Rama i vërtetë dhe proçesi i mini-shengenit

Premte, 27 December 2019 12:05

Analizë nga Frank Shkreli, ish-drejtor i VOA-s, për Euro-Azinë: Kur Kryeministri i Shqipërisë fajësonte Diasporën Shqiptare në Amerikë për mungesë Platforme Strategjike Kombëtare. Cili është Rama i vërtetë, ai i vitit të kaluar apo ky i sotmi? Cila është strategjia kombëtare e platformës tuaj z.Kryeministër? Mbrojtja e kësaj marrëveshje me Beogradin, është një politikë e rrezikshme, e dëmshme dhe kërcënuese, që kërkon kufizimin e menjëhershëm të kompetencave të Kryeministrit. Diaspora e Nolit dhe e Konicës, ambasadorët e vërtetë në SHBA

Kur kryeministri i Shqipërisë fajësonte   Diasporën shqiptare në Amerikë për mungesë Platforme Strategjike Kombëtare

Nga Frank Shkreli

Duket se “minishengeni ballkanik” që po promovohet me entuziazëm nga Kryeministri i Shqipërisë dhe nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, e ka ngritur kaosin e rëndë të politikës kombëtare në një nivel tepër të rrezikshëm për interesat e Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve, në përgjithësi.  Kjo politikë e ndjekur nga Kryeministri Edi Rama, me të drejtë po kritikohet ashpër nga udhëheqësit dhe nga populli i Kosovës, por jo vetëm – si një politikë që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare, po vendos përsëri Beogradin në qendër të politikës ballkanike, si një “mini-jugosllavi e re” e cila i hap dyert edhe influencës ekonomike, politike dhe ushtarake të Moskës. Si përfundim i kësaj politike, të cilën Kryeministri Rama e rivërtetoi dhe e mbrojti me këmbëngulje edhe njëherë në mbledhjen e fundit të udhëheqësve të vendeve anëtare të “minishengenit” të ardhshëm ballkanik që u mbajt në Durrës – ngriti mospajtimin kombëtar midis shqiptarëve, në një nivel tepër të rrezikshëshm, sa nuk është parë ndonjëherë më parë.  Nuk jam i sigurt nëse vet Kryeministri Rama, qeveria e tij, ose mbështetësit e Kryeministrit shqiptar kudo qofshin ata, janë të vetdijshëm për rreziqet që paraqet një politikë e tillë për interesat politike, ekonomike dhe ushtarake afat shkurta dhe afat gjata, jo vetëm për Shqipërinë, por për Kombin shqiptar në përgjithësi.  Kjo politikë, nëqoftëse vërtet vazhdohet të mbrohet kështu deri në marrëveshje përfundimtare me Beogradin, është një politikë e rrezikshme, seriozisht e dëmshme, një kërcënim aktualisht i pranishëm, një politikë që urgjentisht duhet të bërtasë me të madhe për kufizimin e menjëhershëm të kompetencave të Kryeministrit për t’u marrë me këtë subjekt, në krye të vet, i vetëm, si një individ, pa u këshilluar me asnjë prej institucioneve të shtetit shqiptar, përfshirë parlamentin – ose e me udhëheqësit legjitim shqiptarë të Republikës së Kosovës për të gjetur një gjuhë dhe qëndrim të përbashkët, për një çështje kaq madhore për interesat kombëtare. Mungesa e këshillimeve në radhët e udhëheqësve shqiptar për një politikë aq me rëndësi për interesat kombëtare, jo vetëm është skandaloze, por mund të jetë edhe kriminale ndaj interesave kombëtare. Në shtator të vitit 2018, Kryeministri i Shqipërisë, (SHIKO ARTIKULLIN TIM MË POSHTË, BOTUAR më 24 Shtator, 2018), gjatë një interviste në programin televiziv të Blendi Fevziut, Z. Rama ngarkoi me faj diasporën shqiptare në Amerikë për mungesën e këshillimeve.  “Ku është diaspora shqiptare në Amerikë”, bëri ai një pyetje retorike, duke folur për lajmet e atëhershme për “ndryshim kufijsh” midis  Serbisë e Kosovës, gjë për të ciën pretendoi se ai nuk ishte këshilluar as informuar nga Prishtina zyrtare.  Një vit më parë, Kryeministri shqiptar bënte thirrje “për një proces”.  Ku është sot “procesi” për “minishengenin”, Z. Kryeministër?  Cili është Rama i vërtetë?   Ai i vitit të kaluar, a po ky i sodit?  Cila është strategjia kombëtare e platformës tuaj për “minishengenin” ballkanik, Z. Kryeministër” dhe ku janë këshillimet me institucionet përkatëse të dy shteteve shqiptare?  Z. Kryeminsitër, nuk është roli i diasporës shqiptare në Amerikë të përpilojë platforma strategjike kombëtare por e udhëheqësve politikë shqiptarë në të dy anët e kufirit, në konsultim me institucionet përkatëse qeveritare dhe shtetërore të bëjnë një gjë të tillë – sidomos për çështje me rëndësi siç është “minishengeni” ballkanik.  Fatkeqësisht, ju me këshilltarët tuaj po silleni “si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”, një akuzë kjo që ju ia drejtuat të tjerëve, një vit e ca më parë.

