KE-ja e ka marrë këtë vendim për t’i mbajtur furnizimet e nevojshme brenda në bllok, marrë parasysh se numri i njerëzve të prekur me koronavirus sa vjen e rritet.
Vendet anëtare të BE-së, sidomos ato më të rrezikuarat, Italia dhe Spanja, kanë probleme edhe vetë me numrin e pamjaftueshëm të respiratorëve, testeve, shtretërve spitalorë dhe me stafin profesional.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, ka thënë se edhe në Ballkanin Perëndimor do të zbatohet e ashtuquajtura “skemë e autorizimit”, e cila u mundëson vendeve të BE-së të vendosin nëse duan të eksportojnë pajisje mjekësore dhe të tjera mbrojtëse.
“I njëjti parim vlen edhe për Ballkanin Perëndimor. Bëhet fjalë për ‘skemën e autorizimit’ për eksportimin e pajisjeve mjekësore”, ka thënë Mamer.
Sipas tij, u takon vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të vendosin për eksportin e mundshëm, andaj zyrtarët e KE-së nuk duan ta cilësojnë vendimin si “ndalim eksporti”.
Vendimi i Komisionit Evropian, i cili është miratuar me procedurë të përshpejtuar më 14 mars, “synon t’i mbrojë furnizimet me pajisje të tilla brenda tregut të vetëm të BE-së”.
Vendimi për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore do të jetë i vlefshëm gjatë gjashtë javëve të ardhshme.
Brukseli apo Pekini
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, e ka kritikuar vendimin e Brukselit, duke e cilësuar solidaritetin evropian si “përrallë në letër”.
“Nuk dua të nxjerr tani konstatime, por kur të mbarojë e gjitha. E kemi kuptuar se nuk ekziston solidaritet i madh ndërkombëtar, as evropian. Kjo është përrallë në letër”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Kina është vendi i vetëm që mund ta ndihmojë Serbinë në këtë situatë.
“I kam dërguar letër të veçantë presidentit të Kinës, Xi Jinping, të cilin për herë të parë e kam quajtur vëlla, jo vetëm timin, por edhe të këtij vendi. Duke i garantuar miqësi shekullore me Serbinë, kam kërkuar nga Kina të na dërgojë edhe mjekë, sepse nuk guxojmë të lejojmë që koronavirusi të futet në spitalet tona”, ka thënë Vuçiq, i cili ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Serbi, për shkak të koronavirusit.
Ai po ashtu ka thënë se Serbia ka blerë pesë milionë maska nga Kina dhe se është në proces të blerjes së respiratorëve të rinj nga “vëllezërit kinezë”.
Polemika për numrin e respiratorëve në Serbi
Sipas të dhënëve që ka paraqitur Vuçiq, Serbia ka 1,008 respiratorë dhe do të blejë edhe 500.
Megjithatë, në një moment, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se informacioni për numrin e respiratorëve është “sekret shtetëror”.
Një ditë më herët, Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka njoftuar për prokurimin publik të 15 respiratorëve, të cilët do të shpërndahen nëpër spitale të Serbisë.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Serbi, Dr Millan Jovanoviq Batut, të raportuara nga BIRN, Serbia ka 955 respiratorë në funksion – 740 të stacionuar , 215 të lëvizshëm – dhe 106 të prishur.
Kur bëhet fjalë për testimet për koronavirus, shumë qytetarë serbë kanë thënë se mjekët kanë refuzuar t’i testojnë, madje edhe në situatat kur kanë treguar simptome.
Infektologu dhe anëtari i Komisionit qeveritar të Serbisë, Mijomir Pellemish, ka thënë se mjekët vendosin se kush do të testohet, e jo pacientët, raporton Birn.
“Do të na duheshin shtatë milionë teste! Teste ka mjaftueshëm dhe testohen ata që, sipas vlerësimeve të mjekëve, duhet të testohen”, ka thënë Pellemish.
Serbia ka më pak mjekë dhe teknikë se mesatarja evropiane, pasi vendet anëtare të BE-së kanë 333 mjekë për 100,000 njerëz dhe Serbia ka 285, tregojnë të dhënat e Institutit Batut, raporton Birn.
Serbia po ashtu ka 554 infermierë dhe teknikë për 100,000 njerëz, ndërsa anëtaret e BE-së kanë 825.
