‘Në vitin 2020 do ketë fatin e Morales’/ Përse ky krahasim me Ramën

Saturday, 04 Janar 2020 15:46

Ish-kryeministri Sali Berisha, përsëriti në një tjetër postim online një krahasim të kryeministrit Edi Rama me ish-presidentin e Bolivisë, Evo Morales.

“2020- Morales i Shqipërisë, fatin e atij të Bolivisë! Narkodiktatorët një fund meritojnë!” shkruan Berisha.

Ai i referohet disa memeve, që e krahasojnë Ramën me diktatorin majtist të Bolivisë.

Por përse ky krahasim?

 

Deri në tetor të vitit të shkuar, gjërat dukeshin mirë për presidentin e Bolivisë. Pasi rrëzoi me një vendim të Gjykatës Kushtetuese limitin e mandateve për një president, ai fitoi sërish zgjedhjet.

Por organizata e vendeve amerikane, që monitoroi procesin, gjeti se zgjedhjet ishin të manipuluara. Pas kësaj nisën protestat dhe Morales u detyrua të braktiste vendin, duke ikur fillimisht drejt Meksikës.

Në vend priten të mbahen zgjedhje të reja presidenciale më 3 maj, me organe të reja të monitorimit zgjedhor.

Por nuk është vetëm kjo arsyeja se përse Berisha e bën këtë krahasim. Morales e nisi karrierën e tij politike si drejtues i një sindikate për rritësit e bimës së kokës. Në fakt, trafiku i kokainës u bë shkak për përplasjet e tij të vazhdueshme me amerikanët, sidomos me DEA-n.

Bolivia ishte një narko-shtet, por këtë etiketim e ka marrë edhe Shqipëria nga disa media të njohura si gazeta Bild apo revista Vice.

Morales vlerësohet se arriti të luftojë varfërinë në vend, por nga ana tjetër përqendroi shumë pushtet në duar. Pasi u largua nga vendi, ai foli për një grusht shteti ndaj tij, ndërsa ka premtuar se do të rikthehet më i fuqishëm.

Login to post comments