ÇKA PO NDODHË KËSHTU? KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE

Ka disa javë që flitet seriozisht tani për shkëmbime territoresh, ndreqje kufijsh, korrigjim ose për diçka krejtësisht tjetër, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, varësisht reagimeve se kush e thotë dhe kur e thotë.  Sot e kësaj dite askush nuk e di dhe askush nuk thotë se si dhe pse, ky subjekt filloi të diskutohej për herë të parë publikisht, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  Sot, jemi për shkëmbim territoresh, nesër për ndreqje kufijsh, ose diçka tjetër.  Kriza e parë e pas luftës në Kosovë, në nivel kombëtar, i gjen udhëheqësit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të papërgatitur, të zbuluar, krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror, se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjenden, pa asnjë ide dhe pa asnjë strategji politike-kombëtare se si duhet shkuar përpara.  Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa asnjë marrëveshje ose vizion të përbashkët se si duhet vazhduar.  Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht hesht.  E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare. Ekziston pra-një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën kombëtare, për sa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çështjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa dëgjojmë komentet e zyrtarëve të lartë shqiptarë në Prishtinë dhe në Kosovë, është e qartë se në radhët e tyre – në lidhje me këtë çështje – ekziston një hendek i madh, një pështjellim i madh idesh, pa rregull e pa organizim, një gjendje kaotike, të cilës nuk mund i gjendet filli. Kjo gjendje kaotike vihet re nga komunikimet dhe komentet e udhëheqësve të Kosovës, drejtuar prej së largu ndaj njëri tjetrit, mbi shkëmbimin e territoreve ose ndreqjen e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës – në një kohë, që ju siguroj, se Serbia është e bashkuar për ato që kërkon dhe çfarë pret si përfundim i këtij procesi, siç duket, i planifikuar mirë dhe i promovuar prej saj prej kohësh, pikërisht, në këtë moment – për qëllimet strategjike afatgjata të Beogradit dhe padronëve të tij rusë, në Kosovë dhe në Ballkan. Në këtë kaos politik kombëtar dhe konfuzioni, fatkeqësisht, bën pjesë edhe Tirana zyrtare, të pakën ky është mendimi im, pasi dëgjova pjesë të komenteve të Kryeministrit Edi Rama në emisionin televiziv shqiptar, “Opinion”, para disa ditësh, ku kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se nuk di “asgjë” për këtë çështje, kur u pyet nga gazetari, nëse kishte dijeni se ç’po ndodhte. Pyetjes, nëse “Presidenti Thaçi ju ka informuar për këtë çështje, Kryeministri Rama u përgjigj: “Jo. Kur them jo, them që nuk kam asnjë informacion të detajuar që të më vërë mua në pozicionin, që të kem një pamje të asaj që po zhvillohet dhe të bëj komente.”  Çështja e kufijve të Kosovës, tërësia e saj territoriale, pavarësia dhe sovraniteti i saj si shtet, janë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, e sidomos për Tiranën zyrtare. Është pak e çuditshme që udhëheqësi shqiptar shprehet, se nuk di gjë për këtë çështje, ndërkohë që përdor një mjet publik të informimit të komunikojë prej së largu në lidhje me këtë temë – ndonëse e vështirë dhe e ndërlikuar – me udhëheqësit e Kosovës, Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, në vend që të takohet me ta, me qëllim që të arrijnë në një qëndrim të përbashkët kombëtar midis tyre, në bashkërendim me aleatët perëndimorë të shqiptarëve, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë. Ndërkaq, nëpërmjet programit “Opinion”, Z. Rama u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që për këtë çështje të “krijojnë një proces”, përfshirë edhe një “konsultim me diasporën shqiptare në Amerikë”. “Tani pse nuk shkojnë ta pyesin diasporën shqiptare të Amerikës sot? Ku është diaspora shqiptare e Amerikës? Të gjithë ata kontributorë të pavarësisë së Kosovës, që lanë pasurinë për të blerë armë për Kosovën, sot janë viktima njësoj si ju, s’po fus veten time, që bëjnë diskutime dhe nuk kemi një proces. Ku janë njerëzit që merren me historinë? Që do të thotë, ne na duhet një proces”, është shprehur kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” në TV Klan. Më herët, Kryeministri Rama kishte pranuar me të drejtë në programin “Open” të televizionit Top Channel se,”Për dialogun Kosovë – Serbi mungon një platformë strategjike kombëtare”. Absolutisht e vërtetë, por kush duhet ta përpilojë këtë strategji, Z. Kryeministër? Kjo duhej të ishte bërë shumë më herët nga Prishtina dhe Tirana zyrtare dhe jo nga “Diaspora në Amerikë”. Ky nuk është roli i diasporës shqiptare, pasi falë nderës Zotit sot i kemi dy shtete shqiptare legjitime, të njohura ndërkombëtarisht, të cilat duhej të kishin përpiluar një strategji kombëtare me kohë, jo vetëm për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por për shumë çështje të interesit kombëtar. Udhëheqësit shqiptarë, në Tiranë dhe në Prishtinë– sipas orekseve të momentit – kanë deklaruar gjysmën e botës si vende strategjike të Shqipërisë dhe të Kosovës, por nuk kanë përpiluar një strategji kombëtare dhe ky nuk është faji i Diasporës shqiptaro-amerikane.

