Një thirrje dëshpërimi nga biznesi i vogël. Kreu i Shoqatës së Biznesit të vogël, Albert Nasto në një lidhje për “News24” ka folur për situatën në të cilën ndodhet ky biznes që ka të punësuar rreth 400 mijë shqiptarë.
Nasto tha se qeveria është e vonuar me masat dhe nuk ka asnjë plan konkret ende, ndërkohë që sipas tij, biznesi i vogël mund të mbijetojë dhe 20 ditë.
“Ashtu si gjithë qytetarët e vendit tonë, si populli, qeveria dhe biznesi i vogël është shumë i shqetësuar dhe për shëndetin e vet por edhe për çështjen ekonomike të biznesit se si do vejë situata. Janë rreth 100 mijë biznese të vogël që kanë ulur qepenat. Në këto biznese janë të punësuar 350-400 mijë qytetarë të cilët sot nuk punojnë. Jemi të shqetësuar sepse në fund të fundit kjo gjendje është emergjente dhe kërkon masa emergjente. Qeveria i zgjidh. Qeveria dha urdhër për gjendje emergjente, biznesi i zbatoi. Nuk ka transparence çfarë do bëhet. A ka ndërmarrë ndonjë plan qeveria për t’u ulur këmbëkryq, për të folur pastër.
Qeveria është shumë e vonuar. Qeveria pati kohë që nga rënia e pandemisë në Kinës është mbi 1 muaj e gjysmë”, deklaroi Nasto.
Ai tha më tej se dje kemi bërë një plan kërkesash nga ana e shoqatës duke përmendur disa nga pikat kryesore. “I kemi bërë kërkesë dhe qeverisë dhe opozitës me disa pika. Për shembull, ne kemi mbyllur subjektet dhe jemi pa punë. Por ne do paguajmë sigurimet, energjinë, taksat. Qeveria duhet të hartojë një plan masash me ndihmë ekonomike. Për çështjen e sigurimit shoqëror, duhet ta heqë deri sa të jetë kjo gjendje emergjence. Duhet të mos paguajmë taksat lokale. Duhet të ndërpriten pagesat lokale. Duhet të ndërhyjë me paketa ndihmë, lehtësira fiskale. Gjobat, pagesat e kësteve, si për TVSH-në. Duhet të ulet qeveria me biznesin, nuk po them të bashkohemi se s’na e lejon koha por të dëgjojë mendimet tona”, u shpreh ai.
Nasto tha më tej se biznesi i vogël nuk mund të durojë me muaj të tërë.
“Kjo flitet se do jetë e gjatë por do ketë efekte dhe dëme shumë të mëdha për biznesin e vogël. Nuk është në gjendje me e mbajt për muaj të tërë.
Nuk kemi pasur kontakte me qeverinë. Nuk mund të paralizosh një vend se edhe lufta që është luftë, lë një kohë për të furnizuar familjen, dyqanet. 6-7 mijë dyqane e furra buke nuk punojnë sot në Shqipëri. Nuk kemi një plan emergjence nga qeveria. Duhet të kishte ditë që të ishte parë ky plan, të ishte bërë transparent për biznesin. Biznesi i vogël me mundësitë financiare që ka nuk mund të jetojë më shumë se 15, qameti 20 ditë”, theksoi Nasto.
Ai kërkoi të bllokohen PPP-të dhe paratë e tyre të futen në ekonominë shqiptare.
“Duhet të hiqen shumë PPP që nuk i shërbejnë këtij vendi. Janë miliona euro që janë të përcaktuara për koncesione e PPP. Ato të mos jepen, të bllokohen dhe të futen në ekonominë shqiptare. Kjo është emergjente. Të mos mendojë asnjë lloj qeverie se mund të mbajë popullin pa bukë dhe biznesin mbyllur qepenat”, tha Nasto