Këshilli politik/ Meta: Dialogu dhe kushtet e Bundestagut, e vetmja rrugë për në BE

E Enjte, 16 Janar 2020 11:32

‘Marrëveshja e arritur për reformën zgjedhore, uroj të jetë fillim i vendosjes së një dialogu strukturor e të qëndrueshëm për çështje të interesit të përbashkët, që ndihmojnë integrimin europian të Shqipërisë’.

Deklarata është bërë nga presidenti Ilir Meta në një intervistë për emisionin ‘Rubikon’ në KohaTv, Kosovë.

Intervista e plotë e presidentit Ilir Meta:

Gazetari (Adriatik Kelmendi): Në fillim fare viti ishte i vështirë për Shqipërinë. Po hymë në një vit ku ka më tepër hapësirë për optimizëm. Një ndër brengat kryesore është hapja e negociatave?

 

Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim që viti që kaloi ishte me shumë zhgënjime, të paktën për Shqipërinë, por sidoqoftë nuk mund të themi se ishte një vit i humbur. Në rast se dëshirojmë të mësojmë nga gabimet dhe unë shpresoj se të gjithë ta kenë kuptuar se Shqipëria nuk ka më nevojë për vite të humbura.

Në këtë drejtim shpresoj se edhe një marrëveshje e arritur për çështjen e reformës zgjedhore të jetë thjesht fillimi i një reflektimi të thellë dhe i vendosjes së një dialogu strukturor e të qëndrueshëm për çështje të interesit të përbashkët, që ndihmojnë integrimin europian të Shqipërisë, por edhe që ndihmojnë për një performancë tjetër të shqiptarëve në tërësi, në planin e qeverisjes dhe në planin e afirmimit ndërkombëtar.

Gazetari: Reforma zgjedhore që ju e përmendët dhe që u dakortësua  është paraparë që të arrijë një pajtueshmëri deri më 15 mars, kësaj radhe do të jetë e suksesshme?

Presidenti Meta: Ka një dakordim për ta përmbyllur këtë proces deri më 15 mars me konsensus. Unë besoj se po.

Gazetari: Ka qenë një presion për të gjitha subjektet politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje.

Presidenti Meta: Padyshim që ka qenë e njëjta për të gjitha subjektet politike, prandaj jemi këtu, sepse përgjegjësia është e përbashkët. Përgjegjësia është e mazhorancës, e cila kërkon të ushtrojë pushtete që dalin jashtë kufijve që ia përcakton Kushtetuta qeverisë dhe që dëmtojnë rëndë parimin e balancës dhe kontrollit të pushteteve që është i domosdoshëm për një funksionim demokratik të shtetit.

Padyshim që përgjegjësia është edhe e opozitës, e cila zgjodhi rrugën e deligjitimimit të institucioneve përmes largimit nga parlamenti, përmes mospjesëmarrjes në zgjedhjet vendore. Këtu nuk po nuk flasim për një përgjegjësi thjesht të një force apo të një individi të caktuar.

Është një përgjegjësi e përbashkët, por mendoj se përgjegjësia më e madhe është e atij që ka përgjegjësinë për të ushtruar mandatin e qeverisjes së vendit.

Gazetari: E përmendëm edhe ndarjen në qëndrimet lidhur me zgjedhjet që janë mbajtur në Shqipëri. Tani mazhoranca është duke shtyrë idenë që të ketë edhe një shkarkim për ju. Pra kanë ndërmarrë edhe komisionin hetimor. A prisni se do të kenë sukses? Si i përgjigjeni?

Presidenti Meta: Mazhoranca ka vetëm një alternativë, mendoj unë, e cila në fakt është burimi real i krizës që kemi në Shqipëri: alternativën e frikësimit të të gjithëve dhe jo të ushtrimit të përgjegjësive të saj në mënyrë të përgjegjshme, kushtetuese, demokratike dhe luajale.

Gazetari: Po thoni se duke ju goditur juve, u çohet sinjale edhe të tjerëve që të jenë të dëgjueshëm, të nënshtruar?

Presidenti Meta: Mazhoranca e di shumë mirë se mua nuk më shkarkon dot.