E vërtetë se Diaspora shqiptare e Amerikës, është këtu, Z. Kryeministër. Sot më pak e organizuar dhe më shumë e përçarë se kurrë, fatkeqësisht, falë edhe politikave zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe influencës së tyre në radhët e Diasporës këtu në Shtetet e Bashkuara. Ky proces për një strategji kombëtare për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin me të drejtë ju bëni thirrje dhe që është tepër i nevojshëm, nuk i takon Diasporës shqiptare në Amerikë që ta fillojë, por udhëheqësve legjitimë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët, falë votës së shqiptarëve, ua kanë besuar atyre fatin e Kombit. Ky moment historik, siç e cilësuat edhe ju Z. Kryeministër, kërkon një bashkim idesh dhe një qëndrim mbarë-shqiptar për bisedimet me Serbinë dhe jo vetëm, ashtu që të mos dukemi para botës, siç u shprehët edhe ju në programin Opinion”, “si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”. Është një fakt i njohur tanimë, se komuniteti shqiptaro-amerikan, historikisht, ka luajtur dhe duhet të luajë edhe sot rolin që i takon, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në trojet e veta, pranë enteve më të larta qeveritare dhe jo qeveritare, si dhe publikut dhe medias amerikane këtu në Shtetet e Bashkuara. Në të vërtetë, gjatë dekadave – atëherë kur shqiptaro-amerikanët konsideroheshin si “armiq” të Shqipërisë nga regjimi komunist enverist dhe kur Kosova pësoi të këqija e mundime nën fashizmin serb – ky komunitet ka luajtur rolin e ambasadorit më të mirë që mund të kishte kombi shqiptar, duke filluar nga Fan Noli e Faik Konica fillim shekullin e kaluar e deri në kohët moderne. Komuniteti shqiptaro-amerikan, e kishte të qartë misionin e vet gjatë shekullit të kaluar dhe në fillimin e këtij shekulli. Shembjen e komunizmit në Shqipëri, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga zgjedha shekullore serbe, duke siguruar mbështetjen amerikane për të drejtat e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në Ballkanin Perëndimor. Me vullnet të mirë dhe pa përzierje dhe ndërhyrje politike, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos brezi i ri, mund dhe duhet të riangazhohet përsëri në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, ashtu si në të kaluarën jo të largët. Edhe organizimi më efikas i Diasporës shqiptare në Amerikë dhe gjetiu duhet të jetë pjesë e një platforme strategjike kombëtare, që ka përmendur Z. Rama, por diaspora nuk i ka as mjetet, as njerëzit dhe as organizmin për të qenë një nismëtare e një procesi të tillë. Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerry, duke iu drejtuar përfaqësuesve të diasporës në Amerikë, tre vjet më parë, është shprehur se, “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtme më gjithëpërfshirëse. Komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi, ose krizë në vendet e tyre të lindjes dhe përfaqësuesit e diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”. Këtë fakt e kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër – para tij ose pas tij – Presidenti