Paketa ‘anti KÇK’, Vasili: Jemi me reformën në drejtësi dhe jo me drejtësinë nacional socialiste të Ramës

Hënë, 03 February 2020 13:20

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili në një dalje per mediat u shpreh se “jemi me reformën në drejtësi dhe jo me drejtësinë nacional socialiste të Ramës”.

“KÇK e Edi Ramës do të luftojë KÇK e krimit. Pra, do të luftojnë njëri tjetrin ata  të cilët mbajnë në këmbë njëri tjetrin” u shpreh Vasili.

Sipas ish deputetit të LSI, “sot është dita për të ndarë kush është me drejtësinë e 21-22 korrikut të miratuar me 140 vota, teksa shton se reforma në drejtësi u ndërmor për të pasur një drejtësi të pavarur nga politika dhe aq më pak nga qeveria”.

Ja deklarata e plotë e nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!

Ditët e fundit ju jeni njohur dhe keni qenë nën trysninë e jashtëzakonshme të të ashtuquajturës KçK të kryeministrit Edi Rama, i cili medemek pas 7 vitesh batërdi dhe fitore të krimit në të gjitha drejtimet nga qeveria, parlamenti, pushteti lokal e gjithëkund kujtohet sot  dhe flet për KCK për të luftuar krimin sipas Edi Ramës.

E thënë më thjeshtë KCK e Edi Ramës do të luftojë KCK e krimit. Pra, do të luftojnë njëri tjetrin ata  të cilët mbajnë në këmbë njëri tjetrin. Sot të nderuar qytetarë dhe qytetare është dita e së vërtetës. Sot do të ndahet një herë e përgjithmonë kush është me reformën në drejtësi dhe kush është më drejtësinë e Edi Ramës dhe Sandër Lleshaj apo thënë më thjeshtë, drejtësinë nacional socialiste(Naziste) të Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt.

Sot është dita për të ndarë kush është me drejtësinë e 21-22 korrikut të miratuar me 140 vota. Të mbështetur nga Komisioni Venecias, të mbështetur nga ndërkombëtarët dhe se kush është me drejtësinë e kapur të kriminalizuar të Edi Ramës. Sot është dita për të ndarë kush është me reformën në drejtësi dhe kush është me drejtësinë e Edi Ramës që shantazhin e kthen në ligj. Parashantazhin e kthen në ligj, një paketë pra KCK që shantazhon kë të dojë si të dojë duke bërë edhe sikur i ngatërron emrin dikujt, që më pas të bëjë sikur e korrigjon, e ndërkohë në shantazhin e emrit të vendosë radhën e kriminelëve në dispozicion të tij për të mbledhur vota apo për të realizuar afera të tjera më të dyshimtat dhe më të poshtrat.

Qytetarët shqiptarë nuk kanë harruar dhe e dinë më së miri që është Edi Rama që e mbushi Parlament me kriminelë aq sa u detyrua të miratohet në Shqipëri një ligj për dekriminalizimin i cili nuk ishte parë gjëkundi dhe i ndodhte Shqipërisë pas 30 vitesh pluralizëm vetëm e vetëm sepse një individ politik si Edi Rama ishte lidhur kokë e këmbë me krimin.

Së dyti, të gjithë ju qytetarë e dini dhe e ndiqni përditë sesi krimi ka rrëmbyer pushtetin lokal. Sesi kryetarët e bashkive, njëri pas tjetrit shfaqen me rekorde kriminale nga më të shëmtuarat. Trafikante droge, dhunues, hajdutër, trafikantë qëniesh njerëzore e gjithëfarësh. Dhe kjo ndodh edhe kur Edi Rama voton vetë, numëron vetë dhe nxjerr rezultatet vetë.

Ju e dini më mirë nga të gjithë sesi Edi Rama dhe të tijtë vjedhin votat me të ashtuquajturit çuna problematikë pra me rrugaçë e kriminelë në Dibër, në Shijak, në jug të Shqipërisë, në veri, në gjithëkund.

Këto janë përsëri produkte të Edi Ramës, si mbështetës, frymëzues dhe përdorues i tyre. Njëherazi, të gjithë e dini shumë mirë që burimi i Shqipërisë me drogë dhe ky trafik u bë nën mbështetjen e përkrahjen e policisë. Po të kësaj policie e cila do të jetë ajo që do të drejtojë KCK me materialet e saj. Kësaj policie, shefat e të cilës si koka të trafikut të drogës u liruan dhe u lejuan iu krijuan të gjitha hapësirat për t’u larguar nga Shqipëria dhe janë sot në kërkim dhe nuk kapen kurrë, ndërkohë që kapen e burgosen  qytetarët e thjeshtë të Unazës së Re e gjithëkund në Shqipëri, për 50 mijë lekë energji elektrike, për një kundravajtje në rrugë apo për meremetimin e një muri të rënë edhe pensionistët janë futur nëpër burgje.

