Shndërrimi i Ramës pas tërmetit dhe dialogu me opozitën

Diel, 08 December 2019 13:50

FITIM ZEKTHI 

Me shumë kujdes, për vite me radhë Edi Rama është përpjekur të ndërtojë një portret të një politikani që vjen nga arti, që është i kulturuar, që ka finesë dhe është qytetar. Kjo gjë është bërë me këmbëngulje nga ai vetë, nga media dhe nga njerëz të tij për më shumë se dy dekada. Ky investim i pazakontë për ta paraqitur Ramën një njeri të tillë, është lëkundur herë pas here rrugës, për shkak të veprimeve të vetë Ramës, por pa e rrëzuar plotësisht këtë portret për një pjesë të shoqërisë.

Këto ditë shumë të dhimbshme, në të cilat Shqipëria u trondit nga tërmeti, zbuluan plotësisht paaftësinë dhe papërgatitjen e plotë të qeverisë shqiptare, zbuluan mosekzistencën e kapaciteteve për të përballuar pasojat. Këto ditë treguan një qeveri që thuajse ka falimentuar dhe një popull të mjerë. Këto ditë treguan se në shtatë vite “ne bëjmë shtet”, nuk është menduar kurrë për njerëzit dhe për ditë si kjo.

Kryeministri Rama e kuptoi menjëherë se projekti i tij afatgjatë për të qëndruar në politikë, për të fituar një mandat të tretë, të katërt e me radhë, u rrëzua bashkë me tërmetin. Ai e dinte me kohë se ishte në krizë të thellë politike dhe ekonomike, ai e dinte me kohë se njerëzit nuk ishin me të, ai e dinte me kohë se mjerimi dhe papunësia ishin të larta, ai e dinte me kohë se zhdukja e kufijve mes pushtetit politik dhe krimit dhe thirrja e krimit në politikë do të sillte vështirësi të mëdha, por ai gjithsesi shpresonte.

Ai kishte plane, po përpiqej të merrte nën kontroll drejtësinë, po përpiqej të mbante gjallë me gjithçka luftën ndaj opozitës dhe fuqizimin e narrativës se ajo është “faji i të gjithave”, po përpiqej të luante me segmente servile diplomatësh të huaj. Ai shpresonte ende se mund të blinte aq vota sa të fitonte një mandat tjetër, ai shpresonte se mund të vazhdonte të fliste ende për zhvillim ekonomik, për “rilindjen urbane”, për dokrra të ndryshme në ekonomi sa për të kaluar edhe një palë zgjedhje.

Tërmeti i shkatërroi gjithçka. I shkatërroi gjithçka, sepse ai tashmë duhet të përballet me hallet në terren të njerëzve pa shtëpi, i duhet të përballet me hallet në terren të atyre që janë në çadra, që nuk dinë ku të shkojnë etj. I duhet të gjejë para për këtë gjë. Por ai nuk ka para as për paga dhe as për pensione. Dhe ai është përgjegjësi i vetëm për këtë gjendje. Nëse në këto shtatë vite do të ishte bërë diçka për të balancuar borxhin, për të rritur ekonominë, për të fuqizuar sektorin privat nëpërmjet krijimit të një klime ekonomie të lirë, vendi do të kishte kapacitete të tjera. Në qoftë se në këto shtatë vite nuk do të ishin dhënë 2,3 miliardë euro koncesione, shumica e të cilave pa asnjë logjikë ekonomike, nëse në këto vite nuk do të ishte thelluar një frymë e tmerrshme klienteliste.

në ekonomi, në qoftë se në këto vite do të kishte punësim dhe politika që nxisin investimet private, në qoftë se këto vite trafiku i drogës dhe i hashashit nuk do të ishin fuqizuar, duke shkatërruar rendin dhe ligjin, atëherë qeveria dhe Kryeministri do të kishin të tjera kapacitete për të përballuar pasojat. Qeveria, në fakt, nuk ka lekë për të ndërtuar qoftë edhe një apartament.

Në këto kushte, Kryeministri, i cili e di se zemërimi i njerëzve do të bjerë patjetër mbi të, në këto kushte kur Kryeministri e di se do të duhet të shkurtojë buxhetin për investime publike që janë jetike, duke rritur edhe më zemërimin e njerëzve, ka zgjedhur të ndryshojë plotësisht taktikë. Ai deri më tani ishte përpjekur që mjerimin dhe gjendjen e rëndë të njerëzve ta “menaxhonte” me propagandë, me luftë politike, duke i lënë të largohen etj. Tashmë është një gjendje tjetër dhe ai, Rama, nuk ka para.

