“Prej mungesës së Drejtësisë Kushtetuese, nën aktet e goditjes së shtetit!”- Luan Rama: Procesi i ligjbërjes në Kuvend, prej kohësh veprimtari antikushtetuese

Hënë, 10 February 2020 17:35

Luan Rama/ Të gjithë ata që zgjedhin të studiojnë në fakultetin e drejtësisë, një prej postulateve të para që mësojnë është supremacia e kushtetutës mbi të gjitha ligjet e tjerë.

Sipas kësaj logjike dhe mënyrës së arsyetimit që lind prej saj, norma kushtetuese është normë eprore e një sistemi juridik.

Këtë parim, edhe pa qenë me formim juridik, e mësojnë gjatë punës së tyre e më drejtpërdrejtë gjatë praktikës ligjbërëse edhe deputetët. Ose të paktën, mendohet a presupozohet që duhet t’a mësojnë.

Sepse, puna ua do që të dinë se çfarë është kushtetuta dhe se si përshkallëzohet në rend zbritës hierarkia e akteve juridike prej kushtetutës tek kodet që janë ligje me shumicë të cilësuar, e prej kodeve, që janë ligje me supremaci mbi ligjet e thjeshtë, të cilat quhen të tillë pasi miratohen me shumicë të thjeshtë, që do të thotë miratohen me një votë më shumë se gjysma e deputetëve pjesmarrës në votim.

Më ndjeni për natyrën didaktike të shpjegimit të mësipërm, por jam i detyruar të bëj edhe shpjegime divulgative, pra të karakterit elementar, për t’iu përshtatur kësisoj edhe nivelit intelektual të një pjese të deputetëve, të cilët jo për fajin e tyre, janë mjerisht nën nivelin mediokër.

Por, nëse nuk i bën fajtorë niveli intelektual që kanë,
Injoranca intelektuale nuk i mbron prej të qenit të zvetënuar e zhbërë deri në neveri, kur edhe prej tyre, procesi i ligjbërjes në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, është prej kohësh një veprimtari antikushtetuese.

Eshtë veprimtari antikushtetuese, sepse bie ndesh me detyrimin kushtetues që buron prej nenin 64 të kushtetutes, sipas të cilit “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë”. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, prej një viti nuk i ka më 140 deputetë!
Por, është antikushtetuese veprimtaria ligjbërëse e kuvendit edhe prej pamundësisë së ushtrimit të funksioneve nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila është i vetmi organ që mund të gjykojë aktet e tij.

Miratimi i ligjeve në kushtet e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese, është dëshmi e qartë se qeveria qëllimisht e ka bllokuar procesin e zëvendësimit të vakancave të krijuara në atë gjykatë, për t’a përdorur këtë kohë pezull jo thjeshtë për të cënuar kushtetutshmërinë apo atë që në jurisprudencë a në të drejtën kushtetuese njihet si Drejtësia Kushtetuese, po për shumë më tepër se kaq; për të “veshur” formalisht me mbrojte ligjore veprimtarinë e tyre prej keqbërësish, që si një grup i strukturuar kriminal, hap pas hapi po kryen në fakt një grusht shteti!

Po, Kuvendi i Shqipërisë po kryen grusht shteti!
Për të gjithë ata që në mënyrë naive apo prej mosdijes perceptojnë me grusht shteti vetëm rastet kur ushtarakët nxjerrin tanket në rrugë dhe rrëzojnë me dhunë nga pushteti organet e zgjedhura në mënyrë legjitime, më duhet të shpjegoj se ai është vetëm njëri nga rastet e grushtit të shtetit.

Një parantezë: togfjalëshi grusht shteti” vjen nga fraza e frengjishtes coup d’état, që do të thot goditje në shtet dhe përdoret si term profesional për të karakterizuar çfarë quhet grusht shteti në mbarë botën. Pra vjen nga fjalët frënge coup, që do të thotë goditje e papritur dhe état, që do të thotë shtet.

