Në koalicionin e opozitës s’ka “ose - ose”, duhet të ketë veç “edhe - edhe”

Tuesday, 11 February 2020 11:41

Ilir Nikolla

Shenjat e panikut janë dhënë qartë në radhët e kampit të kryeministrit. Përveç lojërave me KÇK-ra, të cilat synojnë të sigurojnë edhe një vit tjetër qeverim, në emër të kauzave të “luftës kundër krimit” dhe “zgjidhjes së çështjes së negociatave”, urdhri i ditës është shumëfishimi i çfarëdolloj mosmarrëveshjeje brenda frontit opozitar, sidomos mosmarrëveshje që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. Ideja e propozuar – me sa duket – nga Dashamir Shehi, për institucionalizimin edhe të “grupimit politik” brenda një koalicioni të madh parazgjedhor ka kapur të papërgatitur agjitpropët e Edi Ramës, të cilët e kishin fjetur mendjen, se sado ngushtë të shkonte puna, në opozitë s’ka për të mbetur koalicion në këmbë, pas pazarit të gjësë së gjallë që vetë “i madhi” ka ndërmend të shpallë se afërmi.
Në fakt, dorëzimi i mandateve të deputetëve nga ana e kryetarëve të partive “të vogla” të opozitës e kishte suprizuar jo pak Edi Ramën, por si duket, ai paskësh menduar se koha do të ishte një ilaç që do t’ia risillte këta politikanë në magjen e pushtetit.
Koha në fakt u rrëfye një përbërës që veç sa e forcoi pozicionin opozitar të Dules, Ndokës, Shehit, Mediut, Dukës e Idrizit, çka e la Edi Ramën veç me shpresën se Kodi Zgjedhor do ta rrënonte këtë bashkim. Ideja e Dashamir Shehit shfaqet tani si rasti për të rindezur bataretë e përçarjes dhe urdhri ishte i qartë: Lulzim Basha është mes dy zjarresh, o me LSI-në, o me të vegjlit.
Por e vërteta e artificës së “grupimit politik” nuk ka pse të trembë Partinë Demokratike, bile as LSI-në. Ato s’janë në frontin e një opozite të paprecedentë për të llogaritur presjet dhjetore, por për të garantuar zgjedhjet e lira, fitoren e tyre si front opozitar dhe largimin nga pushteti të të keqes që po zbraz vendin. Por edhe nëse i llogarisin ato, poiltikanët me përvojë s’ka si të mos e kuptojnë se “grupimi politik” i Shehit veç sa i maksimalizon votat e opozitës së bashkuar, por assesi nuk dëmton interesat e LSI-së, lëre më ato të Partisë Demokratike. Raportimi “fake-news” i mediave pranë kryeministrit, sikur përgjigjja zyrtare e selisë blu paskësh qenë se propozimi i partive të koalicionit opozitar do të mbështetej dhe do të paraqitej në Këshillin Politik, vetëm në rast se nuk bie ndesh me interesat e PD dhe nëse me propozimin ishte dakord edhe LSI, rrëfen se sa në dëshpërim është Edi Rama për pak përçarje në radhët e kundërshtarëve, për sadopak dritë shprese se ai s’do të detyrohet të garojë i vetëm (s’po i llogarisim karavidhet në “koalicion” me Ramën, meqë ato s’i llogarit as ai vetë, qëkur ka shpallur se ai ka koalicion vetëm me qytetarin), në zgjedhjet e ardhshme.
Nëse disa parti të koalicionit opozitar mendojnë se “grupimi politik” i mbron më mirë interesat e tyre partiake, ai propozim duhet përkrahur pa ekuivok, nëse LSI vlerëson se ky propozim i cënon “status-quo”-në aktuale, është detyrë e saj dhe e PD të formulojnë një nismë ligjore “ad-hoc” që i tutelon këto interesa. Kurrfarë robërimi të PD ndaj partive të tjera s’ka në përkrahjen dhe tutelimin e këtyre interesave. Në zgjedhjet e ardhshme, përballë të keqes në qeveri, është jetike që të jetë i gjithë fronti i partive opozitare, megjithë vlerat e pashoqe që përcjellin brenda tij parti me profil të lartë si PBDNJ apo PDIU. Asnjë frikë nga proporcionali i fshehur apo fragmentarizimi i trupës legjislative s’mund të justifikojë dështimin e frymës së koalicionit. Sprovat e 2019-s kanë qenë shumë të rëndësishme për të mos kapërcyer stërkëmbëshat që vijnë nga propaganda e dëshpëruar e kryeministrit. Basha s’është para dilemës “ose-ose”, prej shkurtit të 2018-s, ai ka qenë para zgjidhjes së vetme “edhe-edhe”, para detyrës së krijimit të një fronti për të çliruar vendin nga e keqja që i ka vrarë shpresën. Prandaj “grupimi politik” i Shehit duhet të jetë i mirëseardhur, nisja e analizave nëse kjo aritmetikë dëmton aritmetikën e partiakëve të PD është sjellja klasike e atij që për një plesht e djeg gjithë jorganin. Pas një opozite të paprecedentë si ajo e 2019-s, nuk mund të ketë vend për diletantizma në hapin final drejt miratimit të Kodit Zgjedhor, siç është thënë, brenda 15 marsit të këtij viti.

Modifikuar më Tuesday, 11 February 2020 16:02
Login to post comments