Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu teksa kujton dhjetorin e vitit 1990, përmes një statusi në Facebook, shprehet se Shqipëria ka nevojë për një “dhjetor të ri”. Përndryshe, sipas Shehut, “shembujt tragjikë të së kaluarës sonë, që vazhdojnë të na kërcënojnë me fantazmat e tyre, rrezikojnë të kthehen përsëri në realitete asgjësuese për ne”.
Postimi i plotë i Shehut
Imperativi për një “Dhjetor” te ri.
Duke kujtuar ato ditë madhore të historisë sonë sot të zhytur në autokraci, në diktatin, varfërinë e arrogancën e saj, që për hir të pushtetit kërkon ta kthejë Shqipërinë tonë përsëri drejt Lindjes, qartësimi i ideve e i konkluzioneve për të ndalur rënien tonë në humnerë është një domosdoshmëri për cilindo prej nesh, pjesëmarrës të asaj levizje të madhe, apo të tjerë, kushdo qoftë.
Dhe mbi çdo analizë, mbi eksperiencën tonë të asaj levizje mbarëpopullore, mbi atë çfarë na sjell apo mëson historia jonë, del vetëm një konkluzion:
Shqipëria ka nevojë për një Dhjetor të Ri!
Përndryshe shembujt tragjikë të së kaluarës sonë, që vazhdojnë të na kërcënojnë me fantazmat e tyre, rrezikojnë të kthehen përsëri në realitete asgjësuese për ne.
Dhe ateherë do të jetë shumë vonë, rivendosja e demokracisë dhe e drejtimit tonë Perëndimor do të na kërkojë një çmim shumë herë më të lartë se sa sot.