Teoritë bazë në sociologji thonë se situatat u japin mundësi njerëzve të tregojnë atë që janë. Pra, situatat nuk i ndryshojnë ata, por thjesht u japin mundësinë të shfaqin një anë, që në kushte të tjera nuk e shfaqin. Kështu që, taktika e re e Kryeministrit, në thelb, është diçka që tregon atë vetë.

Cila është kjo taktikë e re? Në ndryshim nga më shumë se dy dekada, në të cilat ai investoi fuqimisht të shfaqet si një njeri i kulturës, i qytetarisë apo i civilitetit, këto ditë pas tërmetit, po shfaqet një njeri brutal, i pakulturuar dhe vulgar. Siç e thamë, edhe më herët ka pasur shenja të tilla, por tashmë ai e ka lëshuar plotësisht veten në këtë tipologji të “re”.

Ai tashmë është i bindur se vetëm duke iu drejtuar instinkteve të një pjese të shoqërisë, herë duke u vetëviktimizuar dhe herë duke e dhunuar këtë pjesë të shoqërisë apo të gjithën, ai mund t’ia dalë t’i zhysë ata në një qerthull sadomazohizmi, në të cilin dhunuesi të shihet si i mirë apo edhe si shpëtimtar.

Rama do të donte të rrinte në pushtet si një njeri që ndryshoi Shqipërinë dhe e bëri atë një vend demokratik dhe mundësisht anëtar të BEsë. Rama do të donte të ishte njeriu i adhuruar për arritjet e mëdha në ekonomi, kulturë, sport, arsim etj. Rama do të donte të rrinte në pushtet si një artist i hollë, që i dha fund një periudhe të keqe 30-vjeçare dhe që u bë transformuesi i madh i vendit të vet.

Rama, duke dështuar plotësisht, duke mos qenë i tillë, duke mos bërë asgjë për ekonominë dhe ligjin, arsimin dhe rendin, ndërtimin, integrimin dhe kulturën etj., kishte zgjedhur të qëndronte në pushtet si një artist që ka talente politike, që ia hedh si në shah të gjithëve, që është më i miri mes të tjerëve, që bën lojëra të holla me diplomatët, që është mjeshtër në propagandë, që mund të gënjejë pa problem popullin sikur po zhvillon ekonominë dhe po vendos sundimin e ligjit etj. Edhe në rolin e parë, edhe në rolin e dytë, Rama duhet të ishte artisti dhe njeriu i kulturuar. Të dyja rolet tashmë janë të pamundura. Vjen një moment që duhet të kthehesh tek ajo që je. Nuk ka propagandë që mbulon të vërtetën. Në rolin e tanishëm (ai ku luhet vetvetja e vërtetë) duhet të jetë brutali, i pakulturuari, arroganti, fyesi etj. E ka zgjedhur këtë rol, sepse i mundëson të mos mbajë përgjegjësi, përgjegjësi që do të vijnë duke u thelluar. Gjendja në terren është e rëndë dhe ai nuk ka çfarë t’u bëjë asgjë njerëzve. E ka zgjedhur këtë rol, se ky rol i jep mundësinë të vetëviktimizohet në një shkallë gati të plotë dhe të shfaqet (duke ia legjitimuar arrogancën) si i vetmi individ në Shqipëri, që ka vetëm hallin e njerëzve dhe nuk pyet për askënd dhe asgjë tjetër. Ky është lloji i ri i propagandës së tij.

Prandaj, Rama iu drejtua në mënyrë krejt banale një gruaje që po i ankohej, duke i thënë ik zhduku. Prandaj Rama iu bërtet edhe qenve, duke iu thënë pushoni. Prandaj Rama iu drejtua dikujt që i tha se kishte një mëzat për punë… se: mëzati jot është më i dëgjueshëm, sesa mëzetërit që kam unë poshtë. Prandaj Rama ndërpret këdo nga hallexhinjtë që ankohen, prandaj Rama në mënyrën më banale rri gjithë ditën në televizor dhe flet e shan, qesëndis dhe bërtet, prandaj Rama kërcënon në mënyrën më banale, prandaj Rama në mënyrën më banale iu drejtua disa njerëzve se kush do t’i shpëtonte ata po të kishte vdekur ai. Prandaj Rama i quan mediat qenef. Shkalla e harbutërisë dhe e vulgaritetit nuk ka më asnjë kufi.

