VIDEO/ Thirrja e fortë e deputetit: Në janar revolucion demokratik, gati të djeg mandatin

E mërkurë, 18 December 2019 18:09

Deputeti Lefter Maliqi nga foltorja e Kuvendit kërkoi që muaji janar të shpallet si muaji i revolucionit demokratik, ku të gjithë shqiptarët të bashkohen dhe të marrin në dorë fatet e tyre.
Maliqi tha se dita e sotme është ajo e fundit të demokracisë, pasi në 30 qershor u varros demokracia lokale me votimet mono-partiake.

Deputeti hodhi akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi një Sulltan.

“Kryeministri Edi Rama po vazhdon aktrimin qeveritar, herë duke puthur fëmije, herë duke u tallur me njerëzit.

Sot është dita e fundit e demokracisë. Sot ka vdekur demokracia e vërtetë, sot lind diktatura. Ndaj kam një thirrje për shqiptarët e ndershëm: në muajin janar duhet të shpallet muaji i revolucionit demokratik”, tha Maliqi.

Lidhur me tërmetin, deputeti tha se u arrestuan sardelet, ndërsa levreku dhe kaposhi rrinë buzë detit apo në malet e Krujës.

“Dëgjova sot këtu në Kuvend njërin që tha se gazetarët fyejnë deputetët.

Por nuk janë vetëm gazetarët që ju fyejnë, janë socialistët e ndershëm, janë demokratët, janë mjekët, studentët, artistët, sepse ju jeni deputetë të Sulltanit, i cili kapi Parlamentin.
Nëse ka deputetë të ndershëm dhe të pakapur në këtë sallë, atëherë duhet të çoheni dhe të largoheni nga kjo sallë kur të votohen ligji për anti-shpifje”, tha Maliqi, duke sjellë në vëmendje edhe dënimet për gazetarët, ku më i fundit ishte ai i dhënë sot nga gjyqtari Artan Gjermeni ndaj Jetmir Olldashit.

Në vijim, Maliqi theksoi se Rama ka kapur edhe drejtësinë, pasi nga vettingu i partisë po shikohet qartë se cilët janë gjyqtarët dhe prokurorët që largohen dhe cilët janë ato që po konfirmohen.

“Të dashur qytetarë, se unë ju drejtohem juve, këta vetëm gënjejnë se po të jenë të ndershëm, ato shtëpitë e shembura nga tërmeti ndërtohen për 5 muaj. Por çfarë bëjnë këto? Këto sot na thonë neve të votojmë edhe shtimin e një ministri, por me paratë që do jepen për këtë Ministrinë e re do ishin ndërtuar 10 apartamente.

Këtu ka 3 ministra socialistë që mund të bënin edhe rolin e ministrit të Rindërtimit, them se ka vetëm 3, pasi të tjerët kanë lidhje ose me Rilindjen ose me Sulltanin.

Ndaj ju qytetarë, socialistë të ndershëm, pensionistë që s’do merrni as shpërblimin e Vitit të Ri, demokratë, artistë, mjekë e student, ngrihuni në Janar për fatet e këtij vendi të mjerë, jo me dritat e ndezura, por ngrihuni dhe merrni fatet në dorë, duhet një bashkim i madh”, tha Maliqi.

Deputeti tha se do të bashkohej i pari me një protestë të tillë dhe do të dorëzonte mandatin e deputetit, pasi një Kuvend i tillë nuk ka më asnjë vlerë, kur populli është në mjerim dhe pasiguri.

Login to post comments