MARRËVESHJA I PËRKET 2019, VIJAT E KUQE TË SHBA I PËRKASIN 2020

Tuesday, 14 Janar 2020 18:00

Nga Ilir Nikolla

Marrëveshja e arritur sot për ngritjen e një Këshilli Politik, i cili praktikisht delegjitimon Kuvendin e Shqipërisë është fitorja e parë e rëndësishme e stinës së gjatë të protestave të 2019-s. Firma e sotme është një detyrë e lënë pas nga viti politik 2019 dhe mund t’ja atribuojmë rezultatin krejtësisht atij. Pra, 14 janari i sotëm është politikisht në vitin 2019, ndërkohë që vitit 2020 i mbetet 15 marsi dhe rrjedhojat e tij.
Në tekstin e marrëveshjes ka mjaft indicie që flasin për delegjitimimin e parlamentit dhe prania e negociuar në tekst e Damian Gjiknurit është me fjalë të tjera jo koncesion, por tregues i derexhesë ku ndodhet fuqia politike e Edi Ramës. Në tekstin e marrëveshjes për Këshillin Politik përmenden qartë parakushtet politike që ekzistonin, kur u ngrit Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, në fund të 2017-s, moment kur opozita politike kishte të drejtën e vetes, ishte bashkëthemeluese e komisionit ad-hoc dhe gëzonte të drejtën e vetos. Vendimmarrja e atëhershme ishte një vendimmarrje politike nga deputetë që gëzonin legjitimitetin - sado të cunguar - të të zgjedhurit nga procesi i 2017-s. Tashmë, me 14 janar të 2020-s, zombie-t e futur në Kuvend nga Pazari i Milotit, duhet të kalojnë përtej, nuk duhet të vijojnë të lëvrijnë të pakallur në skenën publike. Marrëveshja e 14 janarit e rregullon këtë handicap, duke ja kaluar legjitimitetin e reformës Tryezës Politike, pra të njëjtit vullnet që kishte ngritur komisionin ad-hoc në fund të 2017-s. Firma konfirmon disi edhe qendrimin publik të presidentit të republikës, i cili më shumë se një herë ka përsëritur se parlamenti ka vetëm 82 anëtarë legjitimë. Këtë konfirmim, me një përzgjedhje të ligë, Edi Rama e ka kundër-firmosur me Damian Gjiknurin, emrin - emblemë të kasaphanave zgjedhore shqiptare të 2016-s e 2017-s.
Marrëveshja e sotme është një vazhdim i kalendarit politik të 2019-s, fakt që në njëfarë mënyre Edi Rama, me një lapsus lingua e thotë edhe vetë edhe në reagimin e tij të parë. Tërmeti i 26 nëntorit ndoshta e shtyu disi axhendën e kalendarit, por ja ku jemi sërish, tek firma që delegjitimon estradën që Edi Rama dhe zombie-t e tij luajnë çdo të enjte në Kuvendin e Shqipërisë. Në vend të estradës, tani në parlament, zombie-t do kryejnë detyrën për të cilën edhe janë thirrur, të firmosin çfarë do negociojë Edi Rama jashtë tij.
Për të tjerat, për mesazhet e 2020-s, teksti jep një të dhënë të rëndësishme, 15 marsin, kurse të dhënat shtesë i ndriçon deklarata e ambasadës së SHBA-së. 15 marsi është një datë e mire-gjetur konsensuale për të mundësuar ngritjen e një kabineti qeveritar kujdestar që do të mundësojë zgjedhjet e përgjithshme, ndoshta nga fundi i qershorit (ose edhe në ndonjë datë të mëpasme të negociuar). Teoritë e dorëzimeve të negociuara ja lejojnë të humburit të englediset me emrat e politikanëve që firmosin disfatat, përvijojnë trasenë e humbjes politike apo edhe shpallin para kohe fundin e karrierave të tyre. Se cili prej këtyre roleve i është taksur të luajë më tej Damian Gjiknuri, është në dorë të fletores engledisëse që ka kryeministri ende në detyrë, por 15 marsi është paracaktuar si kufiri, përtej të cilit, palët politike në vend duhet të jenë në gjendje të vihen në një garë, që sipas Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, garanton që “Zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”. Vijat e kuqe janë vija të kuqe dhe atyre s’ka pse t’u heqim a vëmë ndonjë gjë, as t’u nxjerrim bishta. Këto vija të kuqe, sipas çdo manuali të “dorëzimit të negociuar” respektohen nga garantët, dhe prej protestave të 2019-s, tashmë është paravendosur se njëri prej tyre s’mund të jetë Edi Rama.
15 marsi i përket ende tremujorit të parë të 2020-s, prandaj arsyeja e shëndoshë e do që rikthimi në kushtet kur politika dhe institucionet në Shqipëri do të jenë në gjendje të respektojnë “vijat e kuqe” të SHBA-së të ndodhë sa më shpejt, brenda të njëjtit vit.
Për skeptikët që ende s’besojnë, duhet përsëritur se marrëveshja e 14 janarit është triumf i 2019-s dhe nëse Edi Rama do provojë një goditje finale me bisht për t’i bërë bisht marrëveshjes, sigurisht që “dorëzimi i negociuar” zëvendësohet me tjetër gjë dhe për krahasimet e rastit duhet të lexojmë ushtrime të tjera më të shpejta të sovranitetit popullor.


Modifikuar më Tuesday, 14 Janar 2020 18:01
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...