Berisha: Të shpallësh Gjendjen e Jashtëzakonshme pa patur një fond te veçantë, një tallje cinike dhe amorale

Tuesday, 17 December 2019 16:48

Ish-Kryeministri Sali Berisha i cilëson krim shtetëror viktimat që shkaktoi tërmeti tragjik i 26 Nëntorit.

Në një intervistë për Tv Klan, Berisha akuzon kryeministrin Rama si të papërgjegjshëm, jo vetëm për shpërfilljen që i bëri paralajmërimit të bërë nga Presidenti Ilir Meta, por edhe për menaxhimin e situatës post-tërmet.

Sipas ish-kryeministrit, shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është një tallje në një kohë kur flet për mungesën e fondit të rezervës prej 1.4 miliardë lekë, që sipas tij nuk është vënë në dispozicion nga qeveria për të prekurit nga tërmeti.

“Nuk ka Gjendje të Jashtëzakonshme pa fond të veçantë për gjendjen e jashtëzakonshme. Të shpallësh Gjendjen e Jashtëzakonshme pa patur një fond te veçantë per gjendje të jashtëzakonshme dhe fatkeqësie natyrore, është një tallje cinike dhe amorale", thotë Berisha.

 

Sa i përket të arrestuarve për tërmetin, Berisha shprehet pesimist duke deklaruar se, nuk beson se në bankën të të akuzuarve Prokuroria do të çojë autorët e vërtetë që shkaktuan tragjedinë e 26 Nëntorit.

Ish-kryeministri Berisha tregon edhe kontributin që ai dhe familja e tij kanë dhënë për të prekurit nga tërmeti dhe arsyen pse nuk e ka bërë publike shumën.

“Unë dhe familja ime kemi dhëne kontributin tone. Nuk e kam bërë publike kontributin tim pasi ndihma nuk përflitet. Kam kontribuar me të ardhurat e mia të një muaji e gjysëm rroge pranë Kryqit te Kuq”, u shpreh Berisha.

Krahas tërmetit e shqetëson edhe nisma që maxhoranca pritet të kalojë për votim të mërkurën në seancë plenare e njohur si paketa antishpifje.

Berisha i njeh vetes meritën e dekriminalizimit të shpifjes në media, gjatë kohës kur ishte në pushtet dhe thotë se në vitet 2005-2013 qeveria e drejtuar prej tij ndaloi çdo padi ndaj gazetarëve.

Pjesë nga intervista e ish-kryeministrit:

 

Login to post comments