Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar në Novi-Sad se nuk e njohin Kosovën, nëse edhe Serbia nuk fiton diçka.
Para gazetarëve, se si do t’i përgjigjet Serbia, siç theksohet – ultimatumit të Prishtinës, Vuçiç është kundërpërgjigjur po me pyetje: “Çfarë ultimatumi? Që ne të detyrohemi t’i pranojmë, e të mos fitojmë asgjë? Nuk ka gjë prej kësaj”, është shprehur ai.
“Le të bëjnë ata punën e vet, ne tonën, pastaj të shohim kush del më i suksesshëm”, ka shtuar presidenti serb, duke vijuar se me këtë rast është vendimtare të ruhet paqja dhe stabiliteti.
Ai ka konfirmuar sot se Uashingtoni është serioz në qëllimet që taksa e Prishtinës ndaj produkteve serbe të hiqet dhe se beson se trysnia amerikane do të vazhdojë.
I pyetur nëse pas vizitës në SHBA a konsideron se Uashingtoni kërcënon seriozisht kryeministrin e Kosovës Albin Kurti me heqjen e taksës, Vuçiç është përgjigjur:
“Absolutisht po. Uashingtoni është absolutisht serioz me dëshirat e tij për heqjen e taksës nga ana e Prishtinës dhe unë u jam mirënjohës njerëzve në Shtëpinë e Bardhë, në radhë të parë, dhe në Departamentin e Shtetit”, u ka thënë Vuçiç gazetarëve.