Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Panderovski.
Të dy Presidentët diskutuan mbi gjendjen aktuale dhe masat e marra nga të dyja shtetet për përballimin e situatës së vështirë të krijuar nga pandemia COVID-19, si dhe vlerësuan ndihmën e Bashkimit Europian për tejkalimin e saj.
Presidentët Meta dhe Presidenti Pendarovski shprehën vullnetin për shkëmbimin e përvojave dhe koordinimin ku të jetë nevoja, me qëllim tejkalimin sa më të shpejtë të krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Presidenti Meta u interesua në veçanti për situatën në zonat e banuara nga shqiptarët dhe shprehu kënaqësinë për kujdesin e treguar dhe masat e marra nga autoritetet shtetërore.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar shprehu kënaqësinë që deri tani në Bashkinë e Pustecit fatmirësisht nuk kemi asnjë rast shqetësues.
Gjatë bisedës telefonike, Presidenti Meta përshëndeti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, duke vlerësuar se ky vendim i shërben forcimit të sigurisë, stabilitetit e paqes jo vetëm në rajonin tonë.
‘Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dy vende fqinje, aleatë në NATO, dhe me vizione të përbashkëta europiane dhe euro-atlantike, do të forcojnë edhe më shumë bashkëpunimin e kontributin në dobi të forcimit të mëtejshëm të sigurisë kolektive’, - theksoi Presidenti Meta.