Joseph Goebels, ministri nazist i propagandës, tha në një rast se kur dëgjonte fjalën kulturë, i shkonte dora te revolveri. Ai e tha këtë duke argumentuar se kultura nuk është një formë e lartë virtyti. Për politikanë si Goebels, politika është luftë dhe lufta është ferr. Në këtë kuptim, kultura është një formë çarmatimi, është një formë kufizimi. Në fakt, për Ramën tashmë nuk mund të ketë më asnjë çarmatim dhe asnjë kufizim. Ai nuk ka asnjë rrugë për të qëndruar në politikë, veç kësaj sjelljeje krejtësisht vulgare, banale, konfliktuale.

Mendjet totalitare, politikanët në regjime të tilla, e kanë të domosdoshme këtë shfrenim drejt vulgares, pasi objektivi i politikës për ta nuk është e mira e përbashkët e shoqërisë apo ndërtimi i koalicioneve me njerëzit dhe faktorët e tjerë politikë. Peter Vehner, studiues dhe politikan që ka shërbyer në tri administrata në SHBA, thotë në librin “Vdekja e Politikës …” se kultura ose civiliteti ka një rol qendror në mbajtjen në këmbë të qytetarisë. “Civiliteti, – thotë ai, – është forca e fuqishme që bën të mundur kohezionin mes njerëzve dhe politikës”. “Kur civiliteti shkatërrohet ose zhduket, – thotë, – gjithçka bëhet fushëbetejë, konflikt dhe justifikim për zullumin. Edhe familjet edhe komuniteti, edhe institucionet çahen, shkatërrohen”.

Në fakt, kjo sjellje kaq vulgare dhe ky komunikim kaq brutal dhe banal i Kryeministrit zbulon edhe se sa mashtruese është kërkesa e tij që të takohet dhe të bisedojë me kryetarin e opozitës për të ndërtuar një klimë të gjerë solidariteti. Sjellja dhe gjuha e tij, siç thotë Vehner, ka për qëllim shndërrimin e politikës në fushëbetejë, në konflikt, të shkatërrojë institucionet sociale dhe politike. Kjo mungesë civiliteti te Rama është siç thotë Vehner edhe justifikim për zullumet. Kjo i mundëson të mos mbajë përgjegjësi apo të mos japë llogari. “Gjithashtu, kultura dhe civiliteti, – thotë Vehner, – është edhe dëshmi e shprehjes së respektit që qeniet njerëzore kanë për njëri-tjetrin, duke pasur parasysh se çdo qenie është një krijim i Zotit dhe respekti për çdo krijim të Tijin është detyrë”. Rama nuk ka lidhje fare me këtë pikë, pasi është një njeri me bindje të forta antifetare dhe nuk e ka ndërtuar botëpamjen e vet nga ideja se Zoti ekziston.

“Së treti, civiliteti, – thotë Vehner, – krijon mundësinë që të dëgjohet tjetri, që të pranohet fakti se kushdo është i kufizuar dhe mund të jetë gabim dhe tjetri mund të jetë në të drejtën. Rama, duke qenë krejtësisht vulgar dhe pa asnjë lloj civiliteti zbulon me këtë rast se e ka kot, sa për sy e faqe, kërkesën për të marrë parasysh propozimet e PD-së në një tryezë diskutimi. –”Ekzistenca e civilitetit është kusht bazë për të marrë në konsideratë mendimin e tjetrit”, thotë Vehner. Ndërkohë që duhet thënë se opozita dhe kryetari i saj, jo vetëm nuk kanë asnjë grimë shkas për këtë sjellje vulgare dhe të pakulturë të Ramës, por përkundrazi, kryetari i saj, Basha, ka shfaqur një sjellje për t’u admiruar dhe një civilitet që rrallë është parë në Shqipëri. Kështu, për këtë sjellje të Ramës, shkak është vetë Rama, është thjesht ajo që ai është.

Modifikuar më Diel, 08 December 2019 13:57
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...