KRENARINË E 28 NËNTORIT NUK E PLAGOSI TËRMETI, PREJ TJETËRKUND I ERDHI GODITJA

E mërkurë, 27 November 2019 18:15

Nga Ilir NIkolla

Kremtimet e Ditës së Flamurit nuk po i prish vetëm tërmeti. Në fakt prej vitesh, festimet për ditën më të rëndësishme të kombit janë shndërruar në një parade krenarie nga emigrantët tanë në Nju-Jork e në metropolet e tjera të Perëndimit, krejt në kundërshtim me një gjendje të përgjithshme padurimi e sikleti që mbizotëron ditët e fundit të nëntoreve në Shqipëri. Që prej kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, të parat festime, të cilat tërhoqën vëmendjen e të gjithë botës drejt “krenarisë me qenë shqiptar”, vit pas viti, shohim se në Shqipëri, qytetarët gjithmonë e më vështirë po e shfaqin “proude to be albanian”. Në vend të krenarisë, në Tiranë e gjetkë, vendin e festimeve e ka zënë debati nëse do bëhet më mirë vitin tjetër, nëse do largohet reja e zezë e kthimit të vizave për shqiptarët dhe nëse do të ketë ndonjëherë stabilitet e siguri në Shqipërinë Londineze. Në Vlorë, Dita e Flamurit shkartiset me shifrat e të rinjve që po ha lufta e kanabisit, në Shkodër, Dita e Flamurit është më së shumti një ditë thirrjesh për rezistencë ndaj qeverisë antishkodrane, antikatolike e në përgjithësi antiveriore të Tiranës, kurse Korça e Gjirokastra e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm të metropoleve të patriotizmit dhe në vend të tyre, spikasin për epikurianizmin e shtyrjes së ditëve.
Nuk është tërmeti që po na pengon të festojmë. Prej vitesh festën na e ka kthyer në brengë tjetërkush. Ky shndërrim ka sjellë një depresion kolektiv, sepse edhe të zezat kanë dalë mbi ujë dhe s’ka asnjë propagandë që i mbulon. Siç thotë akademik Artan Fuga, Shqipëria s’ka më arsim kombëtar e as kërkim shkencor, siç thotë shkrimtari Kim Mehmeti, Shqipëria s’ka më rini, e siç parashikon kobshëm për Shqipërinë aktori e poeti i pashoq Çun Lajçi, “se tutemi po vdes, e rrajë jetimash mbesim”.
Kjo duhmë dëshpërimi është e re, asaj as i dukej fara vitit optimist të 100-vjetorit të pavarësisë. E pra, prej asaj kohe s’ka rrjedhur një epokë gjeologjike, veçse ka kaluar ama një inkuizicion qeveritar që rrënoi me rrënjë e me degë pavarësinë e universiteteve, shkatërroi biznesin e vogël e mijëra vende të reja pune dhe vrau njëherë e mirë ëndrrën e çdo të riu për t’ja dalë mbanë me dijen e me djersën e vet. Interesat e duhmë-shpërndarësve dihen, të monopolizojnë gjithçka në xhepin e oligarkut, edhe me koston e shpopullimit, e siç po del tani, edhe me koston e shitjes së do trojeve që na i lanë trashëgim stërgjyshërit.
Prej 2013-s, të jesh shqiptar, ta thërrasësh me zë të lartë atë, është bërë më e thjeshtë në Perëndim sesa në Tiranë. Shqipërisë ja vodhën Ditën e Flamurit, ja rrënuan festën kombëtare, dhe për këtë s’e ka fajin tërmeti. Bërja fajtor e tërmetit është një variacion mbi temën “Fajin e ka Saliu”, që kemi tash 6-7 vjet që e dëgjojmë, e që në ndërkohë, pat marrë edhe format “fajin e ka opozita” si dhe “fajin e ka Macron”.
Ku mbërrin dora e qeverisë, këtë vit nuk ka krenari 28 nëntori, dhe fajin për këtë s’na e ka tërmeti. Tërmeti ka ciklin e vet dhe urgjencën e vet. Asnjë mallkim s’i ka rënë Shqipërisë, përveç mallkimit të zi, që një qeveri duhmë-shpërndarëse po e qeveris racionalisht keq, arsyeshëm keq, me mendje e me zemër të zezë tek vjedhja, prandaj edhe kjo arsye duket si më i madhi mallkim.
28 nëntori po shndërrohet në një festë të diasporës, për shkak se është akoma festa e atyre shqiptarëve ku fatmirësisht s’mbërrin dot dora e Tiranës zyrtare, dhe bëhet përditë e më “proude to be albanian” në diasporë, sepse është dëshmi e asaj që e thonë historianët, dëshmi e ashtit të mbijetesës. Për ta thënë me gjuhën e një ekuacioni të arsyeshëm, sa më e zezë duhma e qeverisë së Tiranës, aq më e fortë krenaria shqiptare e atyre që i kanë shpëtuar kësaj reje mbytëse.
Sivjet qëlloi tërmeti. Makina e propagandës enveristo-gebëlsiane mund t’i thotë sot Ramës të thotë shprehjen “tërmeti tundi detin, po jo zemrat e shqiptarëve” (në fakt, një variacion e kishin postuar dje në faqen e internetit të mikut të Ramës, Vitorio Sgarbi, nën diçiturën “thënie popullore shqiptare”), por asgjë s’e shpëlan e s’e ngushëllon dot pushtetin e tij. 28 nëntori është shndërruar në festën perëndimore të diasporës dhe prej andej do të vijë edhe profilaksia për pjesën e mbetur nën qeverimin toksik të Tiranës.

Modifikuar më E Enjte, 28 November 2019 11:11
Login to post comments