Mbledhja e krerëve europianë të shteteve, që duhej të vendoste për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në fund të marsit, nuk do të dalë me asnjë vendim për këtë çështje.
Drejtuesit nuk do të mblidhen fizikisht, por ata do ta zhvillojnë mbedhjen e tyre përmes videokonferencës në datat 26 dhe 27 Mars dhe rendi i tyre i ditës do të përqëndrohet vetëm tek emergjenca e koronavirusit, njoftoi gazeta Le monde e lexuar nga Lapsi.al.
Po sipas së njëjtës media, temat e tjera që priteshin të debatoheshin si përdorimi i teknologjisë 5G, marrëdhëniet me Kinën, inteligjenca artificiale apo çështjet e zgjerimit janë shtyrë për një datë më të vonshme.
Ky vendim i beftë u morr pasi kriza e Covid -19 nuk rreziikon vetëm jetët njerëzore, por edhe funksionimin e brendshëm të BE. Vendime si ato të Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar eksportimin e materialeve mjekësore edhe brenda tregut të përbashkët, apo rishfaqja e kufijve nacionalë që marëveshja e nënshkruar në 1985 i kishte fshirë, janë shembujt më ilustrues për këtë.
Shtyrja e re e diskutimin për temën e zgjerimit drejt Ballkanit perendimor vjen në momentin më të keq për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Pas miratimit të një procedure të re të ndarë me faza, u duk sikur Franca kishte hequr dorë nga vetoja e saj për të mos hapur negociatat me vendet tona. Edhe Holanda, që ishte shfaqur kategorikisht kundër për Shqipërinë, së fundi adoptoi një qëndrim të afërt me Gjermaninë, për të shkuar drejt një PO-je, me kushte.