Bosnje dhe Hercegovinë: Pajisje të pamjaftueshme
Në objektet shëndetësore në Bosnje dhe Hercegovinë paralajmërojnë për mungesë pajisjesh, sidomos nëse epidemia e koronavirusit merr hov.
Problem shtesë është struktura komplekse e shtetit. Përgjegjëse për shëndetin në këtë rast janë entitetet, kantonet dhe Qarku Bërçko, kështu që koordinimi është i vështirë.
Kur bëhet fjalë për respiratorët, ministri i Shëndetësisë i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Vjekosllav Mandiq, ka thënë se në këtë entitet posedojnë 141 aparate. “Konsiderojmë se janë të mjaftueshëm”, ka thënë ai.
Sa u përket testeve, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka nisur Bosnjës 1,000 teste, që janë shpërndarë në mënyrë të barabartë në Banja Llukë dhe në Qendrën Klinike të Universitetit të Sarajevës. Bosnja pritet të marrë edhe 500 teste.
Në rast të përhapjes së mëtejshme të koronavirusit, do të duhet blerje e pajisjeve shtesë, paralajmërojnë ekspertët.
Zllatko Kraviq, drejtor i spitalit “Dr Abdullah Nakash” në Sarajevë, ka thënë për televizionin N1 se në këtë objekt mungojnë respiratorët. Ai ka thënë se është nënshkruar marrëveshje për sigurimin e tyre, porse prodhuesit kanë vendosur t’i dërgojnë ata në Itali.
Sa është i përgatitur Mali i Zi?
Mali i Zi ka 70 respiratorë, ndërsa i ka porositur edhe 20, ka thënë për televizionin Antena M epidemiologu Senad Begiq, nga Instituti për Shëndetin Publik.
Kur bëhet fjalë për karantinën, sipas tij, Klinika Interne në Podgoricë ka tri dhoma me nga shtatë shtretër, ndërsa, varësisht nevojës, kapacitetet mund të rriten.
Spitali rajonal i Tivarit, ndërkaq, ka njoftuar se reparti i tij infektiv ka 100 shtretër, përfshirë 12 për kujdes intensiv, si dhe gjashtë respiratorë.
Sa u përket testeve, Begiq ka thënë se Mali i Zi aktualisht i ka 800 dhe se me porositë e reja që do të bëhen, numri i tyre do të arrijë në rreth 3,000.
Kosova: 80 respiratorë
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka 58 respiratorë, por aktualisht ata përdoren për pacientët e shtruar në spital.
Ky institucion ka edhe 15 respiratorë rezervë që mund të përdoren për njerëzit e sëmurë nga koronavirusi.
Në spitalet e përgjithshme në Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Vushtrri, Gjakovë, Prizren dhe Ferizaj janë gjithsej 22 respiratorë që mund të përdoren.
Në Kosovë ekzistojnë edhe disa spitale private, por Ministria e Shëndetësisë thekson se ende nuk është arritur marrëveshje nëse këto spitale do të pranonin pacientë me koronavirus.
Faik Hoti, drejtor i Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se qendra kryesore e trajtimit për pacientët me koronavirus është Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas tij, varësisht nevojës, mund të bëhet edhe riorganizimi i klinikave ose shërbimeve.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro në kuadër të planit për trajtimin e koronavirusit.
Kroacia: Burime të mjaftueshme tani për tani
Kroacia, sipas ministrit të Shëndetësisë, Villi Berosh, aktualisht ka burime të mjaftueshme për t’u përballur me koronavirusin.
Situata e Kroacisë lehtësohet gjithashtu nga fakti se ajo mund të mbështetet në ndihmën e Bashkimit Evropian, ku është vend anëtar.
“Varet se sa do të zgjasë kriza, sepse askush nuk ka furnizime që mund të zgjasin shumë”, ka thënë Berosh.
Sipas mjekes Marija Bubash, anëtare e ekipit të Ministrisë së Shëndetësisë, Kroacia ka 491 respiratorë të stacionuar dhe 280 të lëvizshëm, raporton portali Index.hr.
Ministri Berosh ka thënë se ka kërkuar nga qeveria mjete për blerjen edhe të nëntë respiratorëve.
Në Kroaci, tash për tash, ekzistojnë pesë karantina, por, sipas mjekes Bubash, në rast të nevojës, objektet e tjera shëndetësore mund të përshtaten