Njëherazi ju e dini shumë mirë që është Edi Rama e ktheu Shqipërinë në lavatrice e parave të pista. Aq sa Këshilli i Europës e riktheu Shqipërinë në monitorimin e parave të zeza, parave të pista. Nga një monitorim nga i cili Shqipëria kishte dalë me vite si një vend që nuk e kishte më këtë problem. Pra cështjen e parave të pista e riktheu sërish Edi Rama.

Njëkohësisht, për shkak të kësaj qeverisje Shqipëria është një nder tre vendet më të korruptuara të globit. Me Sierra Leone dhe vendet e Afrikës të cilët dihet se në c’nivele mizerabël demokracie dhe funksionimit të shtetit të së drejtës ekzitojnë. Dihet më së miri sepse Deparatamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur të zezën mbi të bardhë që Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës u kthye në bazë të krimit të organizuar për aksione ngë SHBA, Amerika Latine, Lindjen e Mesme, Europë. Pra, është fare e qartë si drita e diellit që njeriu që mbodhi krimin, jeton me krimin, përdor krimin, ndan paratë me krimin, ndan fondet publike e shtetërore me krimin nuk mund të jetë ky që mund të luftojë krimin. Dhe aq më pak ta ushtrojë këtë me instrumente anti-ligjore, anti-kushtetuese dhe që i kundërvihen reformës në drejtësi.

Të nderuar qytetarë!

Ju e dini shumë mirë që reforma në drejtësi u ndërmor për të pasur një drejtësi të pavarur nga politika dhe aq më pak nga qeveria.

Kurse sot çfarë kemi, kemi që në drejtimin e një ministri të brendshëm i cili është drejtuesi politik i një policie shteti, përgjegjëse kryesore për trafikun dhe për rritjen e kriminalitetit si kurrë ndonjëherë në vendin tonë, në varësi të këtij është Prokurori i Përgjithshëm, dhe kryetari i Prokurorisë Speciale(SPAK) janë vartës të tij. Në vend që të ishin ata që të kërkonin hesap ndaj këtij kriminalizimi dhe mosveprimet e veprimet të Policisë së Shtetit të qeverisjes, ministrave e të gjithë tjerëve janë këta që marrin në varësi drejtësinë.

Pra, çfarë bëri Edi Rama na ktheu në drejtësinë e Koci Xoxes, ministrit të Brendshëm të Partisë Komuniste të vitit 1948 që rrëmbente njerëzit e thjeshtë me ligj e pa ligj, natën e ditën e kur të donte, i ekzekutonte u rrëmbente pronat, pasurinë e gjithçka dhe i hidhte nëpër hendeqe.

Ky është një model, sesi junta policore qeveritare me në krye kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm rrëmbejnë drejtësinë dhe shtetin e së drejtës. Ndaj sot është vija e ndarjes ose me reformën në drejtësi dhe me shtetin ligjor ose  me shtetin nacional socialist dhe drejtësinë nacional socialiste të Edi Ramës.

Opozita shqiptare, populli shqiptar i tëri e ka marrë vendimin e tij, e ka bërë zgjedhjen e tij. Të gjithë janë me reformën në drejtësi të miratuar në 21-22 korrik që ka institucione të pavarura, që synon të vendosë shtetin e së drejtës, fuqinë e ligjit dhe jo me drejtësinë e kapur, me drejtësinë e shantazhit me ligj me nacional socializimin e ri me Kocixoxizmin e ri të Edi Ramës, që rrënojnë interesat e shqiptarëve, i kriminalizojnë kërkojnë t’i bëjnë ata të jëtojnë me frikë dhe përpiqen të jenë ata menaxhuesit e krimit dhe përdoruesit e tij kryesor dhe të vetëm.

Kësaj do t’i kundërvihemi me çdo forcë dhe i bëjmë thirrje të gjithë miqve të mirë të Shqipërisë që e duan shtetin ligjor që të gjithë të vendosën në krah të reformës në drejtësi, dhe të mos e sabotojnë, mos ta pengojnë, të mos i vënë gurë nën rrota një procesi që dhe si i tillë është i vonuar por me veprimet e KCK rrezikon të rrënohet përfundimisht.

Është koha të shpëtojmë drejtësinë!

Login to post comments