Mesditën e sotme rreth orës 12:00, Komisionit Evropian do të publikojë raportin paraprak mbi ecurinë e reformave që kanë ndërmarrë deri më tani Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dy vende kandidate për të hapur negociata me BE, që këtë pranverë.
Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka deklaruar për mediat, se shpreson që me raportet që Komisioni do të publikojë për të dy vendet të bindë të gjithë anëtarët e bllokut për një dritë jeshile të shpejtë. Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, iu mohua fillimi i bisedimeve të pranimit tetorin e vitit të kaluar, pas këmbënguljes së Franca dhe një grup i vogël vendesh. Gjithashtu edhe Gjermania pavarësisht se dha një “Ok” në tetor e shoqëroi atë me 9 kushte të forta për vendin tonë. Raporti që pritet të publikohet mesditën e sotme do të përcaktojë jo pak mbi ecurinë e Shqipërisë, edhe pse kryeministri Rama deklaroi në kongresin e PS-së, se nuk ka rëndësi kjo gjë.
Nga deklaratat e fundit, Franca dhe presidenti i saj Macron, duket se ka lëvizur nga pozicioni i saj bllokues lidhur me hapjen e negociatave, por Holanda dhe Danimarka vazhdojnë të shfaqin skepiticizëm të fortë specifikisht për Shqipërinë dhe luftën e saj, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.