Urdhra dëbimi dhe masa ekstreme parandaluese, Qeveria i jep kompentenca gjykate kreut të Policisë së Shtetit

Diel, 02 February 2020 10:27

Paketa ligjore e prezantuar si AntiKÇK nga kryeministri Edi Rama fuqizon kreun e Policisë së Shtetit dhe një strukturë speciale të quajtur “Operacioni Forca e Ligjit” me kompetenca të prokurorisë dhe gjykatës në marrjen e masave kufizuese personale dhe në sekuestrimin e pasurive për personat e dënuar dhe nën hetim.

Qeveria fuqizoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe një strukturë speciale të quajtur Operacioni i Forcës së Ligjit me kompetenca të prokurorisë dhe gjykatës, duke e konsideruar këtë “një ndërhyrje emergjente” për ashpërsimin e luftës kundër kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe një sërë veprash të tjera penale në vend.

Paketa ligjore e miratuar si Akt Normativ të premten është prezantuar nga kryeministri Edi Rama me titullin populist ‘AntiKÇK’. Të shtunën, ajo u botua në një cep të faqes së Kryeministrisë si dhe në Fletoren Zyrtare, duke marrë fuqinë e ligjit.

Akti Normativ përban 39 nene dhe do të ketë fuqi të përkohshme deri më 31 dhjetor 2020. Objekt i tij do të jenë personat e dënuar me vendim të formës së prerë brenda ose jashtë Shqipërisë si dhe personat nën hetim për vepra penale që lidhen me organizatat ose grupet e strukturuara kriminale, terrorizmin si dhe 27 krime të tjera të rënda, përfshirë vrasjet, vjedhjet me dhunë si dhe shkatërrimin e pronës.

Paketa ligjore është e ndërtuar mbi dy shtylla kryesore; ndërmarrjen e masave kufizuese personale ndaj personave të dënuar ose nën hetim si dhe masat e karakterit pasuror. Këta të fundit mundet gjithashtu të penalizohen dyfish, si nga ligji i qeverisë ashtu edhe nga Kodi Penal apo Paketa Antimafia.

Ligji nuk prek në asnjë rresht gjyqtarët dhe prokurorët, ndonëse kryeministri Edi Rama e ndërtoi narrativën për emergjencën e kësaj ndërhyrjeje me dëmet e shkaktuara nga njerëzit e drejtësisë, të cilët i ironizoi si “banda Kap Ç’a të Kapësh”.

Një numër organizatash të shoqërisë civile paralajmëruan të premten rrezikun e shkeljes së Kushtetutës përmes këtij akti si dhe denoncuan miratimin e tij pa konsultim publik dhe përtej rrethanave të një gjendjeje të jashtëzakonshme.    “Duke e konsideruar si paketë të një rëndësie të veçantë që mund të cenojë respektimin e të drejtave të shtetasve, organizatat e mësipërme bëjnë thirrje që diskutimi i kësaj pakete do duhej të ishte gjithëpërfshirës dhe në respektim të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” deklaruan organizatat.

Aktet Normative janë një hapësirë në Kushtetutën e Shqipërisë, që i jepin mundësi qeverisë që në kushtet e një emergjence civile, të miratojë një vendim me fuqinë e ligjit, i cili hyn në fuqi menjëherë, por i nënshtrohet procedurës parlamentare më vonë. Në pushtet prej 7 vitesh, qeveria nuk e ka shpjeguar ende se cila është emergjenca që justifikon përdorimin e këtij mjeti kushtetues.

Masat e kufizimeve personale

Sipas aktit normativ të qeverisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe një strukturë speciale e quajtur Operacioni Forca e Ligjit, OFL do të kenë fuqinë që të vendosin një sërë masash kufizuese ndaj personave të dënuar apo të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar dhe në krime të tjera të rënda.

Struktura e emërtuar “Operacioni Forca e Ligjit” do të drejtohet nga kreu i Departamentit të Policisë Kriminale, post i cili mbahet aktualisht nga Tonin Vocaj.

OFL ka të drejtën që t’i kërkojë Prokurorisë së Posaçme, SPAK një sërë masash kufizuese ndaj personave të dënuar ose të dyshuar; të tilla si kufizimin e perimetrit të lëvizjes, dëbimin deri në një vit nga një zonë e caktuar administrative, bllokimin e pasaportës ose të daljes jashtë vendit për një periudhë 1 vjeçare.

Gjithashtu, subjektet mund të urdhërohen të mos largohen nga banesa ose t’u deklarojnë autoriteteve të policisë oraret dhe vendet ku mund të gjenden çdo ditë.

Sipas ligjit, masa të tilla ekstreme mund të ndërmerren në mungesë të një vendimi gjykate edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit “në rastet e nevojës dhe urgjencës”.