Për arsye se unë, jo vetëm nuk kam shkelur Kushtetutën, por edhe nëse një president mund të nxirrte një akt, pra nxjerr një dekret sikurse nxjerr parlamenti një ligj apo qeveria nxjerr një vendim, dhe vlerësohet se nuk është në përputhje me Kushtetutën, kjo nuk është kurrë një shkak për shkarkim, përkundrazi.

Për më tepër që Kushtetuta e Shqipërisë e mbron në mënyrë të jashtëzakonshme Presidentin për shkak se Presidenti është përfaqësues i interesave të shtetit.

Dhe padyshim që kushtetutëbërësi e ka parashikuar që Presidenti për arsye nga më të ndryshmet mund të jetë nën presione nga të forta, që duhet të mbrojë një interes shtetëror apo kombëtar.

Gazetari: Ju kanë bërë me gisht se ju po mbroni interesat e opozitës?

Presidenti Meta: Tani kuptohet se ata nuk mund ta pranojnë që janë përgjegjës për këtë situatë që nuk duhet të ishte kurrë: Që në Shqipëri të bëhen zgjedhje vendore të paligjshme, të parregullta dhe vetëm me një kandidat.

Në cilin vend të Këshillit të Europës ekziston një precedent i tillë?!

Gazetari: Po thoni se kanë ndodhur zgjedhje të paligjshme, të parregullta?

Presidenti Meta: Po si mund të them ndryshe?! Zgjedhjet i përcakton me dekret vetëm Presidenti.

Nuk ka në Shqipëri një institucion tjetër që mund të përcaktojë, ose mund të vendosë për çështjen e zgjedhjeve.

Dekretin e Presidentit mund ta vërë në diskutim vetëm Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur. Data e zgjedhjeve ka kaluar. Atëherë në çdo rast zgjedhjet kanë qenë të paligjshme dhe antikushtetuese. Kështu që kjo është tepër e qartë për cilindo që ka një arsim elementar juridik.

Ajo që dua t’ju them është se kjo është një iniciativë që nuk më shqetëson mua fare personalisht.

Gazetari: Nuk shqetësoheni fare?

Presidenti Meta: Nuk më shqetëson.

Ajo që më preokupon është rruga mjaft e gabuar e mazhorancës, e kryetarit të saj, që praktikisht ka vënë në diskutim legjitimitetin e të gjitha institucioneve në vend.

Të mos harrojmë se kemi një Kuvend me 122 deputetë nga 140 që është numri kushtetues i Kuvendit të Shqipërisë! Le të mos harrojmë se nga parlamenti nuk kanë ikur thjesht 60-të deputetë të opozitës, por kanë ikur 183 deputetë dhe kandidatë për deputetë. Pra në listat e të gjitha partive të opozitës...

Gazetari: Por si kanë hyrë ata kandidatë...?

Presidenti Meta: Ata që kanë hyrë kuptohet se shumica e tyre kanë qenë në fund të listave të gjitha partive. Dhe niveli i përfaqësimit është padyshim mjaft i diskutueshëm. Për më tepër mënyra e zëvendësimit ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet tona. Këto janë arsyet përse në tetor Bundestagu gjerman i shtoi kushtet për Shqipërinë.

Dhe përpjekja ime edhe për çështjen e zgjedhjeve vendore ishte për të evituar përkeqësimin e vlerësimit për Shqipërinë, pasi ne e dinim shumë mirë se me zgjedhje vendore njëpartiake, Shqipëria as nuk mund t’i hapte negociatat dhe as ka për t’i hapur ndonjëherë, sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kriter bazë i Kopenhagës. Si dhe janë një detyrim që Shqipëria ka edhe nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

Gazetari: Ju jeni Presidenti i Republikës dhe jeni skeptik se në maj do të hapen negociatat?

Presidenti Meta: Negociata mund të hapen në qoftë se do të ketë një angazhim se ato kushtet e Bundestagut të adresohen në një mënyrë shumë të shpejtë dhe jo duke i zvarritur. Me këtë ritëm unë nuk shikoj ndonjë perspektivë serioze për në maj.

Modifikuar më E Enjte, 16 Janar 2020 11:34
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...