Aktivistja e Teatrit paraqitet në Polici/ Filmoi vjedhjen e ndihmave, policia e akuzon për shpifje dhe ndërhyrje në jetën private

E Enjte, 26 December 2019 15:32

Aktivistja dhe avokatja Ardiana Kalaja e cila pak javë më parë denoncoi me anë të nje video disa persona që po fusnin ndihma të mbledhura për të dëmtuarit nga tërmeti në ambientet e Ministrisë së Brendshme, çka u sqarua më pas nga kjo e fundit, ishte ditën e sotme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për të dhënë sqarime në lidhje me videon.

Kalaja u shpreh se kundrejt saj janë ngritur tre akuza, ndërkohë që ajo shprehet se nga ana tjetër policia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të hetuar në lidhje me denoncimin e saj.

“Drejtoria e Policisë ka bërë kallëzim penal, duke formuluar tre akuza: Akuza e parë është për shpifje, akuza e dytë është ndërhyrje në jetën private dhe akuza e tretë është mosbindje ndaj forcave të rendit.

Unë dhashë deklarimet e mia në lidhje me ngjarje. Më bën përshtypje se policia e Tiranës ngre akuza ndaj një veprimi timin si një qytetar i këtij vendi që kur sheh një veprim të dyshimtë bën denoncimin përkatës. Në këto momente policia e Tiranës nuk ka marrë asnjë hap për të hetuar se pse këto ndihma po shkarkoheshin në Ministrinë e Brendshme. Nuk më rezulton që ne të kemi bërë as akuza as shpifje. Unë bëj një veprim qytetar, që mendoj se i shërbej policisë dhe nga ana tjetër policia nuk bën asnjë hetim se pse ato ndihma shkarkoheshin në Ministrinë e Brendshme. Unë do pres ecurinë e hetimeve për sa kohë që respektoj ligjin, kam besim tek drejtësia. Sepse po të shihni akuzën e parë dhe të dytë është qesharake sepse aty vetëm shpifje nuk ka. Aty ka një video që kërkon që të sqarohet nga policia. Akuza e dytë është ndërhyrje në jetën private, unë kam filmuar në ambiente publike dhe nuk kam cënuar njeri në jetën private.
 

Në të dy rastet që ato janë paraqitur për të komunikuar me mua herën e parë u sollën në mënyrë ë njerzishme dhe herën e dytë u sollën me dhunë. Në asnjë moment nuk vijnë me një dokument zyrtar. Unë nuk mund të paraqitem për sa kohë që nuk ka një shkresë zyrtare, për tu paraqitur. Është një kaos total që policia nuk po di ti japë zgjidhje.”- u shpreh Kalaja.

Login to post comments