Në këto raste, ligji parashikon që masat parandaluese t’i komunikohen prokurorit jo më vonë se 24 orë, ndërsa ky i fundit ka afat deri në 72 orë për t’ia paraqitur gjykatës.

Ligji përsërit shpesh edhe mundësinë e ngatërrimit të personit.

“Kur del qartë se është ngatërruar personi ose nuk është një nga subjektet e parashikuara në nenin 5 të këtij akti normative, prokurori me vendim të motivuar urdhëron heqjen e masës parandaluese,” thuhet aty.

Masat personale të karakterit parandalues nuk shuhen në rastet kur subjektet po procedohen sipas Kodit të Procedurës apo legjislacionit penal. Sipas ligjit të qeverisë, në rastet kur një individ është duke vuajtur një masë të sigurimit personal si p.sh burgu apo arresti shtëpiak, masa parandaluese mbetet e pezulluar dhe aktivizohet pas përfundimit të masës së parë.

Masat e sekuestrove

Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive me burim kriminal konsiderohet si një ndër mënyrat më efikase në luftën kundër krimit të organizuar. Në drejtim të aseteve kriminale, Shqipëria aplikon prej vitesh ligjin Antimafia.

Megjithatë, ligji i qeverisë ngarkon “Operacionin Forca e Ligjit” që të verifikojë pasuritë e personave të dënuar me vendim të formës së prerë ose personave nën hetim për krim të organizuar dhe krime të rënda dhe brenda 48 orëve, t’u kërkojë atyre ose familjarëve të tyre që të vetëdeklarojnë burimin e pasurive të dyshuara.

Në kushte normale, kreu i Policisë së Shtetit i referon rastet tek prokurori dhe i kërkon këtij të fundit të kërkojë një masë sekuestroje në gjykatë. Por njësoj si në rastet e masave personale, ligji parashikon që kreu i Policisë së Shtetit të kryejë vetë sekuestrime në rastet e nevojës dhe urgjencës dhe kur ka dyshime të arsyeshme.

Urdhri i sekuestros së pasurisë, i lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i komunikohet menjëherë subjektit dhe brenda 72 orëve prokurorit. Pasi ka informuar subjektin, kreu i Policisë merr masa për ekzekutimin e urdhrit përmes kalimit të pronës në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara.

Ligji i jep të drejtë prokurorit që të heqë masën e sekuestros në rastet kur ai e dikton të nevojshme ose kur del qartë se është ngatërruar personi ose nuk është një nga subjektet e ligjit dhe në fund çështja i shkon gjykatës.

Megjithatë, ligji i qeverisë nuk parashikon problemet apo penalitetet që mund të shkaktojë ngatërrimi i personave.

Përgjatë një viti të funksionimit të ligjit, qeveria parashikon përjashtimin e subjekteve të mësipërme nga e drejta për të përfituar leje apo licensa, koncesione apo tendera publikë. Nga diskutimet e mëparshme është kufizuar gjithashtu e drejta e stukturave të policisë për të kryer përgjime pa urdhër prokurori apo vendim gjykate.

Ligji lë megjithatë një shteg hapur në rastet kur dyshohet se një subjekt po planifikon, organizon apo po merr pjesë në kryerjen e një krimi. Në këto raste, drejtueri i OFL-së mund t’u kërkojë operatorëve të telefonisë celulare apo atyre që ofrojnë shërbime interneti që të identifikojnë në kohë reale një subjekt ose numrin e tij të telefonit ose komunikimet në internet, duke informuar më pas Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe prokurorin.

Veprat penale që preken nga Akti Normativ

Neni 77; Vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër

Neni 78; Vrasje me paramendim

Neni 78/a; Vrasje për gjakmarrje

Neni 79; Vrasje në rrethana të tjera cilësuese

Neni 79/a; Vrasja e funksionarëve publikë

Neni 79/b; vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit

Neni 79/c; Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare

Neni 109; rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit

Neni 109/b; shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë

Neni 110/a; Trafikimi i personave të rritur

Neni 114; Shfrytëzimi i prostitucionit

Neni 117; Pornografia

Neni 128/ b; Trafikimi i të miturve

Neni 134; Vjedhje me pasoja të rënda

Neni 136; Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit

Neni 138/a; Trafikimi i veprave të artit

Neni 139; Vjedhje me dhunë

Neni 140; Vjedhje me armë

Neni 141; Vjedhje me pasojë vdekjen

Neni 151; Shkatërrimi i pronës me zjarr

Neni 152; Shkatërrimi i pronës me eksploziv

Neni 278/a; Trafikimi i armëve dhe municioneve

Neni 282/a; Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioactive

Neni 283; Prodhimi dhe shitja e narkotikëve

Neni 283/a; Trafikimi i narkotikëve

Neni 284; Kultivimi i bimëve narkotike

Neni 284/a; Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...