Në një lidhje me Skype për Syri TV, kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku i quajti të tepruara masat e marra nga qeveria, që sipas tij i kanë vënë lakun në fyt ekonomisë shqiptare.
Sipas tij, më e rrezikshme se Koronavirusi është ajo çfarë na pret në javët dhe muajt në vazhdim.
"Duhet të përgatisim strategjinë për daljen nga situata. Ky është hapi që duhet të bëjmë ne. Për një armik që vritet me pistoletë ne nuk mund ta vrasim me top apo me raketë. Duhet të gjenim masa proporcionale me rrezikun. Pavarësisht masave që u morën nuk kishim epidemi dhe kur të zgjodhemi nga një ëndërr e keqe do të shikojmë çfarë kemi bërë. I kemi vënë lakun ekonomisë. Kjo është epidemia më e madhe që kemi bërë. Paniku nuk mund të jetë lajmotivi për menaxhimin e kësaj krize. Po e shohim të gjithë. Nuk kemi krizë zë madhe. Sigurisht që duhet treguar kujdes", u shpreh Buxhuku.
"Është një dështim total. Sistem ekonomik që ka rënë. Duhet ti ndryshojmë politikat ekonomike që e ka lënë shtetin kaq të varfër", shtoi kreu i Konfindustrisë.
Sipas Buxhukut, masat e lehtësuara që nisin nga dita e hënë duhej të ishin marrë më parë.
"Kemi kërkuar me kohë që ne duhet të kalojmë në normalitet. Nga të gjithë shikimet e situatës në vende të gnjashme që janë prekur më rëndë se Shqipëria nuk u kalua kurrë që farmacitë dhe dyqanet të mbyllen në orën 1. Me këto masa që po merr qeveria është një hap pozitiv përpara, që duhet thënë se është i vonuar", tha Buxhuku.