Ironia/ Rama u thotë 'shisni jahtet' dhe ... u heq taksën e jahteve

E mërkurë, 15 Prill 2020 10:37

Nuk kanë kaluar veçse pak ditë kur në Open tek Eni Vasili, kryeministri Edi Rama përdori një zhargon që do ta kishin zili edhe radikalët më ekstremë të së majtës: “Shisni jahtet dhe vilat dhe paguani puntorët” iu drejtua ai me një gjuhë të ashpër biznesmenëve më të mëdhenj të vendit.

Por në fakt në realitet ndodh ndryshe. Ai ka në plan t'i lehtësojë ata që duan të blejnë jahte. Deputët socialistë kanë çuar në datën 10 prill në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që do të përjashtojë nga TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) importin e jahteve. Atë e ka bërë publik ish-deputetja Jorida Tabaku, e cila pasi vë në dukje këtë çmenduri qesharake, shkruan në Facebook-un e saj: “Disa ditë pasi i detyroi bizneset e goditura të vendit të paguanin TVSH-në kokërr më kokërr, qeveria merr vendimin për të përjashtuar importuesit e jahteve. Me këtë akt qeveria e zgjidh fare lehtë qesen kur bëhet fjalë për blerësit e jahteve, ndërsa për 3 milionë shqiptarët, nga të cilët mbi 500 mijë janë të punësuar në privat e njëjta qeveri nuk ka parà. Qartë e më qartë e ditë pas dite për 7 vjet me radhë , me çdo veprim dhe ligj të miratuar kjo qeveri dhe ky kryeministër tregojnë se janë thjesht dhe vetëm në shërbim të oligarkëve dhe jo të shqiptarëve”.
Nuk dihet nëse kjo nismë është një relike e harruar e kohës kur qeveria e Rilindjes mendonte si të ndihmonte me te dy duart lehtësimin e më të pasurve nga taksat, por një gjë është e sigurtë, dërgimi i tij tani në parlament, pikërisht në kohën kur Rama ka filluar të çirret live kundër biznesit të madh, është ironia më e madhe që mund ti bëhet propagandës së kryeministrit./LAPSI

Login to post comments