Deliret e Rexhep Qoses

Tuesday, 18 February 2020 20:43

Editorial i Gazetës Express

Rexhep Qosja, një emër i përveçëm e mjaft autoritar në botën shqiptare, sapo lëshoi një akuzë mjaft të rëndë . Qosja akuzon hapësirën mediatike të Prishtinës me një patos dhe një gjuhë të shfrenuar si më poshtë:

As kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudodemokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express”.

Kur e lexon mbetesh i shokuar. Një akuzë me skenare okulte, teori konspiracioni e financime nga bota e jashtme, një paralele e denjë për kohërat e Enver Hoxhës, me agjentë të disafishtë, poliagjentë, të cilëve “ua çirrte maskën” vigjilenca revolucionare e masave. Në këtë rast, vigjilenca e shkrimtarit, na bënte të njohur që Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë “kryeagjenti antishqiptar” që po infekton ambientin me propagandën anti shtetit shqiptar me pasoja të mëdha në të ardhmen e “njësisë së kombit shqiptar” dhe mardhënieve mes Dy shteteve shqiptare. Shkrimtari i njohur nuk ndalet me kaq. Ai i bën thirrje krerëve të shtetit të Kosovës që: “të mbajnë qëndrim ndaj bartësve të kësaj politike siç mbajnë qëndrim shtetet e mëdha evropiane ndaj propaganduesve të organizuar të  fashizmit apo nazizimit në jetën e tyre politike dhe shoqërore. Përndryshe janë pajtuar me të”.

Zoti Qosja bën përqasjen e shkrimeve apo qëndrimeve kritike të botuesit të Express me propagandën fashisto-naziste në vendet evropiane. Ky delir -për dreq jo i thënë si hamendje në një kafene apo pas disa gotave verë-por i shkruar dhe i shpërndarë si virus nëpër media, ishte goditës. Rreziku që deliri i një shkrimtari, imagjinata e ndezur e tij, të infektojë ambientin shoqëror nisur nga reputacioni i hedhësit të idesë është i madh.

Në këtë shkrim jemi të prirur të besojmë që mendjen e Qoses e ka pushtuar adhurimi ndaj Kryeministrit Rama. Është i njëjti demon që e pushtoi shkrimtarin në rastin e Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë. Në ditarin e tij viteve ’80, Rexhep Qosja shkruante me adhurim për Enver Hoxhën: “nuk ka burrë nëne që të më bëjë të shkruaj kundër Enver Hoxhës”, e dua Shqipërinë se është atdheu ynë dhe e kuptoj adhurueshëm prijsin e saj të sotëm Enver Hoxha”. Është krejt e kuptueshme adhurimi për Enver Hoxhën në kushtet e një mungese informacioni dhe hermetizmi të Shqipërisë. Por, ndërkohë, të mbeten në mendje vlerësimet për shkrimtarin më të madh të Shqipërisë, Ismail Kadare. Sipas Qoses “Kadareja po shkruan libra që nuk shkojnë në një vijë me prijësin”,  “nuk e forcojnë Shqipërinë por e dobësojnë atë”. Rexhep Qosja e akuzon Kadarenë si “konformistin dhe stalinistin më të madh në letërsi”. Adhuron Enver Hoxhën aq sa “nuk ka burrë nëne ta bëjë të kritikojë” megjithëse dihej botërisht se Enveri ishte stalinisti më i madh në Evropë. Mirëpo adhurimi ia verbon arsyen dhe nuk e vëren pakuptimësinë e dy qëndrimeve. Dhe të mendosh, këto mendime Rexhep Qosja i shkruante në vëllimin e 4 të ditarit të tij më 24 Shkurt 1982, në kulmin e represionit komunist dhe ditën kur Kadaresë po i bëhej gjyqi i “Pallati i Ëndrrave”. (referencë)

I njëjti fenomen po ndodh sërish. Tashmë vendin e Enverit e ka zënë Edi Rama. Kushdo që shkruan kundër liderit të Tiranës, idhullit të ri të shkrimtarit të vjetër, bën krim ndaj Shqipërisë. Në fakt, kur Rexhep Qosja sulmonte me gjuhë të egër Sali Berishën: “ligj e kushtetutë ishte sulltanizmi i kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, që Shqipërinë ta mbajë në kohën e gurit!”, askush nuk i tha që kjo është gjuhë e urrejtjes ndaj shtetit shqiptar.Sepse asnjëherë Kryeministri, Presidenti apo asnjë autoritet shqiptar, individ,  nuk është Shqipëria. Askush nuk ia vuri në dyshim Qoses dashurinë për Shqipërinë kur ai e sulmoi Berishën. Përkundrazi, sulmi ndaj autoritetit shtetëror, moskonformizmi me të, e nderon shkrimtarin, gazetarin. E nëse Rexhep Qosja e quajti të drejtë të ishte në krahun e kundërt të Sali Berishës kur ai ishte i gjithfuqishëm duhet të mirëkuptojë të tjerët kur janë kryekëput kundër liderit të sotëm Edi Rama. Sa për sulltanat asgjë nuk ka qenë Sali Berisha çfarë është Edi Rama. Pushteti i këtij të fundit mund të matet vetëm me Enver Hoxhën.

Në mendjet e një njeriu idhujtar lindin përçartje konspirative, luftë donkishoteske ndaj armiqve të idhullit, identifikim i atdheut, shtetit me njeriun. Kjo është një sëmundje e vjetër totalitare që quhet besnikëria ndaj prijësit. Quhet “nuk ka burrë nëne ta bëjë të kritikojë”!

Gjëja tjetër që bie në sy ishte shpërndarja e menjëhershme që i bëri idhulli i shkrimtarit postimit të tij. Në qëndrimin e Kryeministrit të Shqipërisë spikaste konstatimi ogurzi “Kjo urrejtje e organizuar është një ofensivë e egër pushtuese e hapësirës publike të komunikimit, që me vulgaritetin, shpifjet dhe dritëshkurtësinë e saj, ka nisur ta dëmtojë keq vetë Kosovën”.

Pra, Kryeministri lajmëron një kundërsulm ndaj kësaj “hapësire komunikimi”, kësaj “dritareje fashiste” që po helmatis “ambientin e shëndoshë të mediave të rilindura”. Pasi ka zënë krejt hapësirën publike të komunikimit përmes ERTV, Top Channel, Klan, News 24 dhe mediave online të tyre, Kryemnistri “antifashist” sipas Porosisë së Madhe të Qoses do ti vërsulet fashistoidëve të Expressit. Si Enver Hoxha kur sulmoi Kadarenë më 24 Shkurt 1982 për Pallatin e Ëndërrave.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...