Meta mikpret në Tiranë Presidentin Radev: Bullgaria avokate e integrimit të Shqipërisë në familjen europiane

E Enjte, 05 Mars 2020 15:13

Me ftesë të Tij, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot me nderime shtetërore në Pallatin e Brigadave, Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, së bashku me delegacion zyrtar bullgar.

Të dy krerët e shteteve zhvilluan një takim kokë më kokë, dhe kryesuan edhe takimin dypalësh mes delegacioneve respektive, ku u diskutua mbi zhvillimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhëniet dypalëshe, të fqinjësisë së mirë, të miqësisë tradicionale mes dy popujve, për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit, dhe sidomos për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Presidenti Radev theksoi se Bullgaria mbështet integrimin europian të Shqipërisë dhe garantoi se do të punojë pa u lodhur si një avokate e vendit tonë për anëtarësimin në familjen e përbashkët europiane

Në konferencën e përbashkët për shtyp të të dy Presidentëve, kreu i shtetit shqiptar u shpreh:

“Ishte një kënaqësi e veçantë për të pritur sot në Tiranë në këtë vizitë shtetërore Presidentin e Bullgarisë, një vend jashtëzakonisht miqësor për Shqipërinë dhe kombin tonë! 

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bullgarisë gëzojnë një miqësi tradicionale të shkëlqyer në të gjitha kohërat. Ato bazohen në lidhje të mirëfillta historike, kulturore dhe njerëzore. 

Mbështetur në këtë miqësi, si dhe në vizionin e përbashkët euro-atlantik, këto marrëdhënie janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme edhe gjatë dekadave dhe viteve të fundit. 

Diskutuam mbi zhvillimin dhe thellimin e mëtejshëm në të ardhmen të marrëdhënieve dypalëshe në dobi të dy vendeve dhe popujve tanë, por edhe për forcimin e paqes e të sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe sidomos në hapësirën midis Adriatikut dhe Detit të Zi.

I shpreha falënderimet më të përzemërta Presidentit Radev për mbështetjen e palëkundur që Bullgaria i ka dhënë gjithmonë vendit tonë në procesin e integrimit europian në përgjithësi, si dhe për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në në veçanti. 

Një falënderim më të veçantë për përpjekjet e sinqerta që Bullgaria bëri gjatë kryesimit të Bashkimit Europian, pavarësisht nga vështirësitë, që i dimë shumë mirë, se kishin të bënin me arsye të tjera.

Edhe sot Bullgaria vazhdon të jetë një avokate e palëkundur e integrimit të Shqipërisë në familjen e përbashkët europiane, por edhe të vendeve të tjera të rajonit tonë. Edhe një nga arsyet e kësaj vizite është pikërisht forcimi i këtij mesazhi të mbështetjes së Bullgarisë për Shqipërinë. 

Në këtë drejtim folëm edhe për situatën e reformave në vendin tonë ku unë theksova se është mjaft e rëndësishme që të tregojmë përmirësime lidhur me 9 çështjet e Bundestagut, që tashmë janë një udhërrëfyes për vendin tonë për të lehtësuar çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Po kështu një temë e një rëndësie kritike për të ardhmen e forcimit të marrëdhënieve tona në të gjitha drejtimet, sidomos në planin ekonomik dhe tregtar, por jo vetëm, është ajo që ka të bëjë me bashkimin e forcave edhe me vende të tjera të interesuara, për të zhvilluar Korridorin 8 dhe sidomos projekte të veçanta, që do të shumëfishojnë shkëmbimet tregtare, ekonomike dhe njerëzore, edhe midis dy vendeve tona, por edhe në të gjithë këtë hapësirë nga Adriatiku e deri në Detin e Zi.

Në këtë drejtim, bashkëpunimi në fushën e infrastrukturës, sidomos të lidhjes hekurudhore, midis porteve, veçanërisht të Durrësit dhe Varnës, të energjisë, të gjitha së bashku do të bënin të mundur të kishim një infrastrukturë shumë më të favorshme e më të lehtësueshme për ato ambicie që dy vendet tona kanë në planin bilateral, por edhe rajonal.

E falënderova përzemërsisht Presidentin Radev për ndihmën e menjëhershme të Bullgarisë pas tërmetit të 26 nëntorit dhe mesazhet e solidaritetit, por edhe për ndihmën konkrete, që nga ndihmat financiare, ndihmat me ekipet e inxhinierëve, dhe theksova edhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në fushën e emergjencave civile, pasi vetëm duke punuar së bashku do të mundemi t’i përballojmë më mirë këto fatkeqësi natyrore.

Në fakt kontributi i ekipit bullgar për vlerësimin e dëmeve të tërmetit kryesisht në Ishëm e në Durrës ka qenë mjaft profesional dhe ka shërbyer edhe si një përvojë shumë e mirë për ekipet tona shqiptare të vlerësimit.

Presidenti Radev do të ketë rastin edhe nesër të vizitojë disa nga zonat e prekura të tërmetit dhe me këtë rast dua ta falënderoj edhe për ndihmën e dytë financiare që dha Bullgaria gjatë Konferencës së fundit të Donatorëve!

Kemi diskutuar edhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën e arsimit, sidomos të shkëmbimeve midis studentëve, por edhe për forcimin e marrëdhënieve në fushën e kulturës dhe në fushën e sportit dhe jam i sigurt se duke bashkëpunuar edhe më mirë në këto fusha, marrëdhëniet midis dy vendeve do të jenë edhe më të suksesshme, do të jenë edhe më frymëzuese për të realizuar rezultate më të prekshme në të ardhmen edhe se sa deri më tani.

Dhe së fundmi, Zoti President, edhe njëherë dua t’ju uroj për Festën tuaj Kombëtare që do të kemi mundësi ta festojmë edhe sot së bashku në Tiranë! I urojmë popullit bullgar suksese sa më të mëdha e të shndritshme në të ardhmen! 

Ne kemi arsye të jashtëzakonshme për t’i qenë mirënjohës Bullgarisë edhe për atë kontribut që shumë figura të shquara, edhe të Rilindjes sonë Kombëtare kanë dhënë nga Bullgaria në mbështetje të çështjes kombëtare, e të pavarësisë së vendit tonë. 

Dhe besojmë se përveç kësaj tradite të shkëlqyer, edhe e ardhmja e dy vendeve tona është e shkëlqyer dhe kjo vizitë e juaja është pikërisht në shërbim të kësaj perspektive. 

Ndaj edhe një herë, ju falënderoj përzemërsisht për vizitën dhe mesazhet tuaja!”

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...