Ç’do ndodhë në Britani, ora historike e daljes nga BE-ja

Premte, 31 Janar 2020 08:38

Natën duke gdhirë dita e shtunë, Britania e Madhe largohet nga BE. Për disa, si Emily Hewertson, një arsye për të festuar. Për të tjerë si Steven Bray, një ditë zie. Vendi është i polarizuar.

Kur në Londër të premten në mbrëmje do të trokasë ora 11 – në Europën Qendrore është mesnatë – e pikërisht koha kur Britania e Madhe si i pari vend në historinë e BE-së largohet nga ky formacion.  Një çast historik, të cilin kryeministri Boris Johnson e celebron në mënyrë krejt të veçantë: Në muret me ngjyrë të errët të selisë së kryeministrit në Downing Street 10 do të projektohet Countdown-i, që numëron sekondat deri në daljen e vendit nga unioni. Në shtizat e flamujve përreth parlamentit do të valëvitet vetëm Union Jack, flamuri i mbretërisë së bashkuar. Një monedhë e re përkujtimore me mbishkrimin “paqe, mirëqenie dhe miqësi me të gjitha kombet” do të hidhet në qarkullim.

Ndër ata që këtë çast historik duan ta përjetojnë në kuartierin qeveritar, janë edhe Emily Hewertson dhe Steven Bray, dy britanikë, diametralisht të kundërt në qendrime – ajo është për Brexit-in, ai është kundër. E vetmja që i bashkon ata, është pasioni për këtë temë. Kur kryeministri Johnson mbrëmjen e 31 janarit do të mbajë në televizion fjalimin drejtuar kombit me apelin për unitet dhe vështrim përpara, Hewertsen dhe Bray pasqyrojnë përçarjen e mbretërisë së bashkuar. Një plagë, që nuk do të mund të shërohet shpejt as pas Brexit-it.

Institucion në Westminster

Pak ditë para Brexit-it Steven Bray sërish vazhdonte protestën në kuartierin qeveritar, në protestën e nisur që në shtator 2017 ai çdo ditë e kalon këtu, ku mblidhet parlamenti. Me kapelen e tij blu dhe me mbishkrimin “Stop Brexit” si dhe me një flamur të stërmadh të BE-së 50 vjeçari dallohet menjëherë në këtë shesh. Minutë pas minuti atij i afrohet ndonjë turist, për të bërë selfie me të. Bray me protestën e tij është kthyer në një institucion në Westminster. Kur britanikët më 2016 votuan për Brexit-in, ai jetonte në jug të Uellsit dhe fitonte të ardhurat si ekspert monedhash historike.

Vendimi i britanikëve për të dalë nga BE-ja, e indinjoi Bray: “Politikanët tanë na kanë mashtruar ne me Brexit-in. Unë nuk mund ta lija këtë në heshtje.” Kësisoj ai në verën e vitit 2017 i dha fund jetës së tij të mëparshme, shiti të gjitha koleksionet e monedhave dhe u vendos në Londër, për ta shprehur indinjatën e tij direkt para parlamentarëve dhe gazetarëve. Qysh atëherë Bray – me kapele, pankarta protetste dhe me flamurin gjigand – shpesh i mbështetur prej aktivistëve të tjerë pro-europianë qëndron para parlamentit britanik. Pavarësisht nëse është ngricë apo vapë – nga e hëna deri të enjten ai proteston aty të paktën tetë orë në ditë, ndonjëherë edhe deri në mesnatë, kur parlamenti debaton në seanca maratonë për Brexit-in.

“Disa deputetë më shmangen mua si djalli tymianit”, thotë Bray, i cili ndërkohë është i njohur në mbarë vendin si “Mr. Stop Brexit”. “Reagimet janë të përziera. 50 përqind e urrejnë fushatën, 50 përqind e mbështesin atë. Të dyja më motivojnë”, thotë ai. Bray nuk lëkundet aq prej përvojave negative. Dy javë para Brexit-it atë e sulmuan hapur në rrugë. Djem të rinj ia rrëmbyen kapelen, i vunë stërkëmbëshin dhe e qëlluan në fytyrë. “Ishin fashistë të djathtë”, thotë ai dhe menjëherë shton, se këta njerëz nuk kanë të bëjnë aspak me zgjedhësit normalë “Leave”, pra me ata që kanë votuar për Brexit-in.

