shkojnë ata gjyqtarë, që t;i thonë Kuvendit shiko me zgjedhjet e ke gabim, me datën e zgjedhjeve gabim, me KQZ shkelje ligji, Kjo rrëzon tërë sistemin. Pra jemi në një situatë konflikti, por zgjidhje ka”, tha Fuga

Artan Fuga thekson se po ngrihet iluzioni sikur nëntë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese do të na rregullojnë gjithçka.

“Nuk duhet që të kemi 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët besohet gabimisht se me shkopin magjik do japin drejtësinë dhe gjithë shoqëria do i besojë e gjithë konflikti do të zgjidhet. Nuk ëhstë ky modeli i shoqërisë të së drejtës dhe demokratike. Unë mendoj se ky iluzion duhet hequr. Krijimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i rëndësishëm, por bëhet në një kontekst që nuk është adekuat, nuk ëhstë konteksti i mirë për të bërë një zgjidhje të ftohtë, të paanshme dhe jashtë interesimit. Dihet që një vendim gjykate apo një vendim-marrje që ka të bëjë më konstetuimit e një gjykate, gjëja e parë që kërkohet është që palët të jenë të painteresuara për një çështje konkrete. Në këtë përplasje të fortë politike, këtu ndërmjetësit bëhen anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë se kjo GJK që në fillim, minimalja, ajo mund ta kurojë më vonë, por nuk ka besueshmërinë në sytë e publikut.”, deklaroi Fuga.

Për akademik Artan Fugën, ligjet aktuale në Shqipëri kanë probleme. Ai shton se sërish beson se Republika do ia dalë.

“Unë them që Republika do ia dalë. Qëndroj pozitiv e them se Republika ia del. Ia del, por duhen parë gjërat në rrënjë. Rrënja, e para e punës është që të bëhen ligjet e mira. Në mendimin tim, problemi i shoqërisë shqiptare me ligjet ka filluar aty nga vitet 1966 – 1967. Në këto vite kemi lëvizje revolucionare masash. Dhe, lëvizja revolucionare e masave u bë nën parullën “çfarë na duhen ligjet, pse t’i rregullojmë aq në detaje, sepse në fund të fundit rëndësi ka veprimi politik, veprimi i masave, veprimi i njeriut. U mor tërë korposi i ligjeve dhe u shpartallua. U shpartallua e nisi arbitrariteti e ajo që quhet në shtetin e së drejtës. Rreziku më i madh i shtetit të së drejtës është që vullneti i lirë i personit të mos jetë i rregulluar me ligj. Ligji bëhet për të mbrojtur delen nga ujku. Kjo do të thotë se ligjet i kemi të papërpunuara, me boshllëqe brenda të jashtëzakonshme dhe na vjen që nga 1966, bilës na vjen edhe më përpara. Pse ? Sepse kemi qenë shoqëri orale dhe nuk e njohim vulën e rëndë të së shkruarës.

Vula e rëndë e të shkuarës është ligji. Ne krijojmë lije me boshllëqe, sepse ligjet funksionojnë për shkak të cilësisë së Kuvendit që është ai që është dhe jep këto pasoja në tërë sistemin e së drejtës, sepse deputetët veprojnë në grup. Aty zëre se janë 3 veta se grupet funksionojnë në mënyrë monolitike. Koha e zgjatjes të shqyrtimit të një ligji është shumë e shkurtër. Kam parë ligje në Itali, Francë, Gjermani, që janë llahtarisht të përpunuara. Ne i nxjerrim si simitet. Nxirren si simite, krijohen boshllëqe, boshllëqet interpretohen në mënyra të ndryshme Gjykatë Kushtetuese s’ka, të gjitha ligjet po shkojnë në GJK. Kjo do të thotë se vendim-marrjen për gjithçka do e marrin këta 9 gjykatës Gjykatë Kushtetuese ne kemi parë në Europë, në SHBA, janë njerëz mbi 60 vjeç, njerëz me mjekër, i kanë hequr të gjitha egoizmat, kanë përballë tyre vetëm Zotin, drejtësinë e nderin e tyre Nuk po them se këta nuk kanë nder, por problemi është që do kenë mundësi që këta gjyqtarë, me këtë eksperiencë që kanë, me mosha të caktuara, pa një përballje si të thuash që t’iu jepte besueshmëri, të përballojnë tërë problematikën e politikës shqiptare këta, Mua më vjen keq për ata. Jam shumë i shqetësuar nëse do ia dalin dot apo jo. Pra duhen ligje të mira e të përpunuara mirë”, u shpreh Fuga.

Akademiku Artan Fuga vlerësoi se palët duhet të ulen në tryezë, kurse ka vlerësuar faktin që presidenti i Republikës po fton edhe palë politike.

“Për mua po, të dyja palët duhet të ulen. Unë e pëlqej faktin që z. president bën takime, meqenëse më thatë ju. Tregon se kërkon hapje. Unë si qytetar do të doja që hapjen ta bëjë më të madhe, të kërkojë takim me ata që bëjnë vendim-marrje politike. Ne jemi qytetarë, ne nuk na duhen sherret politike, ne duam të zgjidhim problemet. Bosi politik, sipas konceptit të Maks Veberit, kur e çon pikën e konfliktit deri atje sa sistemi mund të dalë komplet jashtë shinave. Unë mendoj se e vetmja rrugë është një dialog, një zgjidhje në mënyrën e konsensusit, Ne në shoqërinë shqiptare nuk e kemi akoma konceptin e konsensusit. Po të duan ka referenca europiane, amerikane, perëndimore sesi arrihet një konsensus, jo një kompromis i ndyrë në thonjëza.

Ky konsensus për mua konsiston që njëra nga të dyja çështjet duhet të lihet për më vonë. O zgjidhja e konfliktit politik shkarkim i presidentit – shpërndarje e parlamentit dhe të zgjidhet ky problem afatgjatë, strukturor që është gjyqësori, por duke e fshirë këtë gjë ose do kemi Gjykatë Kushtetuese që njërën palë do ta eliminojë. Politikani ka forcën, për ndryshe shkojmë ne atje. Politikani duhet të dijë të ngrihet se ka përgjegjësinë e kombit, ka përgjegjësinë e qytetarit. Ose duhet zgjidhur çështjua e gjykatës, ose të zgjidhim çështjen politike dhe të lëmë çështjen e Gjykatës Kushtetuese, e lëmë për më vonë. Të dyja bashkë nuk shkojnë”, deklaroi Fuga.

Login to post comments