i parë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Në qoftë se Tirana dhe Prishtina zyrtare dëshirojnë të konsultohen për angazhimin e Diasporës për marrëdhënie më të mira me to, atëherë ndiqni shembullin e marrëdhënieve që gëzonte dikur Ibrahim Rugova me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me diasporën në Evropë. Dekadat e viteve ’80 dhe ’90, të shekullit të kaluar konsiderohen si periudha e artë e unitetit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth një kauze të shenjtë dhe një udhëheqësi që kishte besimin dhe respektin, jo vetëm të shqiptaro-amerikanëve pa dallim –por si rrjedhim – Presidenti Rugova siguroi shpejt edhe respektin e zyrtarëve më të lartë amerikanë – si simbol i bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth kauzës së Kosovës, pa dallime politike, fetare a krahinore. Gjatë krizës në Kosovë, influenca e komunitetit shqiptaro-amerikan në Uashington konsiderohej si më e fuqishmja pas Izraelit. Kjo, fatkeqësisht, nuk është më! Lobimi i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës në Uashington gjatë viteve ’80 dhe ’90, si dhe në fillim-shekullin e ri në të cilin jemi, është zëvendësuar tashti me pagesa jo transparente ose gjysmë transparente, prej qindra mijëra dollarësh, dhënë kompanive lobiste amerikane nga udhëheqësit qeveritarë e partiakë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, vetëm për të siguruar ndonjë fotografi individuale me ndonjërin prej presidentëve amerikanë, për t’u përdorur për qëllime elektorale në vend. Nevojitet pra një angazhim më i madh e më serioz se kaq, për një partneritet të vërtetë alla-Rugovian me Diasporën shqiptare, pasi përpjekjet e deritanishme për të organizuar më mirë Diasporën shqiptare në përgjithësi, kanë dështuar, me gjithë krijimin e Ministrive të Diasporës në Tiranë dhe në Prishtinë. Roli dhe angazhimi i Diasporës shqiptare, në Amerikë dhe në Evropë është jetik, sidomos në fushën e politikës së jashtme, jo vetëm për përforcimin e marrëdhënieve me shtetet mike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Aleancës Euro-Atlantike, por edhe për fatin dhe mirëvajtjen afatshkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Konsultimet e Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare me Diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara do të ishin në rregull, por Diaspora shqiptare në Amerikë nuk e ka shkaktuar kaosin aktual në politikën kombëtare shqiptare dhe nuk është e drejtë që tani t’i kërkohet asaj ndihmë që t’ia gjejë fillin. Dikur kjo Diasporë ishte shumë efektive në ekspozimin – para Washingtonit zyrtar dhe popullit amerikan – të krimeve dhe shkeljeve të drejtave të bashkëkombësve tanë, anë e mbanë trojeve shqiptare, nga fqinjët djallëzorë, por është tepër e vështirë për diasporën, që para miqve tanë amerikanë të drejtojmë gishtin e akuzës ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjendjes aktuale kaotike kombëtare e politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë dhe më gjerë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...