“Politikë dhe Prosecco”

Pak metra më tutje Emily Hewertson shkruan me nxitim diçka në celularin e saj. “Politikë dhe Prosecco” shkruhet në llogarinë e saj në rrjetet sociale, ku ajo kalon çdo ditë orë të tëra, për të shkëmbyer mendimet me rreth 62.000 ndjekësit. Ashtu si Bray ajo tashmë falë fushatës së Brexit-it është bërë e njohur. Por vetëm në këtë pikë ata kanë ngjashmëri. Sepse 19 vjeçarja qëndron në anën tjetër të spektrit politik. Majin e kaluar Hewertson mori pjesë në një raund televiziv në BBC. Atje ajo u shpreh plot pasion për Brexit-in dhe u shpreh e zhgënjyer me partinë e preferuar prej saj, atë konservatore. Sepse nën kryeministren Theresa May Tories e patën shtyrë dy herë datën e daljes. Ndaj ajo në zgjedhjet për BE-në votoi për partinë Brexit, kështu deklaroi konservatorja e re në emisionin e BBC-së duke gjetur jehonë në mbarë vendin.

“Brexit Girl” e quajnë atë gazetat konservatore dhe numri i ndjekësve në rrjetet sociale të Hewertson është në ekspansion. “Të gjithë mendojnë, se vetëm burrat e moshuar me thinja në kokë janë për Brexit-in. Unë jam e re, grua dhe për shumë arsye jam për Brexit-in. Ka edhe shumë të tjerë nga brezi im, që mendojnë si unë”, thotë ajo me zë të lartë duke numëruar arsyet përse: “Sovraniteti ka prioritet të lartë. Rregullat i vendosim vet. Sërish kontrollojmë imigracionin. Nuk paguajmë më para për BE-në. E më e rëndësishmja një shumicë ka votuar për Brexit-in. Kështu funksionon një demokraci.”

Hendeku-Brexit në shoqërinë britanike

Argumentat e saj për Brexit-in të kujtojnë sloganet, e fushatës Vote-Leave që përsëriteshin pareshtur përgjatë referendumit. Hewertson flet nga bindja. Në Twitter ajo polarizon me postimet e saj. Ndërkohë ajo ka marrë edhe disa kërcënime me vrasje, na thotë. Një përdorues i Twitter-it i ka thënë, se do ta sulmojë në rrugë dhe do ta djegë të gjallë. Hewertson qesh. Nga lajme të tilla ajo nuk do të stepet. Në jetën e saj të përditshme –  në universitet në qendër të Londrës, ku studion politikë dhe religjon, ashtu si edhe në lagjen ku banon në  Northhampton, një qytet industrial në Anglinë qendrore, njerëzit janë të dashur me të, na thotë, madje edhe ata që mendojnë ndryshe: “Eshtë e rëndësishme, që ne sërish të mësojmë të debatojmë me arsye. Unë i dua diskutimet e mira”, thotë ajo duke demonstruar vetëdije të plotë.

Emily Hewertson beson, se hendeku, që ka krijuar Brexit në shoqërinë britanike, mund të kapërcehet vetëm me daljen nga unioni tani në fund të janarit. Vetëm kështu shoqëria mund të përqendrohet drejt së ardhmes: “Tek e fundit unë edhe me babain tim shkoj shumë mirë e në fakt ai është pro-europian.” Aktivisti pro BE-së Steven Bray nuk e pranon këtë: “Ky vend do të vazhdojë për një kohë të gjatë të mbetet i përçarë”, i thotë ai para parlamentit në  Westminster Richard Tice, kryetarit të partisë Brexit, i cili ka një mandat për partinë anti-europiane në Parlamentin e BE-së. Eshtë një bisedë miqësore mes dy burrave, që në fakt nuk e durojnë dot njeri-tjetrin dhe ndoshta kjo është një shenjë, që tregon, se debati i nxehtë politik pas realizimit të Brexit-it të paktën do të nisë të qetësohet disi.

Modifikuar më Premte, 31 Janar 2020 09:31
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...