Nga paketa e dytë financiare tek skenari për rimëkëmbjen e ekonomisë, ja çfarë do të diskutohet sot në mbledhjen e Këshilli të Sigurisë

E mërkurë, 15 Prill 2020 09:05

Ashtu siç u njoftua edhe dje, pasditen e sotme Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të zhvillojë mbledhjen e dytë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për situatën e pazakontë të krijuar nga përhapja e koronavirusit.
Duke marrë shkas nga situata në fjalë, mbledhja e Këshillit të Sigurisë do të zhvillohet online, ndërsa i pranishëm, ndonëse virtualisht, do të jetë edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“BalkanWeb” ka mësuar se si temë diskutimi në këtë tryezë do të jenë masat e marra deri më tani nga autoritetet qeverisëse, paketa e dytë financiare si dhe skenarët e përballimit e rimëkëmbjes ekonomike.
Në mbledhjen e parë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishin të pranishëm në diskutim kreu i opozitës, Lulzim Basha, kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta dhe ministrat më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar. Ndërkohë, nuk bëhet ende e ditur se në çfarë orë do të mbahet mbledhja e nesërme.

Login to post comments