Mjeshtri i karikaturës, Bujar Kapexhiu është artisti i radhës që i është përgjigjur thirrjes së Presidentit të Republikës Ilir Meta për mbrojtjen e demokracisë dhe Kushtetutës, duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij në bulevard, pasditen e 2 marsit.
I ftuar në Fax News, Kapexhiu e cilëson thirrjen e Presidentit Meta si thirrje interesante, e veçantë dhe që nuk ka ndodhur më parë.
“Është një thirrje interesante,e veçantë që nuk ka ndodhur më parë, që Presidenti të ftojë në manifestim për Kushtetutën që është Bibla dhe Kurani ynë. Përderisa ajo po tronditet, ajo po thërrmohet, atëherë me ndershmëri, me shumë pasion, dhe përgjegjësi Presidenti kërkon që populli ta zgjidhë këtë punë. Unë bashkë me të tjerë do jemi atë ditë, dua dhe unë që të mos preket Kushtetuta dhe dua të respektoj ftesën e Presidentit”, u shpreh Kapexhiu.