Sipas këtij përcaktimi, një rast tjetër i “goditjes në shtet” është veprimtaria e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i cili, me paramendim dhe në mënyrë të organizuar dhe të qëllimtë, përgatit dhe miraton ligje që dukshëm dhe hapur janë në kundërshtim me kushtetutën, me synim goditjen e shtetit dhe marrjen e autoritetin kushtetues apo të pushtetit të organeve të tjera kushtetuese.

Vetëm pak ditë më parë, qeveria duke përdorur (në fakt duhet lexuar: keqpërdorur!) një grup deputetësh prej atyre që e kanë me qef të përdoren, ndërmori nismën për të miratuar një ligj, sipas përcaktimeve të të cilit, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, përpara fillimit të ushtrimit të detyrës nuk duhet të betohen më para Presidentit të Republikës, siç e përcakton kushtetuta, por, duhet të betohen para vetes së tyre duke e kryer betimin me shkrim (injorancë pa kufi!), ose duke e kryer atë edhe para noterit!

Qëllimi i një nisme të tillë është i qartë; qeveria do që të kapë Gjykatën Kushtetuese e përmes saj, të mbyllë ciklin e kapjes së të gjithë shtetit, me marrjen edhe e të vetmit institucion legjitim në vend, atij të Presidentit të Republikës.

Kryeministri dhe të tjerët pas tij mund të mos e duam Ilir Metën. Kjo është në të drejtën e tyre. Por, nëse nuk e dua Ilir Metën, kjo nuk u jep asnjë të drejtë që për inatin ndaj tij, të shkelin kushtetutën dhe të ndërmarrin hapa ligjorë si kundërvënie ndaj kushtetutës, sepse një praktikë e tillë është grusht shteti!

Drejtësia kushtetuese është institucioni që garanton respektimin e hierarkisë së burimeve të së drejtës dhe, me këtë, edhe të supremacisë së normës së kushtetutës, si norma eprore në një sistem juridik.

Kjo do të thotë që asnjë ligj, pra asnjë ligj dhe asnjë kod nuk mund të ketë fuqi, për rrjedhojë, nuk mund të zbatohet për aq kohë sa është në kundërshtim me kushtetutën! Kjo nuk është as çështje vullneti dhe as punë qefi.
Eshtë detyrim për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, prej Presidentit e për gjithë të tjerët. Eshtë detyrim edhe për kryeminstrin e qeverinë e tij, është detyrim edhe për frymorën që janë deputetë.

Mirëpo, banda e pushtetit, duke vrarë Drejtësinë Kushtetuese me bllokimin e deritashëm të Gjykatës Kushtetuese e me synimin për kapjen e saj, nuk po bën asgjë tjetër; por po hedh hapin e rradhës në përpjekjet për të realizuar grushtin e shtetit si objektiv fundor, çfarë do të shënonte goditjen më të rëndë ndaj sistemit politik, shtetit të së drejtës dhe vetë demokracisë!

Gjykata kushtetuese është arbitër i pushteteve. Në kushtet e konfliktit mes pushteteve është ajo që ndërhyn dhe jep drejtësi kushtetuese. Këtë të drejtë nuk e ka kuvendi, nuk e ka as qeveria që ndërsen kuvendin të shkelë kushtetutën.

Drejtësia Kushtetuese shumë shpejt do të vijë. E bashkë me të, do të vijë edhe drejtësia e munguar, si edukatë më së pari e mandje edhe si forcë e zbatimit të ligjit, përballë të cilës, verbëria e të përdorurit për akte antikushtetuese, nuk do të mund t’i imunizojë as mjeranët që nuk dinë tjetër, përpos të shijojnë kënaqësinë e të vetmes “meritë” që kanë; keqpëdorimin!

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë duhet të kuptojë sot se në ç’rrugë pa krye po investohet. Nesër do të jetë vonë e nuk do të ketë më asnjë shans t’ja kursejë Shqipërisë kostot e marrëzive të veta!

Login to post comments