Gjatë fjalës së saj me strukturat e partisë në Fier, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, deklaroi se rinisë i duhet besuar drejtimi i vendit, në mënyrë që Shqipëria të bëhet e barabartë me Evropën.
Sipas Kryemadhit, kryeministri Edi Rama po e çon vendin drejt plakjes dhe shpopullimit, ndaj dhe duhet një reagim i shpejt.
“Mungesa e shpresës ka qenë një nga armiqtë kryesorë të rinisë shqiptare. Ajo që takojmë çdo ditë është se të rinjtë besojnë te LSI dhe ndihemi krenarë për këtë, sepse vetëm LSI iu ka dhënë të besimin për të drejtuar. Ne kemi nevojë për të rinjtë e të rejat, sepse pa ata nuk do të kemi energjitë e duhura. Ashtu siç i kemi dhënë forcën rinisë për të drejtuar LSI, nesër do iu japim forcë dhe besim të drejtojnë vendin. Rama po e çon Shqipërinë drejt plakjes dhe shpopullimit.
Rrugët e qytetit janë bosh, nuk shprehin më jetë dhe entuziazëm, pasi të rinjtë dhe të rejat janë larguar. Nëse ne nuk lëvizim shpejt, Shqipëria do ngelet jo vetëm e varfër në ekonomi dhe në jetë, por edhe në drejtim. Nuk duhet të bëjmë gabimin më të madh, që të na kapë humbja e kujtesës. Rinia është e rëndësishme, se ata do drejtojnë shtetin dhe do e bëjnë Shqipërinë të barabartë me Evropën. Gratë janë motori dhe palca kurrizore e shoqërisë. Nëse gratë nuk do vlerësohen, do jetë e vështirë që ato të edukojnë familje të shëndosha”, tha Kryemadhi.