Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka marrë pjesë në Meshën e Lutjes në Katedralen e "Shën Palit" në Tiranë.
"Mes dhembjes së pamatë sot në ditën e zisë kombëtare, i lutem Zotit me besim dhe shpresë për të shpëtuar jetën e cilitdo që gjendet ende nën rrënojat e tërmetit shkatërrimtar", shkruan Kryemadhi në postimin e saj.
Sipas saj, sot më shumë se kurrë duhet të gjejmë forcë dhe besim në Zot sepse tërmeti na ka vrarë të gjithëve.
"I lutem Zotit t’iu japë forcë dhe ngushëllim të gjithë atyre që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, që ta përballojnë dhembjen e madhe.
Sot më shumë se kurrë duhet të gjejmë forcë me besim në Zot dhe me dashuri pranë njëri-tjetrit, sepse tërmeti na ka vrarë të gjithëve, por forca e dashurisë për njëri-tjetrin na bën më të fortë!
I lutem Zotit t'i japë forcë dhe arsye qeverisë, që të kuptojë se shërbimi ndaj të gjithë njerëzve të prekur nga pasojat e tërmetit, është më i rëndësishëm se fjalimet dhe shfaqjet mediatike.
Solidariteti dhe dashuria është forca jonë!", shprehet kryetarja e LSI.
Pamjet nga Mesha e Lutjes në Katedralen e Shën Palit, Tiranë.