Këshilli i ministrave të BE-së për çështjet evropiane dha sot PO-në për çeljen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kjo e fundit do i hapë negociatat menjëherë, kurse Shqipërisë i janë rënduar kushtet dhe do nisë negociatat pas plotësimit të tyre.
“Shumë i kënaqur që vendet anëtare të BE-së arritën sot një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë i uroj me gjithë zemër të dy vendet. Ky është një mesazh se Ballkani Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, lajmëroi në twitter, komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi.
Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, (SPD) tha në Berlin para video-konferencës për media, se sa i rëndësishëm është ky vendim: “Ballkani Perëndimor nuk është një rajon i largët, por është oborri i brendshëm i Bashkimit Evropian. Është në interesin tone të përbashkët që ky rajon të gjejë qetësi, paqe, qëndrueshmëri dhe shtet juridik të përhershëm. Dhe unë jam shumë i lumtur që ne sot kemi mundësi të vëmë një sinjal të qartë që BE-ja i mban premtimet e saj dhe që perspektiva e anëtarësimit në Ballkan vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ministri gjerman për Evropën, Michael Roth.